Dalja 17

Ujë nga shkëmbi

Tërë bashkësia e Izraelit u çua nga shkretëtira e Sinit dhe udhëtoi nga një vend në tjetrin, sipas urdhrit të Zotit. Pastaj fushoi në Refidim, por populli nuk kishte ujë për të pirë. Atëherë populli u grind me Moisiun e i tha: «Na jep ujë të pimë!». Moisiu u tha: «Përse grindeni me mua? Përse e tundoni Zotin?». Popullin e kishte zënë etja, prandaj murmuriti kundër Moisiut e tha: «Përse na nxore nga Egjipti? Për të na mbytur nga etja ne, fëmijët dhe bagëtitë tona?». Moisiu i thirri Zotit: «Çfarë të bëj me këtë popull? Edhe pak e do të më vrasin me gurë». Zoti iu përgjigj: «Dil para popullit, merr me vete disa nga pleqtë e Izraelit, merr edhe shkopin me të cilin godite lumin Nil e shko. Ja, unë po qëndroj para teje te shkëmbi i Horebit. Godite shkëmbin që të dalë ujë e populli të pijë». Moisiu veproi kështu para pleqve të Izraelit. Vendi u quajt Masa dhe Meriba, se aty izraelitët u grindën dhe e tunduan Zotin, kur thanë: «A është a s’është Zoti mes nesh?».

Luftë kundër Amalekut

Atëherë erdhi Amaleku për të luftuar kundër Izraelit në Refidim. Moisiu i tha Jozuehut: «Na zgjidh disa burra dhe dil e lufto kundër Amalekut. Nesër unë do të qëndroj majë kodrës me shkopin e Perëndisë në dorë». 10 Jozuehu bëri siç i tha Moisiu e doli për luftë kundër Amalekut. Ndërkohë Moisiu, Aroni e Huri u ngjitën në majë të kodrës. 11 Sa herë që Moisiu ngrinte duart, fitonte Izraeli. Sa herë që i ulte, fitonte Amaleku. 12 Por Moisiut iu lodhën duart. Atëherë ata morën një gur dhe ia vunë që Moisiu të ulej mbi të. Ndërkaq Aroni dhe Huri ia mbanin duart lart, njëri nga njëra anë e tjetri nga ana tjetër. Kështu, duart e Moisiut qëndruan lart deri në perëndim të diellit. 13 Me shpatë në dorë, Jozuehu e mundi Amalekun dhe popullin e tij. 14 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shkruaje këtë në libër që të kujtohet dhe përmendja Jozuehut, se do ta shuaj plotësisht emrin e Amalekut nën qiell». 15 Moisiu ndërtoi një altar dhe e quajti Zoti është flamuri im, 16 sepse tha: «Meqë u ngritën duart drejt fronitg të Zotit, ai do të luftojë kundër Amalekut brez pas brezi».


 g17.16 të tjerë: u lartësuan kundër