Danieli 2

Ëndrra e Nabukodonosorit

Në vitin e dytë të mbretërimit të tij, Nabukodonosori pa ëndrra që i trazuan shpirtin dhe e lanë pa gjumë. Atëherë mbreti urdhëroi të thërrisnin shortarët, magjistarët, yshtësit e dijetarët kaldenj të yjeve, që t’i shpjegonin ëndrrat. Ata erdhën e u paraqitën para mbretit. Mbreti u tha: «Pashë një ëndërr që ma trazoi shpirtin. Dua të di kuptimin e saj». Kaldenjtë iu përgjigjën mbretit në aramaisht: «Rrofsh përjetë, o mbret! Tregoja ëndrrën shërbëtorëve të tu e ne do të ta shpjegojmë». Mbreti u përgjigj e u tha kaldenjve: «E kam vendosur! Nëse nuk ma tregoni ju ëndrrën dhe kuptimin e saj, atëherë do të priteni copa-copa dhe shtëpitë tuaja do të kthehen në pirgje plehrash. Por, nëse ma tregoni ëndrrën dhe kuptimin e saj, do të merrni nga unë dhurata, shpërblime e ndere të mëdha. Tregomani, pra, ëndrrën dhe kuptimin e saj!». Ata i thanë për herë të dytë: «Le t’ia tregojë mbreti ëndrrën shërbëtorëve të tij e ne do t’i tregojmë kuptimin e saj». Mbreti u përgjigj e tha: «E kuptoj fare mirë që doni të fitoni kohë, sepse e shihni se e kam marrë vendimin. Nëse nuk ma tregoni ëndrrën, ka vetëm një vendim për ju. Jeni marrë vesh të më gënjeni e të më mashtroni, derisa të kalojë koha. Kështu, pra, ma tregoni ju ëndrrën e unë do ta di se mund të ma shpjegoni». 10 Kaldenjtë i thanë mbretit: «Nuk ka njeri mbi tokë që të mund t’ia plotësojë kërkesën mbretit. Asnjë mbret i madh e i fuqishëm nuk ka kërkuar ndonjëherë një gjë të tillë prej shortarëve, magjistarëve e dijetarëve të yjeve. 11 Ajo që kërkon mbreti është tepër e vështirë. Nuk ka njeri që t’ia tregojë mbretit, përveç hyjnive, e ato nuk banojnë mes qenieve të gjalla».

12 Atëherë mbreti u zemërua shumë dhe urdhëroi të vriteshin të gjithë dijetarët e Babilonisë. 13 Vendimi u shpall e dijetarët do të vriteshin. Kërkonin të vrisnin edhe Danielin me shokë. 14 Atëherë Danieli iu drejtua me fjalë të urta e të matura Arjokut, kreut të rojës mbretërore, që ishte caktuar për të vrarë dijetarët e Babilonisë, 15 dhe e pyeti përse mbreti kishte marrë një vendim kaq të ashpër kundër dijetarëve të Babilonisë. Arjoku, kreu i rojës mbretërore, ia shpjegoi çështjen Danielit. 16 Danieli shkoi menjëherë te mbreti e i kërkoi t’i jepte pak kohë për t’i treguar mbretit shpjegimin e ëndrrës.

17 Mandej Danieli u kthye në shtëpi e ua tregoi ngjarjen shokëve të tij, Hananiahut, Mishaelit e Azarjahut, 18 që t’i kërkonin mëshirë Perëndisë së qiellit lidhur me këtë të fshehtë e që Danieli, shokët e tij e dijetarët e tjerë të Babilonisë të mos vriteshin. 19 E fshehta iu zbulua Danielit në një vegim natën. Atëherë Danieli bekoi Perëndinë e qiellit, 20 mori fjalën e tha:

«Bekuar qoftë përjetë e në amshim emri i Perëndisë,

se atij i përkasin urtia e fuqia!

21 Ai i ndryshon kohët e stinët,

mbretërit i rrëzon e i ngre,

urti u jep të urtëve,

dije atyre që dinë të dallojnë.

22 Ai i zbulon të thellat e të fshehtat,

ç’ndodh në errësirë ai e di,

me të banon drita.

23 Ty, o Perëndi i etërve të mi,

ty të falënderoj e të lavdëroj,

se urti e fuqi më ke dhënë,

ç’të kërkuam na e zbulove,

çështjen e mbretit të njohur na e bëre».

24 Atëherë Danieli shkoi tek Arjoku, të cilin mbreti e kishte caktuar për të vrarë të urtët e Babilonisë, e i tha kështu: «Mos i vrit dijetarët e Babilonisë! Më ço para mbretit, që t’i tregoj shpjegimin e ëndrrës».

Danieli shpjegon ëndrrën

25 Atëherë Arjoku e solli me nxitim Danielin para mbretit e i tha: «Kam gjetur mes të shpërngulurve të Judës një djalosh, i cili do t’i tregojë mbretit shpjegimin e ëndrrës». 26 Mbreti i tha Danielit, i cili quhej Belteshacar: «A je vërtet i aftë të ma tregosh ëndrrën që pashë dhe kuptimin e saj?». 27 Danieli iu përgjigj mbretit e tha: «Të fshehtën, që kërkon mbreti, nuk mund t’ia zbulojnë as të urtët, as magjistarët, as shortarët e as dijetarët e yjeve. 28 Por ka një Perëndi në qiell që zbulon të fshehtat dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nabukodonosor se ç’do të ndodhë në fund të kohërave. Ja, pra, ëndrra jote dhe vegimet që ke parë në mendjen tënde teksa flije në këtë shtrat. 29 O mbret, mendimet që të erdhën kur flije në shtrat kanë të bëjnë me të ardhmen. Ai që zbulon të fshehtat po të shfaq çfarë do të ndodhë. 30 E mua m’u zbulua kjo e fshehtë, jo se kam më shumë urti sesa gjithë të tjerët, por që mbreti të marrë vesh shpjegimin e të njohë mendimet e zemrës së vet.

31 Ti po vështroje, o mbret, dhe ja, një shtatore e madhe, një shtatore shumë e madhe, me një shkëlqim të jashtëzakonshëm e me një pamje të tmerrshme u shfaq para teje. 32 Koka e saj ishte prej ari të kulluar, gjoksi e krahët prej argjendi, barku e ijët prej bronzi, 33 këmbët prej hekuri, ndërsa shputat e këmbëve pjesërisht prej hekuri e pjesërisht prej balte. 34 Teksa ti po shikoje, u shkëput një gur, pa e hedhur dora e askujt, dhe e goditi shtatoren në këmbët e saj prej hekuri e prej balte dhe ia copëtoi. 35 Atëherë hekuri, balta, bronzi, argjendi dhe ari u thërrmuan e u bënë si kashta në lëmin e verës. I mori era e nuk u gjet më asnjë gjurmë e tyre, ndërsa guri që goditi shtatoren u bë si një mal i madh dhe mbuloi mbarë tokën.

36 Kjo ishte ëndrra. E tani do t’i tregojmë mbretit shpjegimin e saj. 37 Ti, o mbret, je mbreti i mbretërve. Ty ta ka dhënë Perëndia i qiejve mbretërimin, pushtetin, fuqinë dhe nderin. 38 Në pushtetin tënd ai i la të gjithë njerëzit e botës, kafshët e fushës dhe zogjtë e qiellit. Të ka bërë sunduesin e të gjithë këtyre; ti je koka e artë. 39 Pas teje do të dalë një mbretëri tjetër, më e vogël se e jotja, dhe pastaj një mbretëri e tretë, prej bronzi, që do të sundojë mbarë tokën. 40 Mbretëria e katërt do të jetë e fortë porsi hekuri, sepse si hekuri do të dërrmojë e do të thërrmojë gjithçka dhe, ashtu siç i shtyp hekuri të gjitha këto, ashtu do t’i dërrmojë e do t’i thërrmojë. 41 Shputat e këmbëve, pjesërisht prej balte poçari e pjesërisht prej hekuri, që ti pe, tregojnë se do të jetë një mbretëri e ndarë. Do të ketë njëfarë fuqie si hekuri, siç e pe, por do të jetë e përzier me baltën e poçarit. 42 Ashtu si gishtërinjtë e këmbëve ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej balte, ashtu edhe mbretëria do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e dobët. 43 Hekuri i përzier me baltën e poçarit, që pe, tregon se mbretëritë do të përzihen përmes martesave e trashëgimtarëve, por nuk do të mund të bashkohen, sikurse hekuri nuk përzihet me baltën. 44 Gjatë sundimit të atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të ngrejë një tjetër mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë e nuk do t’i jepet një populli tjetër. Ajo mbretëri do t’i dërrmojë e do t’i shkatërrojë të gjitha këto mbretëri, por vetë do të mbetet përjetë. 45 Ky është kuptimi i gurit të madh që pe, i cili u shkëput prej shkëmbit pa e hedhur dora e askujt dhe thërrmoi hekurin, bronzin, baltën, argjendin e arin. Perëndia i madh i ka bërë të njohur mbretit se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ëndrra është e vërtetë dhe shpjegimi i saj i besueshëm».

Nabukodonosori pranon pushtetin e Perëndisë

46 Atëherë mbreti Nabukodonosor ra përmbys me fytyrë përdhe para Danielit për ta nderuar dhe urdhëroi t’i kushtonin fli dhe temjan. 47 Mbreti iu përgjigj Danielit e i tha: «Me të vërtetë, Perëndia juaj është Perëndia i Perëndive dhe Zoti i të gjithë mbretërve! Ai është zbuluesi i të fshehtave, përderisa ti munde ta zbulosh këtë të fshehtë». 48 Mbreti e nderoi Danielin e i dha shumë dhurata. Ai e caktoi qeveritar të mbarë krahinës së Babilonisë dhe e bëri kreun e gjithë të diturve të Babilonisë. 49 Danieli i kërkoi mbretit që të caktonte në vende drejtuese të krahinës së Babilonisë Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon. Vetë Danieli u bë këshilltar i mbretit.