Dalja 9

Ndëshkimi i pestë

Zoti i tha Moisiut: «Shko fol me faraonin e thuaji: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: lëre popullin tim të shkojë e të më shërbejë! Nëse nuk e lë, por e pengon, dora e Zotit do të godasë me murtajë të rëndë bagëtitë e tua në fushë, kuajt, gomarët, devetë, lopët e delet. Zoti do të bëjë dallim mes bagëtive të Izraelit dhe bagëtive të Egjiptit, që asgjë të mos e prekë gjënë e izraelitëve. Zoti e ka caktuar kohën. Nesër do ta bëjë këtë gjë mbi tokë!”». Të nesërmen Zoti e bëri këtë gjë dhe tërë bagëtitë e egjiptianëve ngordhën. Prej bagëtive të izraelitëve nuk ngordhi asnjë. Faraoni dërgoi njerëz për të parë dhe ja, asnjë nga bagëtitë e izraelitëve nuk kishte ngordhur. Por faraoni u tregua kokëfortë dhe nuk e la popullin të shkojë.

Ndëshkimi i gjashtë

Atëherë Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Mbushini duart me hirin e furrës dhe Moisiu ta hedhë në ajër para faraonit. Një pluhur i imët do të përhapet mbi mbarë tokën e Egjiptit. Atëherë njerëz e kafshë në tërë Egjiptin do të mbulohen me çibanë e lunga». 10 Kështu, ata morën hi dhe qëndruan para faraonit. Moisiu e hodhi në ajër dhe njerëzit e kafshët u mbuluan me çibanë e lunga. 11 Madje as magjistarët nuk mund të përballeshin më me Moisiun, sepse çibanët i kishin mbuluar edhe ata vetë bashkë me mbarë Egjiptin. 12 Por Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit dhe ai nuk i dëgjoi, siç Zoti i kishte thënë Moisiut.

Ndëshkimi i shtatë

13 Zoti i tha Moisiut: «Ngrihu herët në mëngjes, dil para faraonit e thuaji: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: lëre popullin tim të shkojë e të më shërbejë, 14 se kësaj here do t’i lëshoj të gjitha gjëmat jo vetëm mbi shërbëtorët dhe popullin tënd, por edhe mbi ty, që ta dish se askush nuk është si unë në mbarë tokën. 15 Po të kisha ngritur dorë për të të ndëshkuar me murtajë ty dhe popullin tënd, ti do të ishe zhdukur prej faqes së dheut. 16 Megjithatë të kam mbajtur gjallëd që të të tregoj forcën time e që të shpallet emri im në të gjithë tokën. 17 E ti ende i kundërvihesh popullit tim dhe nuk e lë të shkojë. 18 Ja pra, nesër në këtë kohë do të bëj të bjerë breshër i fortë, një breshër i tillë nuk ka rënë kurrë në Egjipt, qëkurse u formua e deri tani. 19 Prandaj, dërgo njerëz të fusin brenda bagëtitë e tua dhe gjithçka ke në fushë, sepse çdo kafshë apo njeri që mbetet jashtë, do ta zërë breshri e do të vdesë”». 20 Disa nga shërbëtorët e faraonit që patën frikë nga fjala e Zotit i futën brenda shërbëtorët dhe bagëtitë e tyre, 21 por ata që nuk i vunë vesh fjalës së Zotit i lanë shërbëtorët dhe bagëtitë e tyre në fushë.

22 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Ngrije dorën drejt qiellit, që të bjerë breshër mbi tërë tokën e Egjiptit, mbi njerëz, mbi kafshë dhe mbi çdo bimë në fushë!». 23 Moisiu ngriti shkopin drejt qiellit dhe Zoti bëri që qielli të gjëmojë e të shkreptijë dhe të bjerë breshër mbi tokën e Egjiptit. 24 Ra breshër dhe rrufetë çanë qiellin. Një gjë kaq e rëndë nuk ishte parë kurrë në tërë tokën e Egjiptit, që nga fillimet e tij si komb. 25 Breshri goditi tërë tokën e Egjiptit, gjithçka që ishte në fushë, njerëz e kafshë. Çdo bimë e fushës u dëmtua dhe çdo pemë e fushës u thye. 26 Vetëm në tokën e Goshenit, ku banonin izraelitët, nuk ra breshër.

27 Atëherë faraoni thirri Moisiun e Aronin e u tha: «Kësaj here kam bërë faj. Zoti ka të drejtë, ndërsa unë dhe populli im e kemi gabim. 28 Lutjuni Zotit, se nuk durohen më breshri dhe gjëmimet e Perëndisë! Do t’ju lë të shkoni, nuk do t’ju mbaj më». 29 Moisiu i tha: «Sapo të dal nga qyteti do të çoj duart drejt Zotit. Gjëmimet do të pushojnë, nuk do të ketë më breshër e do ta dish se toka i përket Zotit30 Por unë e di se as ti e as shërbëtorët e tu nuk e druajnë ende Zotin Perëndi».

31 Breshri kishte dëmtuar lirin dhe elbin, sepse në atë kohë elbi kishte nxjerrë kallëza e liri kishte lulëzuar. 32 Por gruri e tërshëra nuk ishin dëmtuar, sepse ishin drithëra të vonshëm.

33 Kur u largua nga faraoni e nga qyteti, Moisiu çoi duart drejt Zotit. Atëherë breshri dhe gjëmimet e qiellit pushuan dhe as një pikë shiu nuk ra mbi tokë. 34 Kur pa se shiu, breshri dhe gjëmimet pushuan, faraoni vijoi të mëkatojë. Ai dhe shërbëtorët e tij u treguan kokëfortë. 35 Zemra e tij u ngurtësua dhe nuk i la izraelitët të shkojnë, siç kishte thënë Zoti përmes Moisiut.


 d9.16 ose: të kam ngritur