Dalja 36

«Kështu, Becaleli, Oholiabi dhe tërë ata të cilëve Zoti u dha urti e dituri për të kryer çdo punë në ndërtimin e shenjtërores, do të bëjnë gjithçka që ka urdhëruar Zoti».

Dhuratat për shenjtëroren

Atëherë Moisiu thirri Becalelin, Oholiabin dhe çdo njeri të cilit Zoti i kishte dhënë urti dhe që ishte treguar i gatshëm të punonte. Ata i morën nga Moisiu tërë dhuratat që izraelitët kishin sjellë për të ndërtuar shenjtëroren. Por populli vazhdoi të kushtonte vullnetarisht mëngjes për mëngjes. Prandaj, secili nga mjeshtrat që po ndërtonte shenjtëroren, u kthye nga puna dhe i tha Moisiut: «Populli po sjell më shumë se ç’duhet për punën që Zoti urdhëroi të bëhet». Atëherë Moisiu dha urdhër dhe lajmi u përhap në fushim që asnjë burrë apo grua, të mos dhurojë më për ndërtimin e shenjtërores. Kështu, populli ndaloi së dhuruari, sepse ato që kishin sjellë ishin më se të mjaftueshme për tërë punën.

Ndërtimi i tendës

Atëherë tërë punëtorët mjeshtra e bënë tendën me dhjetë pëlhura liri të tjerra hollë. Ajo u punua me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur e u qëndis mjeshtërisht me kerubë. Çdo pëlhurë ishte njëzet e tetë kute e gjatë dhe katër kute e gjerë. Të gjitha pëlhurat kishin të njëjtat përmasa.

10 Pesë nga pëlhurat u qepën me njëra-tjetrën si një copë e vetme, po kështu u bë edhe me pesë të tjerat. 11 Pastaj punuan vjegëza me ngjyrë vjollcë në anën e fundit të njërës copë dhe po kështu u bënë në anën e copës tjetër. 12 Pesëdhjetë vjegëza u bënë në njërën copë dhe pesëdhjetë në anën e copës tjetër. Vjegëzat e të dyja copave përkonin me njëra-tjetrën. 13 Punuan edhe pesëdhjetë grremça të artë, që të mbërthenin me to copat me njëra-tjetrën. Kështu, tenda u bë njëcopëshe.

14 Pastaj bënë një mbulesë me njëmbëdhjetë pëlhura me lesh dhie për ta vënë mbi tendë. 15 Çdo pëlhurë ishte tridhjetë kute e gjatë dhe katër kute e gjerë. Të njëmbëdhjetë pëlhurat kishin të njëjtat përmasa. 16 Pesë nga pëlhurat u qepën si një copë e vetme dhe po kështu u bë me gjashtë të tjerat. 17 Pesëdhjetë vjegëza u bënë në fundin e njërës copë dhe po pesëdhjetë u bënë në fundin e copës tjetër. 18 Punuan edhe pesëdhjetë grremça bronzi për të mbërthyer tendën që ajo të ishte njëcopëshe. 19 E mbuluan tendën me lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe dhe mbi të vunë një mbulesë tjetër me lëkurë të çmuar.

20 Pastaj bënë dërrasat e tendës me dru akacieje dhe i ngulën drejt. 21 Çdo dërrasë ishte dhjetë kute e gjatë dhe një kut e gjysmë e gjerë. 22 Dërrasat kishin nga dy kunja që të mbërtheheshin me njëra-tjetrën. Kështu u punuan tërë dërrasat e tendës. 23 Njëzet u vunë në krahun jugor. 24 Dyzet baza argjendi u punuan që të viheshin poshtë këtyre njëzet dërrasave. Dy baza për çdo dërrasë, një bazë për çdo kunj. 25 Edhe në krahun tjetër të tendës, atë të veriut, u vunë njëzet dërrasa 26 dhe dyzet baza argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë. 27 Ndërsa në krahun e pasmë, atë të perëndimit, vunë gjashtë dërrasa. 28 Pastaj bënë dy dërrasa për këndet e krahut të pasmë të tendës. 29 Ato ishin të ndara poshtë, por të bashkuara sipër me një rreth. Kështu u bë me dërrasat e të dyja këndeve. 30 Gjithsej ishin tetë dërrasa dhe gjashtëmbëdhjetë baza prej argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë.

31 Pastaj bënë traversa me dru akacieje: pesë traversa për dërrasat e njërit krah të tendës, 32 pesë traversa për dërrasat a krahut tjetër dhe pesë traversa për dërrasat e krahut të pasmë, atë të perëndimit. 33 Traversa e mesit, ajo që është në mes të dërrasave, ishte e gjatë nga cepi në cep. 34 Dërrasat e traversat u praruan dhe u bënë rrathë të artë për të mbajtur traversat.

35 Pastaj bënë një vel prej liri të tjerrë hollë. Veli u punua me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur dhe u qëndis mjeshtërisht me kerubë. 36 Për velin bënë katër shtylla me dru akacieje. Shtyllat u praruan dhe vunë grremça të artë. Pastaj shkrinë katër baza të argjendta për to. 37 Në hyrje të tendës bënë një perde prej liri të tjerrë hollë. Ajo u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur. 38 Për perden bënë pesë shtylla me grremça. Kokat e shtyllave e shtizat i praruan, ndërsa bazat i bënë bronzi.