Dalja 10

Ndëshkimi i tetë

Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shko te faraoni. Unë e kam ngurtësuar zemrën e tij dhe atë të shërbëtorëve të tij për të dëftuar shenjat e mia mes tyre, që t’i tregosh birit e nipit tënd shenjat që bëra dhe sesa ashpër u solla me Egjiptin. Kështu do ta dini se unë jam Zoti».

Moisiu e Aroni shkuan te faraoni e i thanë: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: “Deri kur nuk do të pranosh të më nënshtrohesh? Lëre popullin tim të shkojë e të më shërbejë! Nëse nuk pranon ta lësh popullin tim, atëherë nesër do të lëshoj karkaleca në vendin tënd. Ata do të mbulojnë tërë sipërfaqen e tokës, aq sa dheu të mos shihet më. Do të përpijnë gjithçka që mbeti e shpëtoi pas breshrit. Do t’ju përpijnë çdo pemë të fushës. Shtëpitë e tua, ato të shërbëtorëve të tu dhe tërë shtëpitë e Egjiptit do të mbushen me karkaleca. Një gjë e tillë nuk është parë kurrë as nga etërit e tu e as nga të parët e tu, që nga dita kur lindën e deri më sot”». Pasi mbaroi së foluri u kthye dhe u largua prej faraonit.

Atëherë shërbëtorët i thanë faraonit: «Deri kur do t’i durojmë kurthet e këtij njeriu? Lëri këta njerëz të shkojnë e t’i shërbejnë Zotit, Perëndisë së tyre! Ende nuk e ke marrë vesh se Egjipti po rrënohet?». Moisiun e Aronin i sollën para faraonit dhe ai u tha: «Shkoni dhe shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj! Kush do të vijë me ju?». Moisiu i tha: «Do të shkojmë me të rinj e të vjetër, me bij e bija, dhen e qe, sepse do të kremtojmë për Zotin». 10 Faraoni iu përgjigj: «Zoti qoftë me ju po aq sa unë do t’ju lë të shkoni bashkë me fëmijët. Ja, ju keni qëllime të këqija, 11 prandaj nuk do t’i lë të vegjlit! Të shkojnë vetëm burrat t’i shërbejnë Zotit, se edhe ju këtë po kërkonit». Pastaj i dëbuan nga prania e faraonit.

12 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shtrije dorën mbi tokën e Egjiptit që të lëshohen karkalecat e të hanë tërë barin e gjithçka mbeti mbas breshrit». 13 Moisiu shtriu shkopin mbi tokën e Egjiptit dhe Zoti dërgoi mbi tokë erën e lindjes gjatë gjithë asaj dite e nate. Në të gdhirë, era e lindjes kishte sjellë karkalecat. 14 Ata u lëshuan mbi tërë Egjiptin dhe u ndalën aty. Kurrë nuk kishte pasur më parë kaq shumë karkaleca dhe kurrë nuk do të kishte kaq shumë as në të ardhmen. 15 Ata mbuluan sipërfaqen e tokës aq sa e nxinë të tërën. E përpinë mbarë barin e tokës dhe tërë frutat e pemëve që kishin mbetur mbas breshrit, në mbarë tokën e Egjiptit. 16 Atëherë faraoni i thirri me të shpejtë Moisiun e Aronin e u tha: «Mëkatova kundër Zotit, Perëndisë tuaj, dhe kundër jush. 17 Ma falni mëkatin vetëm kësaj here dhe lutjuni Zotit, Perëndisë tuaj, që të largojë të paktën këtë mort prej meje». 18 Moisiu u largua nga faraoni dhe iu lut Zotit19 Atëherë Zoti solli një erë shumë të fortë nga perëndimi që i përmblodhi karkalecat e i hodhi në detin e Kuq. Asnjë karkalec nuk mbeti në tokën e Egjiptit. 20 Por Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit dhe ai nuk i la izraelitët të shkonin.

Ndëshkimi i nëntë

21 Zoti i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt qiellit, që një errësirë e thellë të mbulojë tokën e Egjiptit!». 22 Moisiu shtriu dorën drejt qiellit dhe një errësirë pus mbuloi tërë tokën e Egjiptit për tri ditë. 23 Egjiptianët nuk mund të shihnin njëri-tjetrin dhe askush nuk lëvizi prej vendit për tri ditë, por në vendin ku banonin izraelitët kishte dritë. 24 Atëherë faraoni e thirri Moisiun e i tha: «Shkoni e shërbejini Zotit! Merrni me vete edhe të vegjlit, veçse dhentë e qetë do t’i lini!». 25 Moisiu iu përgjigj: «Ti duhet të na japësh edhe flijimet, edhe flitë e shkrumbimit, që t’ia kushtojmë Zotit, Perëndisë tonë. 26 Prandaj bagëtitë tona duhet të vijnë bashkë me ne. As edhe një këmbë kafshe nuk do të mbesë pas. Na duhet t’i marrim që t’ia kushtojmë Zotit, Perëndisë tonë, sepse, derisa të mbërrijmë atje, nuk e dimë se çfarë duhet të flijojmë». 27 Por Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit dhe ai nuk deshi t’i linte të shkonin. 28 Kështu faraoni i tha: «Shporru! Ruhu se më del prapë përpara, se po më dole do të vdesësh!». 29 Moisiu iu përgjigj: «Mirë thua! Nuk do ta shoh më fytyrën tënde!».