Dalja 38

Altari i flive të shkrumbimit

Pastaj bëri altarin e flive të shkrumbimit me dru akacieje. Altari ishte katror, pesë kute i gjatë, pesë kute i gjerë dhe tri kute i lartë. Në të katër këndet e altarit punoi nga një bri. Ata ishin një me altarin dhe të veshur me bronz. Tërë enët e altarit, rrethjet, terplotet, legenët, pirunët e kacitë i bëri prej bronzi. Bëri dhe një skarë prej bronzi dhe e vendosi poshtë, nën buzën e altarit, që të ishte në mes. Derdhi katër rrathë bronzi, një në çdo kënd të skarës për të shkuar shufrat. Shufrat i bëri me dru akacieje dhe i veshi me bronz. Për ta mbartur shkoi shufrat nëpër radhë në krahë të altarit. Altarin e bëri me dërrasa dhe e la të zbrazët brenda.

Legeni

Pastaj bëri legenin dhe bazën e bronzit me pasqyrat e shërbëtoreve që shërbenin në të hyrë të tendës së takimit.

Oborri

Pastaj bëri oborrin. Krahu jugor i oborrit u rrethua me njëqind kute pëlhurë liri të tjerrë hollë 10 dhe me njëzet shtylla e baza bronzi. Grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. 11 Edhe krahu verior u bë njëqind kute i gjatë dhe u rrethua me njëzet shtylla e baza bronzi, ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. 12 Krahu i perëndimit u rrethua me pesëdhjetë kute pëlhurë dhe me dhjetë shtylla e baza bronzi. Ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. 13 Edhe krahu lindor u bë pesëdhjetë kute i gjatë. 14 Ky krah kishte pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në njërën anë të hyrjes 15 dhe pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në anën tjetër të hyrjes. 16 Tërë pëlhurat që rrethonin oborrin ishin prej liri të tjerrë hollë. 17 Bazat e shtyllave ishin prej bronzi, ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. Kokat e shtyllave ishin të lyera me argjend dhe tërë shtyllat e oborrit u mbërthyen me shtiza të argjendta. 18 Perdja e hyrjes së oborrit u bë njëzet kute e gjatë. Ajo u punua prej liri të tjerrë hollë dhe u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 19 Kishte katër shtylla dhe baza bronzi. Grremçat ishin prej argjendi dhe kokat e shtyllave bashkë me shtizat ishin të lyera me argjend. 20 Tërë kunjat e tendës dhe të oborrit përreth ishin prej bronzi.

Lista e materialeve

21 Ky është regjistri i tendës së dëshmisë që u bë nga levitët me urdhër të Moisiut. Ai u bë nën kujdesin e Itamarit, birit të priftit Aron.

22 Becaleli, biri i Uriut, prej fisit të Judës, bëri gjithçka që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut. 23 Atë e ndihmoi Oholiabi, biri i Ahisamakut, prej fisit të Danit. Ai ishte mjeshtër i gdhendjes dhe i qëndisjes së pëlhurës së lirit të hollë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur.

24 Një mijë kilogramë ar, sipas peshës së shenjtërores, u kushtua si fli lartësimi dhe u përdor për tërë punët e shenjtërores. 25 Tre mijë e katërqind e tridhjetë kilogramë argjend, sipas peshës së shenjtërores, u mblodhën nga regjistrimi i bashkësisë. 26 Pagesa për kokë ishte gjysmë sikle, sipas peshës së shenjtërores, për këdo që ishte njëzet vjeç e lart. Gjithsej ishin gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë veta. 27 Tre mijë e katërqind kilogramë argjend u përdorën për të derdhur njëqind bazat e shenjtërores dhe të velit, tridhjetë e katër kilogramë për çdo bazë. 28 Tridhjetë kilogramë argjend u përdorën për të bërë grremçat e shtyllave, për të lyer kokat e shtyllave dhe shtizat.

29 Dy mijë e katërqind e njëzet e pesë kilogramë bronz u kushtuan si fli lartësimi. 30 Me to u bënë bazat e hyrjes së tendës së takimit, altari i bronzit, skara që ishte në të, tërë enët e altarit, 31 bazat e oborrit përreth, bazat e hyrjes së oborrit, tërë kunjat e tendës dhe tërë kunjat e oborrit përreth.