Ezra 5

Rifillimi i punimeve

Profeti Haga dhe profeti Zakari, biri i Idoit, u profetizuan judenjve, që banonin në Judë e në Jerusalem, në emër të Perëndisë së Izraelit që ishte me ta. Atëherë u ngritën Zorobabeli, biri i Shealtielit, dhe Jozuehu, biri i Jocadakut, dhe filluan të ndërtonin tempullin e Perëndisë në Jerusalem, me mbështetjen e profetëve të Perëndisë. Por, në atë kohë erdhën tek ata Tatenai, qeveritari i krahinës përtej lumit, Shetar Boznai dhe bashkëpunëtorët e tyre e u thanë: «Kush ju dha urdhër ta ndërtoni këtë tempull e të bëni këto meremetime?». Prandaj edhe i pyetën: «Cilët janë emrat e atyre që po e ndërtojnë këtë ndërtesë?». Por mbi pleqësinë e Judës ishin sytë e Perëndisë së tyre, prandaj punimet nuk u ndalën, derisa lajmi të shkonte te Dari e të vinte përgjigja lidhur me këtë çështje.

Tatenai, qeveritari i krahinës përtej lumit, Shetar Boznai, bashkëpunëtorët e tij dhe zyrtarët e krahinës përtej lumit, i shkruan një letër mbretit Dar. Ja çfarë i shkruan ata në letrën që i dërguan: «Mbretit Dar, paqe e shëndet të plotë! Le t’i bëhet me dije mbretit se kemi shkuar në krahinën e Judës, në tempullin e Perëndisë së madh që po ndërtohet me gurë të mëdhenj e me trarë nëpër mure. Punimet po bëhen me kujdes e po ecin mirë prej mjeshtërisë së tyre. Ne e pyetëm pleqësinë e tyre e u thamë: “Kush ju dha urdhër ta ndërtoni këtë tempull e të bëni këto meremetime?”. 10 U kërkuam edhe emrat për të t’i njoftuar ty. Kështu, i shkruam emrat e prijësve të tyre. 11 E ata na u përgjigjën kështu: “Ne jemi shërbëtorë të Perëndisë së qiellit e të tokës dhe po rindërtojmë tempullin që ka qenë ndërtuar para shumë kohësh dhe që e kishte ndërtuar e përfunduar një mbret i madh i Izraelit. 12 Por, ngaqë etërit tanë ndezën zemërimin e Perëndisë së qiellit, ai i dorëzoi te Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, kaldeu. Ai e shkatërroi këtë tempull, ndërsa popullin e degdisi në Babiloni. 13 Megjithatë, në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbretit të Babilonisë, vetë mbreti Kir nxori një vendim për ta rindërtuar këtë tempull të Perëndisë. 14 Për më tepër, enët prej ari e prej argjendi të tempullit të Perëndisë, që mbreti Nabukodonosor i kishte marrë prej tempullit të Jerusalemit e i kishte vënë në tempullin e Babilonisë, mbreti Kir i mori prej tempullit të Babilonisë e ia dha dikujt që quhej Sheshbacar, të cilin e bëri edhe qeveritar. 15 Mbreti i kishte thënë Sheshbacarit t’i merrte ato enë e t’i vendoste në tempullin e Jerusalemit dhe që tempulli i Perëndisë të ndërtohej sërish në vendin e vet. 16 Atëherë Sheshbacari erdhi e hodhi themelet e tempullit të Perëndisë në Jerusalem. Që prej asaj kohe e deri tani tempulli po ndërtohet, por nuk ka përfunduar ende”. 17 Tani, nëse mbreti dëshiron, le të bëhen kërkime në thesarin mbretëror të Babilonisë, për të parë nëse mbreti Kir ka nxjerrë vërtet një vendim për ndërtimin e tempullit të Perëndisë në Jerusalem. Pastaj le të na bëhet i ditur vendimi i mbretit».