Dalja 35

Dita e shtunë

Moisiu e mblodhi tërë bashkësinë e Izraelit e i tha: «Këto janë gjërat që Zoti ka urdhëruar të bëhen: “Gjashtë ditë do të punohet, por dita e shtatë do të jetë e shenjtë, ditë pushimi për nder të Zotit. Kush bën punë në këtë ditë, të dënohet me vdekje. Ditën e shtunë nuk do të ndezësh as zjarr në vatër”».

Përgatitja e tendës

Pastaj Moisiu i tha tërë bashkësisë së Izraelit: «Ja çfarë urdhëron Zoti“Kushtojini Zotit dhurata. Kushdo që jep me gjithë zemër, t’i sjellë Zotit ar, argjend, bronz, lesh me ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur, pëlhurë liri e lesh dhie, lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe, lëkurë të çmuar, dru akacieje, vaj për ndriçim, erëra të mira për vajin e vajosjes dhe për temjanin erëkëndshëm, gurë oniksi dhe gurë të tjerë për të stolisur efodin dhe parzmoren.

10 Tërë mjeshtrat mes jush të vijnë e të bëjnë gjithçka që urdhëroi Zoti11 tendën bashkë me mbulesat, grremçat, dërrasat, traversat, shtyllat e bazat; 12 arkën bashkë me shufrat, pajtimoren e velin ndarës; 13 tryezën bashkë me shufrat, tërë enët përkatëse e bukën e paraqitjes; 14 shandanin që ndriçon bashkë me tërë enët përkatëse, llambat e vajin; 15 altarin e temjanit bashkë me shtyllat, vajin për vajosje e temjanin erëkëndshëm; perden e hyrjes së tendës; 16 altarin e flive të shkrumbimit bashkë me skarën prej bronzi, shufrat e enët përkatëse; legenin bashkë me bazën; 17 pëlhurat e oborrit bashkë me shtyllat, bazat e perden e hyrjes; 18 kunjat e tendës e të oborrit bashkë me litarët; 19 dhe rrobat e endura që përdoren për të shërbyer në shenjtërore, rrobat e shenjta të priftit Aron e rrobat e bijve të tij që shërbejnë si priftërinj”».

20 Pastaj tërë bashkësia e Izraelit u largua nga Moisiu. 21 Atëherë të gjithë ata që ishin të gatshëm e dorëdhënë sollën dhurata për Zotin, që të përdoreshin për tendën e takimit gjatë shërbesës dhe për rrobat e shenjta. 22 Burra e gra erdhën e kushtuan me gjithë zemër kapëse, vathë, unaza, varëse dhe çdo send të artë si fli lartësimi për Zotin23 Kush kishte lesh me ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur, pëlhurë liri dhe lesh dhie, lëkurë dashi të ngjyrosur me të kuqe dhe lëkurë të çmuar, i solli. 24 Kush mund të kushtonte dhurata argjendi e bronzi i dhuroi për Zotin. Kush kishte dru akacieje që hynte në punë, e solli. 25 Çdo grua e aftë tori lesh dhe solli pëlhurë liri e fill me ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 26 Të gjitha ato që ishin të gatshme të përdornin aftësitë e tyre, torën lesh dhie. 27 Krerët sollën gurë oniksi, gurët që stolisin efodin dhe parzmoren, 28 erërat e mira dhe vajin që përdoret për llambat, për vajin e vajosjes dhe për temjanin erëkëndshëm. 29 Kështu, tërë burrat e gratë e Izraelit që u treguan të gatshëm të jepnin për punën që Zoti kishte urdhëruar të bëhej përmes Moisiut, i kushtuan vullnetarisht për Zotin.

Punëtorët e shenjtërores

30 Moisiu u tha izraelitëve: «Shikoni! Zoti e ka thirrur me emër Becalelin, birin e Urit, të nipin e Hurit, prej fisit të Judës. 31 E ka mbushur me shpirtin e Perëndisë, me urti, me dituri, me njohuri dhe me çdo lloj mjeshtërie, 32 që të mbikëqyrë punimet e arit, argjendit e bronzit, 33 të gdhendë drurët e gurët që duhen dhe të bëjë çdo gjë. 34 Becalelit e Oholiabit, birit të Ahisamakut, prej fisit të Danit, Zoti u dha aftësinë për të mësuar të tjerët. 35 Ai u dha aftësi për të punuar çdo gjë që gdhendet, që kërkon mjeshtëri, që qëndiset e që endet me li të hollë e me lesh ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur. Ata janë të aftë të bëjnë çdo punë e mjeshtëri».