Danieli 8

Vegimi i dashit dhe cjapit

Në vitin e tretë të mbretërimit të mbretit Belshacar, unë, Danieli, pashë një vegim tjetër, pas vegimit të parë që më ishte shfaqur. Teksa po shihja vegimin, pashë se isha në fortesën e Shushanit, që ndodhet në krahinën e Elamit, dhe po ashtu pashë në vegim se isha pranë lumit të Ulait. Ngrita sytë për të parë, kur ja, një dash me dy brirë po qëndronte përbri lumit. Brirët i kishte të mëdhenj, por njëri bri ishte më i lartë se tjetri, ndonëse kishte mbirë i fundit. Pashë dashin të gjuante me brirë drejt perëndimit, drejt veriut e drejt jugut. Asnjë kafshë nuk i bënte dot ballë e askush nuk i shpëtonte dot pushtetit të tij. Dashi bënte ç’të donte dhe bëhej gjithnjë e më i madh.

Teksa po vështroja, ia behu një cjap nga perëndimi, i cili përshkoi mbarë sipërfaqen e tokës, pa e prekur tokën. Cjapi kishte mes syve një bri madhështor. Mandej iu afrua dashit me dy brirë, që kisha parë të qëndronte përbri lumit, dhe iu vërsul me sa fuqi kishte. E pashë tek iu afrua dashit, duke turfulluar kundër tij. Iu vërsul e ia theu të dy brirët. Dashi nuk kishte më fuqi të qëndronte. Cjapi e plandosi dashin përtokë, e shtypi me këmbë dhe askush nuk mund ta shpëtonte prej thundrës të tij. Cjapi u bë shumë i madh, por kur arriti kulmin e fuqisë, iu thye briri madhështor. Në vend të tij mbinë katër brirë të tjerë madhështorë, me drejtim nga të katër erërat e qiellit.

Nga njëri prej brirëve doli një bri tjetër, i vogël në fillim, por që u rrit shumë në drejtim të jugut, të lindjes e të vendit të bukur. 10 Briri u rrit derisa arriti ushtrinë e qiellit, rrëzoi përtokë një pjesë të ushtrisë qiellore dhe një pjesë të yjeve e i shkeli me këmbë. 11 Madje, u lartësua deri te kreu i ushtrisë qiellore, hoqi flinë e përhershme dhe shembi vendin e shenjtërores së tij. 12 Caktoi një ushtri kundër flisë së përhershme, të vërtetën e plandosi përtokë dhe pati mbarësi në çdo gjë që bëri. 13 Atëherë dëgjova një qenie të shenjtë që po fliste. Një tjetër qenie e shenjtë e pyeti atë që po fliste: «Deri kur do të zgjatë kjo që shihet në vegim, ndalimi i flisë së përhershme, paudhësia që po shkreton, rrënimi i shenjtërores dhe shkelja me këmbë e ushtrisë qiellore?». 14 Ai m’u përgjigj: «Shenjtërorja do të pastrohet pas dy mijë e treqind ditësh e netësh».

Shpjegimi i vegimit

15 Kur pashë vegimin, unë, Danieli, dëshiroja ta kuptoja. E ja, para meje qëndroi dikush që ngjante me një njeri. 16 Atëherë dëgjova një zë njeriu prej lumit Ulai, që tha: «Gabriel, shpjegoja vegimin!». 17 Gabrieli erdhi pranë meje. Atëherë unë u tmerrova e rashë me fytyrë përtokë, por ai më tha: «Ta dish, o bir njeriu, se ky vegim është për fundin e kohërave».

18 Ndërsa ai po më fliste, më kishte kapluar një gjumë i rëndë e kisha rënë me fytyrë përdhe. Atëherë ai më preku, më ngriti në këmbë 19 e më tha: «Ja, po të bëj të njohur çka për të ndodhur në kohën e fundit të zemërimit, sepse ka lidhje me kohën e fundit të caktuar. 20 Dashi me dy brirë, që pe, janë mbretërit e Medës e Persisë. 21 Cjapi është mbreti i Greqisëç. Briri i madh, që i pe ndër sy, është mbreti i parë. 22 Briri i thyer dhe katër brirët që dolën në vend të tij janë katër mbretëri që do të dalin prej këtij kombi, por që nuk do ta kenë fuqinë e tij. 23 Nga fundi i mbretërimit të tyre, kur paudhësitë e tyre të kenë arritur kulmin, do të dalë një mbret i pafytyrë e dinak. 24 Ai do të bëhet shumë i fuqishëm, por jo me forcat e veta. Do të sjellë shkatërrime marramendëse, do të ketë mbarësi në gjithçka që bën e do të shkatërrojë njerëz të fuqishëm dhe popullin e të shenjtëve. 25 Do të dijë ta përdorë mirë mashtrimin në saje të mprehtësisë së tij, do të krenohet në zemrën e vet dhe do të shkatërrojë shumë vetë që jetonin të sigurt. Do të ngrihet kundër princit të princave e do të thyhet, por jo nga dora njerëzore. 26 Vegimi i mbrëmjeve dhe i mëngjeseve, që t’u tregua, është i vërtetë, por ti mbaje të fshehtë, sepse ka lidhje me gjëra që do të ndodhin pas shumë kohësh».

27 E unë, Danieli, u këputa e u sëmura për shumë ditë. Mandej u ngrita dhe vijova punën në shërbim të mbretit. Vegimi më kishte tmerruar e askush nuk mund ta kuptonte.


 ç8.21 he. Javan