Dalja 28

Të krishterë, thjesht sa për emër?

“Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin.”
Jeremia 2:13
Më shumë në app

Rrobat e priftërinjve

«Thirr prej izraelitëve Aronin, vëllanë tënd, bashkë me Nadabin, Abihuin, Eleazarin dhe Itamarin, bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj. Puno rroba të shenjta për Aronin, vëllanë tënd, që të jenë të hijshme e plot madhështi. Fol me tërë mjeshtrat, të cilët i kam mbushur me shpirtin e urtisë, që të bëjnë rrobat e Aronit kur të shenjtërohet si prift për mua. Këto janë rrobat që do të bëjnë: një parzmore, një efod, një petk, një tunikë të thurur, një kësulë dhe një brez. Të bëjnë rroba të shenjta për Aronin, vëllanë tënd, dhe për bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj. Mjeshtrat të përdorin ar, pëlhurë liri dhe fije me ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur.

Efodi

Efodin bëje me ar dhe me pëlhurë liri të tjerrë hollë, të qëndisur mjeshtërisht me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Të ketë dy supore të lidhura në të dyja anët. Rripi mbi efod të punohet nga e njëjta copë dhe ashtu si efodi, të punohet me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Merr dy gurë oniksi dhe gdhend në ta emrat e bijve të Izraelit. 10 Gdhendi sipas moshës, gjashtë emra në njërin gur dhe gjashtë në gurin tjetër. 11 Gdhendi mjeshtërisht emrat e bijve të Izraelit në të dy gurët dhe përshkoji me filigran të artë. 12 Vendosi të dy gurët mbi suporet e efodit që të jenë si përkujtimore për bijtë e Izraelit. Kështu Aroni do t’i mbartë emrat e bijve të Izraelit mbi të dyja suporet si përkujtimore para Zotit13 Puno filigran të artë 14 dhe dy varëse me ar të pastër. Varëset të jenë të thurura me njëra-tjetrën dhe të mbërthehen me filigranët e artë.

Parzmorja

15 Qëndise parzmoren e gjykimit me mjeshtëri siç qëndise edhe efodin. Punoje me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 16 Të jetë e palosur më dysh dhe katrore, një pëllëmbë e gjatë e një pëllëmbë e gjerë. 17 Në të vër katër radhë me gurë të çmuar. Në radhën e parë vër rubin, topaz dhe smerald. 18 Në radhën e dytë vër granat, safir dhe diamant. 19 Në radhën e tretë vër hiacint, kalcedon dhe ametist. 20 Në radhën e katërt vër topaz, oniks dhe diaspër. Gurët e çmuar të mbërthehen në filigran të artë. 21 Gjithsej dymbëdhjetë gurë të çmuar sipas bijve të Izraelit. Emri i çdo fisi të gdhendet mbi çdo gur. 22 Parzmores bëji varëse të gërshetuara prej ari të pastër. 23 Bëj dy rrathë të artë dhe vendosi në të dyja anët e parzmores. 24 Në to mbërthe të dyja varëset e arta. 25 Dy anët e tjera të varëseve mbërtheji te dy filigranët dhe lidhi me suporet e efodit me krah përpara. 26 Bëj dy rrathë të artë dhe vendosi në të dyja cepat e parzmores, në anën e brendshme të saj, përballë efodit. 27 Bëj edhe dy rrathë të tjerë të artë dhe vendosi përpara efodit, në fund të suporeve, pranë vendit ku ato puqen, sipër rripit të efodit. 28 Lidhi rrathët e parzmores me ato të efodit me një shirit ngjyrë vjollcë, që parzmorja të jetë sipër rripit dhe të mos lëvizë prej efodit. 29 Kështu, kur të hyjë në shenjtërore, Aroni do të mbartë në zemër emrat e bijve të Izraelit të gdhendur në parzmoren e gjykimit si një përkujtimore të përhershme para Zotit30 Brenda parzmores së gjykimit vendos Urimët e Tumimët, që Aroni t’i ketë në zemër kur të dalë para Zotit. Kështu, ai do të mbartë përherë në zemër mjetet për t’u shpallur vendime bijve të Izraelit në prani të Zotit.

Petku

31 Petkun poshtë efodit punoje të tërin me pëlhurë ngjyrë vjollcë. 32 Në mes hapi një grykë për të futur kokën. Qepi një buzë përreth porsi jakë, që të mos griset. 33 Puno shegë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur dhe vari rreth e qark fundit të petkut. Vër këmbanëza të arta ndërmjet. 34 Vari me radhë, një këmbanëz të artë, një shegë, rreth e qark fundit të petkut. 35 Aroni ta veshë gjatë shërbesës, që kur të hyjë në shenjtërore, para Zotit, dhe të dalë prej saj, këmbanëzat të kumbojnë dhe ai të mos vdesë.

36 Puno një pllakëz me ar të pastër dhe në të gdhend: “I shenjti i Zotit”. 37 Lidhe para kësulës me një shirit ngjyrë vjollcë. 38 Do të jetë mbi ballin e Aronit, që ai të mbartë fajin e izraelitëve kur të kushtojnë dhuratat e shenjta. Do ta ketë përherë në ballë, që ato të pranohen para Zotit.

Tunika dhe rroba të tjera

39 Tunikën e kësulën punoje prej liri, ndërsa brezin qëndise. 40 Bëj tunika, breza dhe kësulëza për bijtë e Aronit që të jenë të hijshme e plot madhështi. 41 Vishja rrobat Aronit, vëllait tënd, dhe bijve të tij. Vajosi, shuguroji dhe shenjtëroji që të më shërbejnë si priftërinj.

42 Bëju mbathje të linjta që të mbulojnë lakuriqësinë që nga mesi deri te kofshët. 43 Kur të shkojnë në tendën e takimit ose kur t’i afrohen altarit për të shërbyer në shenjtërore, Aroni e bijtë e tij t’i veshin që të mos bien në faj e të vdesin. Ky të jetë një rregull i përhershëm për Aronin dhe pasardhësit e tij».