Danieli 4

«Ja, unë, Nabukodonosori, jetoja i qetë në shtëpinë time dhe isha i begatë në pallatin tim, kur, ja, pashë një ëndërr që më futi frikën. Teksa isha shtrirë në shtratin tim, më shqetësonin pandehmat e mendjes dhe vegimet. Pastaj dhashë urdhër të paraqiteshin para meje të gjithë dijetarët e Babilonisë, që të më tregonin shpjegimin e ëndrrës. Erdhën shortarët, magjistarët e dijetarët kaldenj të yjeve dhe ua tregova ëndrrën, por ata nuk ma treguan dot shpjegimin e saj. Në fund, u paraqit Danieli që quhet Belteshacar, sipas emrit të perëndisë tim, dhe që ka shpirtrat e perëndive. Unë i tregova ëndrrën e i thashë: “Belteshacar, ti je kreu i shortarëve. Unë e di se ti ke shpirtin e perëndive të shenjtë dhe asnjë e fshehtë nuk është e vështirë për ty. Ma trego shpjegimin e ëndrrës që pashë. Teksa isha shtrirë në shtratin tim, pashë këtë vegim:

në mes të tokës, ja, ishte një pemë,

lartësia e saj shumë e madhe!

U rrit pema, e fortë u bë,

maja e saj qiejt preku,

nga skajet e tokës mund të shihej.

Sa të bukura gjethet e saj,

sa i begatë fryti i saj,

ushqim për të gjithë ajo kishte!

Nën hijen e saj preheshin kafshët e fushës,

në degët e saj folenë kishin zogjtë e qiellit,

prej saj ushqehej çdo gjë e gjallë.

10 I shtrirë në shtratin tim

po shikoja vegimet e mendjes sime,

kur, ja, një rojtar i shenjtë,

ia behu prej qiellit!

11 Me zë të fortë shpalli e tha:

‘Priteni pemën, këputjani degët,

shkundjani gjethet, shpërndajani frutat!

Dëbojini kafshët prej hijes së saj,

shpendët prej degëve të saj!

12 Por lëreni trungun me gjithë rrënjë në dhe,

të rrethuar me vargonj hekuri e bronzi,

atje në mes të barit të fushës.

Le ta ujitë vesa e qiellit,

barin e fushës me egërsirat ta ndajë.

13 Le t’ia ndryshojnë, pra, zemrën,

që të mos ketë më zemër njeriu,

por zemër kafshe të ketë,

e le të kalojnë mbi të shtatë stinë’.

14 Këtë vendim morën rojtarët,

me urdhërin e të shenjtëve u bë kjo,

që të gjallët ta marrin vesh,

se është i Tejlarti ai që sundon

mbi të gjitha mbretëritë njerëzore,

dhe mbretërimin ia jep kujt të dojë,

më të përulurin në krye të saj e lartëson.

15 Kjo ishte ëndrra që pashë unë, mbreti Nabukodonosor. E tani ti, o Belteshacar, më trego shpjegimin e saj, sepse askush nga dijetarët e mbretërisë sime nuk mund të ma shpjegojë. Por ti mundesh, sepse ke brenda teje shpirtin e perëndive të shenjtë”».

16 Atëherë Danieli, që quhej Belteshacar, u tmerrua për një çast dhe mendimet iu trazuan. Por mbreti i tha: «Belteshacar, mos u tmerro prej ëndrrës dhe kuptimit të saj». Belteshacari iu përgjigj: «Imzot, ëndrra jote u plotësoftë mbi armiqtë e tu dhe shpjegimi i saj mbi kundërshtarët e tu! 17 Pema që pe, madhështore dhe e fortë, maja e së cilës rrokte qiejt dhe mund të shihej nga e gjithë toka, 18 që i kishte gjethet të bukura, që jepte fruta të begatë dhe që kishte ushqim për të gjithë, nën hijen e së cilës preheshin kafshët e fushës dhe në degët e së cilës kishin folenë zogjtë e qiellit, 19 ajo pemë je ti, o mbret. Ti je bërë madhështor e i fuqishëm. Madhështia jote ka arritur qiejt dhe sundimi yt është shtrirë deri në skajet e tokës. 20 Por, mandej, mbreti pa një rojtar të shenjtë që zbriti prej qiellit e tha: “Priteni pemën dhe shkatërrojeni, por lini në dhe cungun me gjithë rrënjë, rrethuar me vargonj hekuri e bronzi, në mes të barit të fushës. Le ta ujitë vesa e qiellit dhe barin e fushës ta ndajë me egërsirat, derisa të kalojnë mbi të shtatë stinë”. 21 Ky është shpjegimi, o mbret, dhe vendimi që ka marrë i Tejlarti për zotërinë tim, mbretin: 22 do të dëbohesh nga njerëzia e do të banosh me kafshët e fushës. Do të të japin të hash bar si kau dhe do të lagesh prej vesës së qiellit. Shtatë stinë do të kalojnë mbi ty, derisa ta kesh kuptuar se pushtetin mbi mbretëritë e njerëzve e ka i Tejlarti dhe se këtë pushtet ia jep kujt të dojë. 23 Sa për urdhrin që të lënë trungun bashkë me rrënjët, kjo do të thotë se mbretëria do të të kthehet, kur të pranosh se Sunduesi është qielli. 24 Prandaj, o mbret, dëgjoje këshillën time: jepu fund mëkateve e bëj çka është e drejtë. Ndali paudhësitë e tua dhe tregohu i mëshirshëm me të varfrit. Ndoshta kështu do të zgjasë begatia jote».

25 Të gjitha këto i ndodhën mbretit Nabukodonosor. 26 Pas dymbëdhjetë muajsh, teksa ecte në pallatin e tij mbretëror, 27 mbreti tha: «A nuk është kjo Babilonia e madhe, që unë e ndërtova si kryeqendër të mbretërisë sime me fuqinë e me pushtetin tim, për lavdinë e madhërisë sime?».

28 E ndërsa mbreti po fliste ende, erdhi një zë prej qiellit që tha: «Po ta shpall, o mbret Nabukodonosor, mbretërimi t’u hoq! 29 Do të të dëbojnë nga njerëzia dhe do të banosh me kafshët e fushës. Do të të japin të hash bar si kau dhe do të lagesh prej vesës së qiellit. Shtatë stinë do të kalojnë mbi ty, derisa ta kesh kuptuar se pushtetin mbi mbretëritë e njerëzve e ka i Tejlarti dhe se këtë pushtet ia jep kujt të dojë». 30 Po atë çast u përmbush fjala e thënë për Nabukodonosorin. E dëbuan nga njerëzia dhe ai hëngri bar si kau. Trupi i tij u lag prej vesës së qiellit, derisa flokët iu zgjatën si pendët e shqiponjave dhe thonjtë si kthetrat e shpendëve.

31 «Në fund të kohës së caktuar, unë Nabukodonosori, ngrita sytë në qiej e m’u kthye arsyeja. Atëherë bekova të Tejlartin, lavdërova e përlëvdova atë që jeton në amshim e thashë:

sundimi i tij, sundim i amshuar,

mbretërimi i tij, brez pas brezi.

32 Të gjithë banorët e tokës

hiçgjë janë para tij.

Sipas dëshirës së tij ai vepron

me mbarë ushtritë e qiejve,

me gjithë banorët e tokës.

Askush nuk ia ndal dot dorën,

apo t’i thotë: “Çfarë po bën?”.

33 Në atë kohë m’u kthye arsyeja dhe, bashkë me lavdinë e mbretërisë, m’u kthye edhe madhështia. Këshilltarët dhe fisnikët e mi më kërkuan dhe unë u vura sërish në krye të mbretërisë sime. Madhështia ime u rrit edhe më tepër.

34 Tani, unë, Nabukodonosori, lavdëroj, nderoj e përlëvdoj mbretin e qiejve. Të gjitha veprat e tij janë të vërteta dhe udhët e tij janë të drejta. Ai e ka pushtetin t’i ulë poshtë ata që ecin me krenari».