Dalja 30

Altari i temjanit

«Bëj një altar për të djegur temjan. Punoje me dru akacieje. Bëje katror, një kut të gjatë, një kut të gjerë dhe dy kute të lartë. Brirët të jenë një me altarin. Praroji me ar të pastër pjesën e sipërme, anët përqark dhe brirët. Punoji një kornizë të artë përreth dhe poshtë saj bëj nga dy rrathë të artë në të dyja anët. Vendosi në të dy krahët e altarit, që të futen shufrat për ta mbartur. Punoji shufrat me dru akacieje dhe praroji. Vendose altarin para velit që ndan arkën e dëshmisë dhe pajtimoren mbi të. Atje do të të takoj. Aroni të djegë temjan erëkëndshëm mbi të. Këtë ta bëjë çdo mëngjes kur përgatit llambat e shandanit dhe çdo mbrëmje kur i ndez ato. Kështu, do të digjet përherë temjan para Zotit, brez pas brezi. Mos kushtoni çfarëdolloj temjani mbi të, as fli shkrumbimi, as fli drithi e as fli stërpikjeje. 10 Një herë në vit, Aroni do t’i lyejë brirët e altarit me gjak, që altari të shlyhet me gjakun e flisë për mëkatin që bëhet një herë në vit për shlyerjen e mëkatit. Kjo të bëhet brez pas brezi. Altari është tejet i shenjtë për Zotin».

Regjistrimi i popullsisë

11 Zoti i tha Moisiut: 12 «Kur të regjistrosh numrin e izraelitëve, secili t’i paguajë Zotit shpagim për jetën e vet. Kështu nuk do të dënoheni me plagë kur të bëhet numërimi. 13 Ata që regjistrohen do të japin gjysmë sikle argjendi, gjashtë gramë sipas peshës së shenjtërores. Kjo do t’i kushtohet Zotit si dhuratë. 14 Të gjithë të regjistruarit nga njëzet vjeç e lart do t’i kushtojnë Zotit këtë dhuratë. 15 I pasuri të mos japë më shumë e as i varfri më pak se gjysmë sikle. Ato kushtojani si dhuratë Zotit për të shlyer jetën tuaj. 16 Merre shumën e shlyerjes nga izraelitët dhe vëre në shërbim të tendës së takimit. Kjo do t’iu shërbejë si përkujtimore para Zotit dhe si shlyerje për jetën e tyre».

Legeni

17 Zoti i tha Moisiut: 18 «Bëj një legen bronzi me bazë bronzi që të përdoret për të larë. Vendose mes tendës së takimit e altarit dhe mbushe me ujë. 19 Aroni me bijtë e tij ta përdorin për të larë duart e këmbët. 20 Ata të lahen me ujë, që të mos vdesin kur të hyjnë në tendën e takimit ose kur t’i afrohen altarit për të shkrumbuar fli zjarri për Zotin21 T’i lajnë duart e këmbët që të mos vdesin. Ky është rregull i përhershëm për Aronin dhe pasardhësit e tij, brez pas brezi».

Vaji dhe temjani

22 Zoti i tha Moisiut: 23 «Nga erëzat më të mira merr: pesëqind sikla mirrë, dyqind e pesëdhjetë sikla kanellë erëkëndshme, dyqind e pesëdhjetë sikla kallam erëkëndshëm, 24 pesëqind sikla kasi, sipas peshës së shenjtërores, dhe katër litra vaj ulliri. 25 Përgatit me to vajin e shenjtë të vajosjes, që të jetë një parfum i përzier me mjeshtëri. Ky do të jetë vaji i shenjtë për vajosje. 26 Me të vajos tendën e takimit, arkën e dëshmisë, 27 tryezën me enët përkatëse, shandanin me pajisjet përkatëse, altarin e temjanit, 28 altarin e flive të shkrumbimit me enët përkatëse dhe legenin bashkë me bazën. 29 Shenjtëroji dhe ato do të jenë tejet të shenjta. Kushdo që i prek do të shenjtërohet. 30 Vajose edhe Aronin me bijtë e tij, shenjtëroji, që të më shërbejnë si priftërinj. 31 Ndërsa izraelitëve thuaju: “Ky është vaji im i shenjtë që përdoret për vajosje brez pas brezi. 32 Prandaj mos e përdorni për të vajosur këdo dhe as mos përgatitni vaj me të njëjtën përmbajtje. Ai është vaj i shenjtë dhe ju, duhet ta mbani si të tillë. 33 Kush përgatit një vaj të tillë apo e përdor për të vajosur dikë që nuk është prift do të zhbihet prej popullit”».

34 Zoti i tha Moisiut: «Merr këto erëra të mira: storaks, guaska aromatike e galban. Merr të njëjtën sasi për secilën dhe përzieje me kem të pastër. 35 Përgatit me to temjanin që të jetë një parfum i përzier me mjeshtëri, i kripur, i pastër dhe i shenjtë. 36 Thërrmoje një pjesë dhe bëje pluhur që ta vendosësh para dëshmisë, në tendën e takimit ku unë do të të takoj. Temjani të jetë tejet i shenjtë për ju. 37 Prandaj, mos përgatitni për vete temjan të tillë, sepse është i shenjtë për Zotin38 Kush përgatit një temjan të tillë për t’i mbajtur erë, të zhbihet prej popullit».