Danieli 12

Mjerimi dhe ngjallja

«Në atë kohë do të dalë Mikaeli, princi i madh, mbrojtësi i bijve të popullit tënd. Do të jetë një kohë e tillë mjerimi, e paparë kurrë, që nga koha kur u krijuan kombet e deri në atë kohë. Prej popullit tënd do të shpëtojnë të gjithë ata që janë të shkruar në Libër. Shumë prej atyre që flenë nën baltën e tokës do të zgjohen, disa për jetën e amshuar, disa për turpin dhe tmerrin e amshuar. Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë porsi kupa qiellore. Ata, të cilëve u kanë prirë shumë vetë në drejtësi do të shkëlqejnë si yjet përjetë e në amshim. Ndërsa ti, o Daniel, mbaji të fshehta këto fjalë dhe vulose Librin deri në kohën e fundit. Shumë njerëz do ta shfletojnë dhe dituria do të shtohet».

Atëherë unë, Danieli, pashë dhe, ja, dy burra të tjerë qëndronin më këmbë, njëri në këtë breg të lumit, ndërsa tjetri në bregun tjetër të lumit. Njëri prej tyre i tha burrit të veshur me petka liri, që qëndronte mbi ujërat e lumit: «Kur do të marrin fund këto ndodhi të mrekullueshme?». Atëherë dëgjova burrin e veshur me petka liri, që qëndronte mbi ujërat e lumit. Ai kishte ngritur drejt qiellit dorën e djathtë dhe dorën e majtë e u betua për atë që jeton në amshim: «Këto do të përmbushen pas një kohe, pas disa kohërave e pas një gjysmë kohe, kur të ketë marrë fund shtypja e fuqisë së popullit të shenjtë». Unë e dëgjova, por nuk kuptova, prandaj e pyeta: «Imzot, kur do të jetë fundi i këtyre ndodhive?». Ai m’u përgjigj: «Shko, Daniel, se këto janë fjalë të fshehta e të vulosura deri në kohën e fundit. 10 Shumë do të përsosen, do të pastrohen e do të shndrijnë, ndërsa të paudhët do të bëjnë paudhësi e asnjë prej tyre nuk do të kuptojë. Vetëm të mençurit do të kuptojnë. 11 Që nga koha që do të ndalohet flija e përhershme e deri në vendosjen e ndyrësisë së neveritshme, do të kalojnë një mijë e dyqind e nëntëdhjetë vjet. 12 Lum ai që duron dhe arrin një mijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë! 13 Ti shko deri në fund. Do të prehesh e do të ngjallesh për të marrë trashëgiminë tënde në mbarim të ditëve».