2 Samuelit 5

Davidi vajoset mbret i Izraelit

Të gjitha fiset e Izraelit shkuan te Davidi në Hebron e i thanë: «Ja, ne jemi kocka jote dhe mishi yt. Edhe në të shkuarën, kur Sauli ishte mbret mbi ne, ti i prije Izraelit. Zoti të tha: “Ti do ta kullotësh popullin tim, Izraelin, e ti do të jesh udhëheqësi i Izraelit”». Atëherë të gjithë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David bëri besëlidhje me ta në Hebron, para Zotit. Ata e vajosën Davidin mbret mbi Izraelin. Davidi ishte tridhjetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi dyzet vjet. Ai mbretëroi në Hebron, mbi Judën, për shtatë vjet dhe në Jerusalem, mbi mbarë Izraelin dhe Judën, për tridhjetë e tri vjet.

Pushtimi i Jerusalemit

Mbreti shkoi me njerëzit e tij në Jerusalem të sulmonte jebusitët, banorët e vendit. Ata i thanë: «Nuk ke për të hyrë, se edhe të verbrit e të çalët do të të zmbrapsin!». Ata mendonin se Davidi nuk mund të hynte dot. Por Davidi e pushtoi fortesën e Sionit që u quajt Qyteti i Davidit. Atë ditë Davidi tha: «Kush sulmon jebusitët të dalë te hullia e kroit e të godasë të çalë e të verbër që Davidi i urren me shpirt». Prandaj thuhet: «I verbri dhe i çali nuk do të hyjnë në tempull». Davidi u vendos në këtë fortesë, prandaj u quajt Qyteti i Davidit. Ai e rindërtoi qytetin përreth, nga Miloja e më tej përbrenda. 10 Davidi bëhej gjithnjë e më i fuqishëm dhe Perëndia i ushtrive ishte me të.

11 Hirami, mbreti i Tirit, i dërgoi Davidit lajmëtarë, drurë cedri, marangozë e muratorë. Dhe ata ndërtuan një shtëpi për Davidin. 12 Atëherë Davidi e mori vesh se Zoti e kishte caktuar mbret të Izraelit dhe se mbretëria e tij ishte lartësuar për hir të popullit të tij, Izraelit.

13 Davidi mori të tjera gra e shemra në Jerusalem, pas kthimit nga Hebroni, dhe lindi bij e bija të tjera. 14 Këta janë emrat e atyre që i lindën në Jerusalem: Shamuai, Shobabi, Natani, Solomoni, 15 Ibhari, Elishuai, Nefegu, Jafiai, 16 Elishamai, Eliadai dhe Elifeleti.

Fitorja kundër filistinëve

17 Kur filistinët e morën vesh se Davidi ishte vajosur mbret mbi Izrael, të gjithë shkuan për ta kërkuar. Davidi e mori vesh e shkoi në fortesë. 18 Filistinët mbërritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit. 19 Davidi u këshillua me Zotin e tha: «A të dal kundër filistinëve? A do të m’i lësh në dorë?». Zoti iu përgjigj Davidit: «Dil, e do të t’i lë në dorë». 20 Davidi u ngjit në Baal Peracim dhe i mundi aty. Atëherë Davidi tha: «Zoti i çau armiqtë e mi siç çahet uji». Prandaj ai vend quhet Baal Peracim. 21 Filistinët i lanë aty idhujt e tyre dhe ato i morën Davidi dhe njerëzit e tij.

22 Filistinët sulmuan edhe një herë dhe u përhapën në luginën e Refaimit. 23 Davidi u këshillua sërish me Zotin dhe ai i tha: «Sillu rrotull e dilu para nga Bekaimi. 24 Kur të dëgjosh zhurmën e rreshtores, në majë të Bekaimit, hidhu në sulm, sepse Zoti ka dalë para teje për ta goditur fushimin e filistinëve». 25 Davidi bëri siç e urdhëroi Zoti dhe i shpartalloi filistinët nga Geba gjer sa del në Gezer.