Psalmet 39

Mjeshtrit të korit. Për Jedutunin. Psalm i Davidit.

Thashë: «Do t’i ruaj udhët e mia,

që të mos mëkatoj me gjuhën time.

Gojës sime do t’i vë fre,

sa të jetë i paudhi para meje».

Heshta e nuk fola,

asnjë fjalë të mirë nuk thashë,

e dhimbja ime rëndohej.

Kur zemra m’u ndez përbrenda

e mendimet më përvëlonin,

atëherë m’u zgjidh gjuha e fola.

Ma bëj të njohur, o Zot, fundin tim,

numrin e ditëve të mia,

përkohësinë time.

Ja, ti i pakësove ditët e mia sa një pëllëmbë,

jetëgjatësia ime s’është asgjë para teje,

çdo njeri i gjallë s’është veçse kotësi. selah

Vërtet, njeriu kalon si hije,

të kota janë mundimet e tij,

grumbullon pasuri,

pa e ditur për kë i mbledh.

E tani, ç’mund të pres, o Zot?

Shpresën e kam te ti.

Çliromë prej të gjitha fajeve

e mos lejo të më tallë i marri.

10 Po hesht e gojën s’po e hap,

sepse këtë e ke bërë ti.

11 Largoje prej meje fshikullimin tënd,

po marr fund nën peshën e dorës sate.

12 Njeriun e qorton e ia ndëshkon paudhësinë,

si tenja ia bren çdo gjë që dëshiron.

Të gjithë njerëzit janë veç kotësi. selah

13 Dëgjoje lutjen time, o Zot,

e vëri vesh përgjërimit tim!

Mos hesht ndaj lotëve të mi,

se i huaj jam te ti,

shtegtar si të gjithë paraardhësit e mi.

14 Largoje vështrimin tënd prej meje,

që të mund të gëzoj sërish,

para se të shkoj e të mos jem më.