Dalja 22

Nëse vjedhësi vritet duke vjedhur, i zoti i shtëpisë do të jetë i pafajshëm, por nëse kjo ndodh gjatë ditës, të dënohet.

Vjedhësi të paguajë patjetër dëmshpërblim. Nëse nuk ka me se të paguajë, të shitet si skllav për vjedhjen. Nëse vjedhësit i kapen gjallë kafshët e vjedhura si qetë, gomarët dhe delet, të paguajë dyfish dëmshpërblim.

Kur dikush kullot bagëtinë dhe ajo kalon në arën ose vreshtin e tjetrit dhe e shkreton atë, i zoti i bagëtisë të paguajë dëmshpërblim me pjesën më të mirë të arës dhe vreshtit që ka.

Kur dikush ndez zjarr dhe zjarri përhapet përmes ferrave e djeg duaj, grurë ose tërë arën, fajtori të paguajë dëmshpërblim të plotë.

Kur dikush i lë mikut para apo ndonjë send tjetër për t’i ruajtur e këto vidhen nga shtëpia e tij, nëse vjedhësi kapet, të paguajë dyfish dëmshpërblim. Nëse vjedhësi nuk kapet, atëherë i zoti i shtëpisë të sillet para Perëndisë që të tregojë në ka vënë dorë apo jo mbi pronën e tjetrit. Në çdo mosmarrëveshje, ku njëra palë ka pretendime qoftë për ka, gomar, dele, rrobë apo për çdo gjë të humbur, të dyja palët të sillen para Perëndisë. Atë që Perëndia nxjerr fajtor, të paguajë dyfish dëmshpërblim.

Kur dikush i lë mikut gomarin, kaun, delen, ose çdo lloj kafshe për t’i ruajtur e ato ngordhin, gjymtohen ose grabiten pa patur ndonjë dëshmitar, 10 ai të betohet para Zotit nëse ka vënë dorë apo jo në pronën e tjetrit. Atëherë i zoti i kafshës të pranojë betimin dhe të mos kërkojë dëmshpërblim. 11 Nëse kafsha i vidhet, t’i paguajë dëmshpërblim të zotit. 12 Nëse e shqyejnë egërsirat, të sjellë kufomën si dëshmi që të mos paguajë dëmshpërblim.

13 Kur dikush merr hua kafshën e të afërtit dhe ajo gjymtohet ose ngordh, ndërkohë që i zoti nuk është i pranishëm, qiramarrësi të paguajë dëmshpërblim. 14 Nëse i zoti ndodhet aty, atëherë të mos paguajë dëmshpërblim, sepse dëmi përfshihet te qiraja e paguar.

Ligje shoqërore dhe fetare

15 Kur dikush mashtron një vajzë të virgjër, të pafejuar, dhe fle me të, do ta marrë për grua e do t’i paguajë pajën. 16 Edhe nëse i ati i vajzës nuk pranon t’ia japë për grua, ai ta paguajë shumën që kërkohet për pajë.

17 Mos lër gjallë askënd që bën magji.

18 Kush fle me kafshë, të dënohet me vdekje.

19 Kush u flijon fli perëndive të tjerë, përveç Zotit, të shfaroset.

20 Mos e keqtrajto e mos e shtyp të huajin, sepse ju vetë ishit të huaj në tokën e Egjiptit.

21 Mos e mundoni vejushën dhe jetimin. 22 Nëse i mundoni, unë do ta dëgjoj thirrjen e tyre për ndihmë, 23 do të ndizem plot zemërim e do t’ju pres me shpatë, që gratë t’ju mbesin të veja e fëmijët jetimë.

24 Nëse i jep para hua popullit tim, të varfërve mes jush, mos u sillni me ta si huadhënës dhe mos u kërkoni kamatë. 25 Nëse ia merr peng tunikën mikut tënd, ktheja para se të perëndojë dielli, 26 sepse ajo është rroba e vetme me të cilën mbështillet. Me çfarë do të mbulohet kur të flejë? Kur të më thërrasë për ndihmë do ta dëgjoj, se unë jam i mëshirshëm.

27 Mos e shaj Perëndinë dhe mos e mallko prijësin e popullit tënd.

28 Mos vono të kushtosh nga begatia e arës dhe e mokrës. Mua do të më japësh të parëlindurin e bijve të tu.

29 Kështu do të veprosh edhe me qetë e delet. Për shtatë ditë i vogli do të rrijë me të ëmën. Në ditën e tetë do të ma japësh mua.

30 Do të jeni për mua njerëz të shenjtë. Mos e hani mishin e shqyer nga egërsirat në fushë. Hidhjani qenve.