2 Samuelit 21

Pasardhësit e Saulit

Në kohën e Davidit ra një zi buke që zgjati tre vjet. Davidi kërkoi këshillë prej Zotit dhe Zoti i tha: «Kjo ndodh për shkak të Saulit dhe për shkak të shtëpisë së tij gjakatare, sepse ai vrau gibeonitët». Davidi i thirri gibeonitët për të folur me ta. Gibeonitët nuk i përkisnin popullit të Izraelit, por ishin mbetja e amoritëve. Izraelitët u kishin dhënë besën, por Sauli kishte dashur t’i vriste, për shkak të zellit të madh për popullin e Izraelit dhe të Judës. Davidi u tha gibeonitëve: «Çfarë mund të bëj për ju? Si mund t’ju shpaguaj, që ta bekoni trashëgiminë e Zotit?». Ata i thanë: «Nuk duam as argjend e as ar prej Saulit dhe prej shtëpisë së tij dhe nuk duam të vritet askush në Izrael». Davidi u tha: «Do të bëj si të thoni». Ata i thanë: «Prej atij që na ka vrarë dhe që ka dashur të na shfarosë nga mbarë trojeve të Izraelit, të na jepen shtatë pasardhës, që t’i varim para Zotit në Gibeah, atje ku banonte Sauli, i zgjedhuri i Zotit». Mbreti u tha: «Do t’jua jap».

Mbreti e përdëlleu Mefiboshetin, birin e Jonatanit, të birit të Saulit, për shkak të betimit që Davidi dhe Jonatani, biri i Saulit, kishin bërë para Zotit me njëri-tjetrin. Ai mori Armoniun dhe Mefiboshetin, dy bijtë që Ricpaja, bija e Ajahut, i kishte lindur Saulit, si edhe pesë bijtë që Mikala, bija e Saulit, i kishte lindur Adrielit, të birit të Barzila Meholatitit, dhe ua dorëzoi gibeonitëve. Ata i varën në mal para Zotit. Kështu u vranë të shtatë në ditët e para të korrjes, në fillim të korrjes së elbit.

10 Ricpaja, bija e Ajahut, mori një thes dhe e vuri si shtrojë për vete, mbi shkëmb, që nga fillimi i korrjes e derisa ra shi prej qiellit mbi kufomat e tyre. Ajo nuk la t’i prekte asnjë shpend gjatë ditës dhe asnjë egërsirë gjatë natës. 11 Davidit i treguan se ç’kishte bërë Ricpaja, bija e Ajahut, shemra e Saulit. 12 Atëherë Davidi shkoi e mori prej banorëve të Jabesh Gileadit eshtrat e Saulit dhe eshtrat e Jonatanit, birit të tij, që ata i kishin vjedhur prej sheshit të Bet Sheanit, ku i kishin varur filistinët, ditën që kishin vrarë Saulin në Gilboa. 13 Ai i solli prej andej eshtrat e Saulit dhe eshtrat e Jonatanit, birit të tij, dhe i bashkoi me eshtrat e të varurve. 14 Eshtrat e Saulit dhe eshtrat e Jonatanit, birit të tij, i varrosën në tokën e Benjaminit, në Celë, në varrin e Kishit, të atit të Saulit. Ata vepruan siç i kishte urdhëruar mbreti. Atëherë Perëndia e dëgjoi përgjërimin për vendin.

Lufta me filistinët

15 Mes filistinëve dhe izraelitëve pati sërish luftë. Davidi dhe shërbëtorët e tij zbritën për të luftuar kundër filistinëve, por Davidi u lodh. 16 Ishbi Benobi, një prej pasardhësve të Rafahut, heshta e të cilit peshonte më shumë se tre kilogramë bronz dhe që kishte ngjeshur në brez një shpatë të re, thoshte se do ta vriste Davidin. 17 Por Davidit i erdhi në ndihmë Abishai, biri i Cerujahut. Ai e goditi filistinin dhe e vrau. Atëherë luftëtarët e Davidit u përbetuan e i thanë Abishait: «Ti s’ke për të dalë më me ne në luftë, që të mos shuhet pishtari i Izraelit».

18 Mandej u bë sërish luftë në Gob kundër filistinëve dhe atëherë Sibeka Hushatiti vrau Safin, njërin prej pasardhësve të Rafahut. 19 Në Gob u bë sërish luftë me filistinët dhe Elhanani, biri i Jare Oregimit, nga Betlehemi, vrau Goliat Gititin, që e kishte shtizën si shuli i vegjës së endësit. 20 Në Gat u bë sërish luftë. Aty ishte një njeri shtatlartë, me nga gjashtë gishta në secilën dorë e në secilën këmbë, pra, njëzet e katër gishtërinj. Edhe ai kishte lindur në Rafah. 21 Kur ai i përqeshi izraelitët, e vrau Jonatani, biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit. 22 Këta kishin lindur të katërt në Rafah të Gatit dhe u vranë prej dorës së Davidit dhe shërbëtorëve të tij.