Dalja 7

Moisiu e Aroni para faraonit

Zoti i tha Moisiut: «Shiko, të kam vënë si perëndi para faraonit, ndërsa Aroni, yt vëlla, do të jetë profeti yt. Thuaji Aronit, vëllait tënd, gjithçka që do të të urdhëroj. Ai të flasë me faraonin, që t’i lërë izraelitët të shkojnë nga toka e Egjiptit. Por unë do ta ngurtësoj zemrën e faraonit, që të shumoj shenjat dhe mrekullitë e mia në tokën e Egjiptit. Ai nuk do t’ju dëgjojë. Atëherë unë do të ngre dorë kundër Egjiptit, do ta gjykoj rëndë e do t’i nxjerr izraelitët, popullin e ushtrinë time, nga toka e Egjiptit. Kur të ngre dorë kundër Egjiptit, për të nxjerrë izraelitët nga mesi i tyre, egjiptianët do ta dinë se unë jam Zoti». Moisiu e Aroni bënë ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti.

Moisiu ishte tetëdhjetë vjeç, ndërsa Aroni ishte tetëdhjetë e tre vjeç kur folën me faraonin. Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Nëse faraoni ju kërkon ndonjë shenjë, thuaji Aronit ta marrë shkopin e ta hedhë para faraonit dhe shkopi do të kthehet në gjarpër». 10 Moisiu e Aroni shkuan te faraoni dhe bënë siç i kishte urdhëruar Zoti. Aroni e hodhi shkopin para faraonit e para shërbëtorëve të tij dhe shkopi u kthye në gjarpër. 11 Atëherë faraoni thirri dijetarët dhe yshtësit. Të njëjtën gjë bënë edhe magjistarët e Egjiptit me shortitë e tyre. 12 Secili hodhi shkopin e vet dhe ata u kthyen në gjarpërinj, por shkopi i Aronit i përpiu shkopinjtë e magjistarëve. 13 Megjithatë, faraoni u tregua kokëfortë dhe nuk i dëgjoi, siç kishte thënë Zoti.

Ndëshkimi i parë

14 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Faraoni është kokëfortë dhe nuk do ta lërë popullin të ikë. 15 Shko në mëngjes te faraoni. Kur ai të dalë nga uji, dili përpara buzë lumit Nil, merr me vete shkopin që u shndërrua në gjarpër 16 dhe thuaji: “Zoti, Perëndia i hebrenjve, më dërgoi te ti që të të them: lëre popullin tim të shkojë në shkretëtirë, që të më shërbejë. Por ti, deri tani, nuk ke dëgjuar. 17 Kështu thotë Zoti: me këtë do ta dish se unë jam Zoti. Ja, unë do ta godas ujin e lumit me shkopin që kam në dorë dhe uji do të shndërrohet në gjak. 18 Peshqit në lumë do të ngordhin, lumi do të qelbet dhe egjiptianëve do t’u vijë ndot të pinë ujë nga lumi”». 19 Zoti i tha Moisiut: «Thuaji Aronit të marrë shkopin dhe të shtrijë dorën mbi ujërat e Egjiptit, mbi lumenj e mbi përrenj, mbi këneta e mbi liqene, që të kthehen në gjak. Mbarë toka e Egjiptit do të bëhet gjak, deri edhe uji në enët e drurit e të gurit».

20 Moisiu e Aroni bënë siç i kishte urdhëruar Zoti. Ai ngriti shkopin dhe goditi ujin e lumit para faraonit e shërbëtorëve të tij. Atëherë i tërë lumi u shndërrua në gjak. 21 Peshqit e lumit ngordhën, lumi u qelb dhe egjiptianët nuk mund të pinin më nga lumi. Mbarë toka e Egjiptit u bë gjak. 22 Po kështu bënë edhe magjistarët e Egjiptit me shortitë e tyre. Faraoni u tregua kokëfortë e nuk i dëgjoi, siç kishte thënë Zoti23 Faraoni u kthye e shkoi në shtëpinë e tij dhe nuk e vrau mendjen as për këtë. 24 Tërë Egjipti hapi puse rreth e rrotull lumit, që të kishin ujë për të pirë, se uji i lumit nuk pihej.

Ndëshkimi i dytë

25 Si kaluan shtatë ditë që kur goditi lumin, 26 c Zoti i tha Moisiut: «Shko te faraoni e thuaji: “Kështu thotë Zoti: lëre popullin tim të shkojë, që të më shërbejë! 27 Nëse nuk e lë të shkojë, unë do ta ndëshkoj tërë vendin tënd me bretkosa. 28 Nili do të gëlojë me bretkosa që do të dalin e do të hyjnë në shtëpinë tënde, në dhomën e gjumit, në shtrat, në furra e magje, në shtëpitë e shërbëtorëve të tu e të popullit tënd. 29 Bretkosat do t’ju mbulojnë, ty, popullin tënd dhe tërë shërbëtorët e tu”».


 c7.26-29 të tjerë i rendisin si 8.1-4