Ezra 1

Vendimi i Kirit

Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë, për të përmbushur atë që kishte thënë përmes Jeremisë, Zoti e nxiti shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, të shpallte në mbarë mbretërinë e tij këtë vendim të shkruar: «Kështu thotë Kiri, mbreti i Persisë: Zoti, Perëndia i qiellit, më ka dhënë të gjitha mbretëritë e tokës dhe më ka urdhëruar të ndërtoj për të një tempull në Jerusalem të Judës. Kush nga ju i përket popullit të tij, Zoti, Perëndia i tij qoftë me të! Le të kthehet në Jerusalem të Judës dhe të ndërtojë tempullin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, Perëndisë që është në Jerusalem. Të gjithë ata që kanë mbetur gjallë prej këtij populli, kudo qofshin, le të ndihmohen nga njerëzit e vendeve, ku ata banojnë, me ar e me argjend, me pasuri, me bagëti e me dhurata, për të ndërtuar tempullin e Perëndisë në Jerusalem».

Atëherë krerët e vëllazërive të Judës e të Benjaminit, priftërinjtë e levitët, si dhe të gjithë ata që Perëndia i kishte frymëzuar në shpirt, u ngritën e u nisën për të ndërtuar tempullin e Zotit në Jerusalem. Të gjithë fqinjët i ndihmuan me sende argjendi, me ar, me pasuri, me bagëti e me gjëra të çmuara, bashkë me të gjitha dhuratat vullnetare. Edhe mbreti Kir nxori të gjitha enët e tempullit të Zotit që Nabukodonosori kishte marrë prej Jerusalemit e i kishte vënë në tempullin e perëndisë së vet. Kiri, mbreti i Persisë, ia dorëzoi ato Mitredatit, thesarmbajtësit, e ky ia dha me numër Sheshbacarit, princit të Judës. Ja numri i tyre: tridhjetë legenë ari, një mijë legenë argjendi, njëzet e nëntë thika, 10 tridhjetë kupa ari, katërqind e dhjetë kupa argjendi dhe një mijë enë të tjera. 11 Tërë enët prej ari e prej argjendi ishin pesë mijë e katërqind. Të gjitha këto Sheshbacari i mori me vete, kur të mërguarit u kthyen nga Babilonia në Jerusalem.