Dalja 25

Dhurata për tendën

Zoti i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve të më kushtojnë dhurata. Pranoni dhuratat e kujtdo që i jep me gjithë zemër. Këto do të pranosh prej tyre: ar, argjend, bronz, lesh me ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur, pëlhurë liri dhe lesh dhie, lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe, lëkurë të çmuar, dru akacieje, vaj për ndriçim, erëra të mira për vajin e vajosjes dhe për temjanin erëkëndshëm, gurë oniksi dhe gurë të tjerë për të stolisur efodin dhe parzmoren. Të bëjnë një shenjtërore për nderin tim dhe unë do të banoj mes tyre. Tendën dhe tërë sendet përkatëse bëjini sipas gjedheve që po të tregoj.

Arka e dëshmisë

10 Të bëjnë një arkë me dru akacieje, dy kute e gjysmë e gjatë, një kut e gjysmë e gjerë dhe një kut e gjysmë e lartë. 11 Praroje me ar të pastër si brenda dhe jashtë. Punoji një kornizë të artë përreth. 12 Shkrij katër rrathë të artë dhe vendosi në të katërt këmbët e arkës, dy në njërin krah dhe dy në krahun tjetër. 13 Puno shufra me dru akacieje dhe praroji. 14 Pastaj kaloji shufrat nëpër rrathë, në krahë të arkës, për ta mbartur. 15 Shufrat të jenë gjithmonë brenda në rrathë e mos i lëvizni që andej. 16 Brenda në arkë do të vendosësh dëshminë që do të të jap.

17 Puno një kapak prej ari të pastër. Kjo është pajtimorja. Bëje dy kute e gjysmë të gjatë dhe një kut e gjysmë të gjerë. 18 Puno dy kerubë të artë. Ata do t’i farkëtosh në të dyja skajet e pajtimores. 19 Njëri të jetë në njërin skaj dhe tjetri në skajin tjetër. Kerubët të jenë një me pajtimoren në të dyja skajet e saj. 20 Krahët t’i kenë të shtrirë lart që të mbulojnë pajtimoren me to. Të jenë përballë njëri-tjetrit dhe me fytyrë nga pajtimorja. 21 Kapakun e pajtimores vendose mbi arkë, ndërsa në arkë vendos dëshminë që do të të jap. 22 Aty mbi pajtimore, mes dy kerubëve që janë mbi arkën e dëshmisë, do të takohem me ty dhe do të të jap tërë urdhërimet për izraelitët.

Tryeza e bukëve të kushtuara

23 Puno një tryezë me dru akacieje, dy kute të gjatë, një kut të gjerë dhe një kut e gjysmë të lartë. 24 Praroje me ar të pastër dhe bëji përreth një kornizë të artë. 25 Vër përreth tryezës një buzë, një pëllëmbë të gjerë dhe përreth buzës bëj një kornizë të artë. 26 Puno katër rrathë të artë dhe vendosi në të katër këndet e tryezës, nga një për çdo këmbë. 27 Ato të jenë pranë buzës së tryezës, që shufrat të kalohen për të mbartur tryezën. 28 Punoji shufrat me dru akacieje dhe praroji. Me to do të mbartësh tryezën. 29 Tasat, kupat, kanat dhe brokat e tryezës që përdoren për fli stërpikjeje bëji prej ari të pastër. 30 Mbi tryezë vendos përherë bukë të kushtuara për mua.

Shandani

31 Puno një shandan me ar të pastër. Baza dhe trungu i shandanit të farkëtohen. Kupat, sythat dhe fletët të jenë një me shandanin. 32 Nga trungu i shandanit të dalin gjashtë degë: tre nga një anë dhe tre nga ana tjetër. 33 Dega e parë të ketë tri kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë, sikurse edhe dega e dytë dhe kështu me radhë të gjashtë degët që dalin nga shandani. 34 Trungu i shandanit të ketë katër kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë. 35 Puno një syth poshtë dy degëve të para që dalin nga trungu, një syth tjetër poshtë dy degëve të dyta dhe kështu me radhë për gjashtë degët që dalin nga shandani. 36 Sythat dhe degët të jenë një me shandanin. I tëri të farkëtohet si një trup i vetëm prej ari të pastër. 37 Bëji shtatë llamba dhe vëri që të ndriçojnë vendin përpara. 38 Mashat dhe kacitë e shandanit të jenë prej ari të pastër. 39 Për të punuar shandanin dhe tërë këto enë të përdoren tridhjetë e pesë kilogramë ar i pastër. 40 Bëj kujdes t’i punosh sipas gjedhes që po të tregohet në mal».