Ezra 4

Kundërshtime ndaj ndërtimit

Kur armiqtë e Judës e të Benjaminit morën vesh se bijtë e të mërguarve po ndërtonin tempullin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, shkuan te Zorobabeli dhe te krerët e familjeve e u thanë: «Na lejoni të ndërtojmë bashkë me ju, sepse edhe ne e kërkojmë Perëndinë tuaj ashtu si ju dhe i kemi kushtuar fli që kur Esarhadoni, mbreti i Asirisë, na shpërnguli këtu». Por Zorobabeli, Jozuehu dhe krerët e tjerë të vëllazërive të Izraelit u thanë: «Nuk na takon ta ndërtojmë bashkë tempullin e Perëndisë tonë. Do ta ndërtojmë vetë tempullin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, sipas urdhrit të Kirit, mbretit të Persisë». Atëherë populli i vendit filloi ta shkurajonte popullin e Judës dhe ta kërcënonte, që të mos ndërtonin. Madje paguan edhe disa këshilltarë kundër tyre, që synimet e tyre të dështonin. Kështu ngjau gjatë gjithë mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë, deri në mbretërimin e Darit, mbretit të Persisë.

Në kohën e mbretërimit të Kserksit*, në fillim të mbretërimit të tij, ata shkruan një padi kundër banorëve të Judës e të Jerusalemit. Në kohën e Artakserksit*, Bishlami, Mitredati, Tabeli dhe bashkëpunëtorët e tjerë të tyre i shkruan Artakserksit, mbretit të Persisë. Letra ishte e shkruar në aramaisht e me shkronja aramaike.

Edhe Rehumi, qeveritari, bashkë me Shimshain, shkruesin, i shkruan këtë letër mbretit Artakserks për Jerusalemin: «Qeveritari Rehum, shkruesi Shimsha dhe bashkëpunëtorët e tyre, gjyqtarët, zyrtarët, nëpunësit, persët, erekitët, babilonasit, shushankitët, domethënë elamitët, 10 si edhe popujt e tjerë, që i madhi e i lavdishmi Osnapar i shpërnguli e i vendosi në qytetet e Samarisë dhe në krahinat e tjera përtej Eufratit, 11 ne shërbëtorët e tu, banorët e krahinës përtej lumit», shkruhej në letrën që i dërguan, «i drejtohemi mbretit Artakserks. 12 Dëshirojmë t’i bëjmë me dije mbretit se judenjtë, që u nisën prej tij te ne, kanë mbërritur në Jerusalem dhe po e rindërtojnë këtë qytet kryengritës e të mbrapshtë. Kanë ndrequr themelet e po meremetojnë muret. 13 Le ta dijë, pra, mbreti, se, nëse ky qytet rindërtohet dhe muret e tij përfundojnë, ata nuk kanë për t’i paguar as tatime e as tagra dhe kjo do të jetë në dëm të thesarit të mbretit. 14 Meqenëse ne hamë kripën e pallatit mbretëror dhe nuk na duket e ndershme të shohim poshtërimin e mbretit, po i dërgojmë këto lajme mbretit, 15 që të kërkojë nëpër shkresat e etërve të tij. Në ato shkresa do të gjejë dhe do ta kuptojë se ky qytet është qytet kryengritës, i dëmshëm për mbretërit dhe për krahinat dhe se aty nxiten kryengritje që në kohët e lashta. Për këtë arsye u shkatërrua qyteti. 16 I bëjmë me dije mbretit se nëse ky qytet rindërtohet e nëse muret e tij ringrihen, nuk do të ketë më zotërime në krahinën përtej lumit».

17 Mbreti dërgoi këtë përgjigje: «Rehumit, qeveritarit, Shimshait, shkruesit, dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tyre, që banojnë në Samari dhe në pjesën tjetër të krahinës përtej lumit: Paqe! Tani, 18 letra që na dërguat u lexua me kujdes para meje. 19 Dhashë urdhër ta shqyrtojnë çështjen dhe u pa se ky qytet ka ngritur krye kundër mbretërve që në kohët e lashta dhe se në të ka pasur gjithnjë kryengritje e kundërshti. 20 Në Jerusalem ka pasur mbretër të fuqishëm që kanë sunduar mbi gjithë krahinën përtej lumit dhe të cilëve u paguheshin detyrime, tagra e tatime. 21 Prandaj, jepuni urdhër këtyre njerëzve të ndërpresin punimet dhe ky qytet të mos rindërtohet pa dhënë urdhër unë. 22 Bëni kujdes të mos e lini pas dore këtë çështje, që të mos shtohet dëmi në kurriz të mbretërve».

23 Sapo kopja e letrës së mbretit Artakserks u lexua para Rehumit, Shimshait, shkruesit, dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ata shkuan me nxitim në Jerusalem te judenjtë dhe i detyruan me forcën e armëve të ndërpritnin punimet. 24 Kështu, puna për ndërtimin e tempullit të Perëndisë në Jerusalem u ndërpre dhe nuk u krye asnjë punim deri në vitin e dytë të mbretërimit të Darit, mbretit të Persisë.


 *4.6 he. Ahashverushit

 *4.7 he. Artahshastaut