2 Samuelit 22

Psalmi i Davidit

Davidi i drejtoi Zotit fjalët e kësaj kënge ditën që Zoti e shpëtoi nga dora e armiqve dhe nga dora e Saulit e tha:

«Zoti është shkëmbi im,

fortesa ime e çliruesi im,

është Perëndia im,

shkrepi ku gjej strehë.

Zoti është mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim,

ai është kështjella ime.

Lavdi pastë Zoti!

I thirra dhe nga armiqtë shpëtova.

Valët e vdekjes më mbërthyen,

përrenj shkatërrimi më tmerruan.

Leqet e skëterrës më rrethuan,

më zunë pritë grackat e vdekjes.

Kur u gjenda ngushtë, i thirra Zotit,

i thirra Perëndisë tim.

Nga tempulli i tij e dëgjoi zërin tim,

klithma ime arriti te veshët e tij.

Ndaj toka u trand e u tund,

themelet e qiejve u shkundën e luajtën vendit,

prej zjarrit të zemërimit të tij.

Tym doli nga flegrat e hundës së tij

e nga goja e tij zjarr shkrumbues.

Thëngjij përvëlues prej tij flakëruan.

10 Qiejt i uli e zbriti poshtë,

me një re të errët nën këmbë.

11 Hipur mbi një kerub fluturoi,

u shfaq mbi krahët e erës.

12 Errësirën e hodhi rreth vetes,

tendë iu bënë retë e dendura si ujërat e errëta.

13 Prej shkëlqimit të tij

flakëronte prush i zjarrtë.

14 Zoti bëri të gjëmojnë qiejt,

i Tejlarti bëri t’i dëgjohet zëri.

15 Shigjetat e tij dërgoi dhe i shpërndau,

me rrufe i gjuajti e i shpartalloi.

16 Burimet e deteve u dukën,

themelet e tokës u zbuluan,

prej qortimit tënd, o Zot,

prej shfryrjes së flegrave të tua.

17 Dorën shtriu nga lart e më kapi,

më nxori prej ujërave të shumtë.

18 Më shpëtoi nga armiq të fuqishëm,

nga ata që më urrenin,

që ishin më të fortë se unë.

19 M’u vërsulën ditën e fatkeqësisë sime,

por Zoti u bë përkrahësi im.

20 Më nxori në vend të hapur,

më shpëtoi se më kishte për zemër.

21 Kështu bëri Zoti me mua,

se jam i drejtë,

kështu më shpërbleu,

se të pastra duart i kam.

22 Udhët e Zotit kam ndjekur

e nuk jam larguar nga Perëndia im me ligësi.

23 Gjithë vendimet e tij i mbaj parasysh,

nga rregullat e tij nuk shmangem.

24 Kam qenë i ndershëm me të

dhe veten nga paudhësia e kam ruajtur.

25 Zoti  më shpërbleu se jam i drejtë,

se e pa që jam i pastër.

26 Njeriut besnik ti i qëndron besnik,

me të ndershmin i ndershëm tregohesh.

27 Me njeriun e pastër tregohesh i pastër,

por me të mbrapshtin tregohesh dinak.

28 Popullin e përvuajtur e shpëton,

por sytë e krenarëve i ul poshtë.

29 Zot, ti je dritëza ime.

Perëndia im ma ndriçon errësirën.

30 Me ty do t’i sulmoj çetat plaçkitëse,

me Perëndinë tim do t’i kapërcej muret.

31 Udha e Perëndisë është e përsosur,

fjala e Zotit e sprovuar në zjarr,

ai është mburojë i të gjithë atyre

që kërkojnë strehë tek ai.

32 Kush tjetër është Perëndi veç Zotit?

Kush tjetër është shkëmb veç Perëndisë tonë?

33 Perëndia që më dha forcë,

e ma bëri udhën të përsosur.

34 Këmbët m’i bëri të shpejta si të drerit,

në vende të larta më vuri të qëndroj.

35 Duart m’i mësoi për betejë,

që krahët e mi të ndejnë hark bronzi.

36 Më dhe mburojën e shpëtimit tënd,

përkrahja jote më madhëroi.

37 E shtrove udhën para hapave të mi

e këmbët nuk më rrëshqitën.

38 I ndoqa pas armiqtë e i shtypa,

nuk do të kthehem pa i shkatërruar.

39 U dhashë fund,

i qëllova e më nuk ngrihen,

ranë para këmbëve të mia.

40 Më dhe forcë për të luftuar

e ata që m’u ngritën kundër

nën këmbë m’i përkule.

41 I bëre armiqtë e mi të më kthejnë kurrizin,

ata që më urrenin i zhbiva.

42 Hodhën vështrimin,

por s’kishte kush t’i shpëtonte,

i thirrën edhe Zotit,

por nuk iu përgjigj.

43 I thërrmova si pluhurin që e merr era,

i shkërmoqa e i shkela si baltën e rrugës.

44 Më çlirove nga grindjet e popullit,

në krye të kombeve më vure,

një popull që nuk më njihte më shërbeu.

45 Me të dëgjuar për mua, u bindën,

bijtë e të huajve u përkulën para meje.

46 U zbehën, u drodhën,

e nga fortesat e tyre dolën.

47 Zoti është i gjallë!

Bekuar qoftë shkëmbi im!

Perëndia u madhëroftë,

ai, shkëmbi i shpëtimit tim!

48 Ai merr shpagim për mua,

popujt nën këmbë m’i nënshtron,

49 nga armiqtë e mi më çliron.

Ti më ngre mbi kundërshtarët e mi,

prej njeriut të dhunshëm më shpëton.

50 Ndaj të përlëvdoj mes kombeve, o Zot,

emrin tënd përhimnoj.

51 Zoti ia shton fitoret mbretit të tij,

tregon mirësi përjetë ndaj të vajosurit të vet,

Davidit e gjithë pasardhësve të tij».