Mateu 22

Të ftuarit në dasmë

(Lk 14.15-24)

Jezui filloi t’u fliste përsëri me shëmbëlltyra: «Mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që bëri dasmë për të birin. Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur ata që ishin ftuar në dasmë, por këta nuk donin të vinin. Përsëri dërgoi shërbëtorë të tjerë e u tha: “U thoni të ftuarve se gostia është gati. Demat e bagëtitë e majme i kam therur dhe gjithçka është përgatitur. Ejani në dasmë”. Por këta nuk u vunë vesh e shkuan kush në arën e vet e kush për punët e veta, ndërsa të ftuarit e tjerë i kapën shërbëtorët, i rrahën dhe i vranë. Mbreti u zemërua dhe dërgoi ushtarët e vet, që i vranë ata vrasës dhe i vunë zjarrin qytetit të tyre. Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë, prandaj dilni nëpër udhëkryqe e ftoni në dasmë këdo që të gjeni”. 10 Shërbëtorët dolën nëpër rrugë dhe mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij e të mirë. Kështu dhoma e dasmës u mbush plot. 11 Por, kur hyri për të parë të ftuarit, mbreti pa një njeri që nuk ishte i veshur si për dasmë 12 e i tha: “Mik, si ke hyrë këtu pa rrobën e dasmës?”. Ai nuk e hapi gojën. 13 Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni këmbë e duar e hidheni përjashta në errësirë. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”.

14 Shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur».

Taksa e Cezarit

(Mk 12.13-17; Lk 20.20-26)

15 Pastaj farisenjtë shkuan e u këshilluan si ta zinin Jezuin në kurth për ndonjë fjalë. 16 Kështu dërguan te Jezui dishepujt e tyre dhe disa herodianë që i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush. 17 Na thuaj, pra, çfarë mendon, a është e lejueshme t’i paguhen taksat Cezarit, apo jo?». 18 Por Jezui, duke e njohur ligësinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë, o hipokritë? 19 Ma tregoni monedhën e taksës». Ata i sollën një monedhë. 20 Jezui u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». 21 Ata i thanë: «Të Cezarit». Atëherë Jezui u tha: «Jepini, pra, Cezarit ç’është e Cezarit dhe Perëndisë ç’është e Perëndisë». 22 Kur e dëgjuan këtë, ata u mrekulluan. Pastaj e lanë Jezuin dhe ikën që andej.

Diskutimi për ngjalljen

(Mk 12.18-27; Lk 20.27-40)

23 Po atë ditë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: 24 «Mësues, Moisiu ka thënë: nëse një njeri vdes pa lënë fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t’i dhënë trashëgimtarë të vëllait. 25 Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua, vdiq pa lënë fëmijë dhe i la të venë vëllait të vet. 26 Kështu ndodhi me të dytin, të tretin, e deri te i shtati. 27 Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. 28 Pas ngjalljes, gruaja e cilit prej të shtatëve do të jetë ajo, meqenëse të gjithë e patën për grua?». 29 Por Jezui u përgjigj: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. 30 Pas ngjalljes njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell. 31 Për sa i përket ngjalljes së të vdekurve, a nuk e keni lexuar çfarë ju ka thënë Perëndia: 32 unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve».

33 Dhe turmat mahniteshin kur dëgjonin mësimin e tij.

Urdhërimi i madh

(Mk 12.28-34; Lk 10.25-28)

34 Kur dëgjuan se Jezui ua kishte mbyllur gojën saducenjve, farisenjtë u mblodhën 35 dhe njëri prej tyre, një mësues i ligjit, e pyeti për ta zënë në kurth: 36 «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit?». 37 Jezui i tha: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde. 38 Ky është urdhërimi më i madh dhe i pari. 39 Dhe urdhërimi i dytë, i ngjashëm me këtë, është: duaje të afërtin si veten. 40 Nga këto dy urdhërime varen tërë ligji dhe profetët».

Biri i Davidit

(Mk 12.35-37; Lk 20.41-44)

41 Ndërsa farisenjtë ishin të mbledhur së bashku, Jezui i pyeti: 42 «Çfarë mendoni për Krishtin? Biri i kujt është?». Ata i thanë: «Biri i Davidit». 43 Jezui u tha: «Si vallë, Davidi përmes Shpirtit e quan atë Zot kur thotë:

44 i tha Zoti Zotit tim:

ulu në të djathtën time

derisa t’i vë armiqtë e tu

nën këmbët e tua.

45 Nëse Davidi e quan Krishtin Zot, si mund të jetë ai Biri i Davidit?». 46 Askush nuk mundi t’i përgjigjej qoftë edhe me një fjalë. Që nga ajo ditë askush nuk guxoi ta pyeste më.