Dalja 20

Dhjetë urdhërimet

Perëndia tha këto fjalë: «Unë, Zoti, jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë.

Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje.

Mos bëj idhull për veten tënde e asgjë të ngjashme me gjërat që janë lart në qiell, poshtë në tokë apo në ujërat e nëndheshme.

Mos i adhuro, as mos u shërbe, sepse unë Zoti, Perëndia yt, jam Perëndi xheloz që ndëshkon paudhësinë e etërve deri në brezninë e tretë e të katërt të bijve të atyre që më urrejnë. Por, jam i mëshirshëm me mijëra që më duan e që zbatojnë ligjin tim.

Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij.

Kujtoje ditën e shtunë dhe shenjtëroje. Gjashtë ditë do të punosh e do të bësh gjithë punët e tua, 10 por dita e shtatë është e shtuna e Zotit, Perëndisë tënd. Mos bëj gjë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote e as i huaji që rri me ty. 11 Sepse në gjashtë ditë Zoti bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka është në to. Ditën e shtatë ai pushoi, prandaj edhe Zoti e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtunë.

12 Ndero atin tënd e nënën tënde, që të kesh jetë të gjatë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt.

13 Mos vrit.

14 Mos bëj tradhti bashkëshortore.

15 Mos vidh.

16 Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërtit tënd.

17 Mos lakmo shtëpinë e tjetrit. Mos lakmo gruan e tij, as shërbëtorin e shërbëtoren e tij, as kaun e gomarin e tij, asgjë që është e tija».

18 Tërë populli i dëgjoi e i pa gjëmimet, vetëtimat, jehonën e bririt dhe malin në tym, u drodh nga frika dhe qëndroi larg. 19 Atëherë i thanë Moisiut: «Fol ti me ne e ne do të dëgjojmë. Të mos na flasë Perëndia, përndryshe do të vdesim!». 20 Moisiu u tha: «Mos kini frikë! Perëndia erdhi për t’ju sprovuar, që ta druani gjithnjë e të mos mëkatoni». 21 Populli qëndroi larg, ndërsa Moisiu iu afrua resë së errët, ku ishte Perëndia.

Ligji për altarin

22 Zoti i tha Moisiut: «Kështu do t’u thuash izraelitëve: “Ju vetë e patë si ju fola prej qiellit! 23 Mos bëni Perëndi tjetër përkrah meje, as prej argjendi, as prej ari. 24 Më bëj një altar dheu e në të flijo dele e qe si fli shkrumbimi e paqtimi. Në çdo vend ku do të caktoj të nderohet emri im, do të vij për të të bekuar. 25 Nëse më ndërton altar guri, nuk do të përdorësh gurë të latuar, se po e preke me daltë do ta përdhosësh. 26 Mos bëj shkallë për t’u ngjitur tek altari im, që lakuriqësia jote të mos zbulohet mbi të”».