2 Samuelit 19

Davidi vajton Absalomin

b Mbreti u rrëqeth, u ngjit në dhomën e epërme të portës dhe qau. Ecte dhe thoshte: «O biri im Absalom, o biri im, biri im Absalom! Të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!». Joabin e lajmëruan se mbreti po qante e po vajtonte Absalomin. Fitorja u kthye atë ditë në vaj për mbarë popullin, se populli e mori vesh po atë ditë që mbreti po vajtonte të birin. Ushtria hyri fshehtas në qytet, siç kthehet një ushtri e turpëruar në fushën e betejës. Mbreti kishte mbuluar fytyrën dhe thërriste me të madhe: «O biri im, Absalom! Absalom, o biri im, biri im!». Atëherë Joabi hyri në shtëpinë e mbretit e i tha: «Sot ua mbulove fytyrën me turp të gjithë shërbëtorëve të tu që të shpëtuan jetën ty, bijve të tu, bijave, grave dhe shemrave të tua. Ti do ata që të urrejnë dhe urren ata që të duan. Sot e tregove se nuk do t’ia dish për prijësit dhe për shërbëtorët e tu. Sot po e kuptoj se do të kishe dashur të vdisnim ne të gjithë, veç të ishte gjallë Absalomi. Prandaj, ngrihu e folu me gjithë zemër shërbëtorëve të tu. Të betohem për Zotin se nëse nuk del, askush nuk do të qëndrojë sonte me ty dhe kjo do të jetë për ty e keqja më e madhe që të ka gjetur ndonjëherë që nga rinia e deri tani». Mbreti u ngrit dhe u ul te porta. Lajmëruan mbarë popullin se mbreti ishte ulur te porta. Atëherë mbarë populli u paraqit para mbretit, ndërsa izraelitët kishin ikur secili në tendën e vet.

10 Të gjithë izraelitët grindeshin nëpër fiset e tyre e thoshin: «Mbreti na ka çliruar nga dora e armiqve dhe na ka shpëtuar nga dora e filistinëve, e tani iu desh të ikte nga vendi prej Absalomit. 11 Por Absalomi, të cilin ne e vajosëm mbret, mbeti i vrarë në betejë. Përse heshtni, pra, dhe nuk e ktheni mbretin?».

12 Mbreti David u çoi fjalë priftërinjve Cadok dhe Abiatar e u tha: «Flisni me pleqësinë e Judës e thuajuni: “Përse jeni të fundit për ta kthyer mbretin në shtëpinë e tij, kur lajmi se mbarë Izraeli po flet për këtë ka mbërritur deri te mbreti në shtëpinë e tij? 13 Ju jeni vëllezërit e mi, jeni kocka dhe mishi im. Përse të jeni të fundit për ta kthyer mbretin?”. 14 Amasait thuajini: “A nuk je ti kocka dhe mishi im? Kështu e më zi ma bëftë Perëndia, nëse ti nuk bëhesh kreu i ushtrisë, në vend të Joabit, për sa të jesh gjallë”». 15 Kështu, ai i ktheu tok zemrat e të gjithë burrave të Judës. Atëherë i dërguan fjalë mbretit e i thanë: «Kthehu me gjithë shërbëtorët e tu».

Davidi merr rrugën e kthimit

16 Mbreti mori rrugën e kthimit dhe mbërriti në Jordan. Judenjtë shkuan në Gilgal për ta takuar dhe për ta kaluar këtej Jordanit. 17 Bashkë me judenjtë, që kishin ardhur për të takuar mbretin David, kishte ardhur me nxitim edhe Shime Benjaminasi, biri i Gerait, nga Bahurimi. 18 Me të ishin një mijë benjaminas, si edhe Cibai, shërbëtori i shtëpisë së Saulit, me pesëmbëdhjetë bijtë e tij e me njëzet shërbëtorë. Ata shpejtuan për në Jordan dhe i dolën para mbretit.

19 Ata kaluan vaun e lumit për të sjellë në anën tjetër shtëpinë e mbretit dhe për të bërë çka u dukej mirë për mbretin. Atëherë Shimei, biri i Gerait, ra përmbys para mbretit, teksa ky kalonte Jordanin, 20 e i tha: «Mos më ngarko me faj, imzot. Mos e kujto të keqen që bëri shërbëtori yt ditën kur imzot, mbreti, iku nga Jerusalemi, dhe mos e merr parasysh. 21 Shërbëtori yt e di se ka mëkatuar, prandaj kam ardhur sot i pari prej mbarë shtëpisë së Jozefit për të takuar timzot, mbretin». 22 Abishai, biri i Cerujahut, u përgjigj: «A mjafton kjo për të mos e dënuar me vdekje Shimein? Ai mallkoi të vajosurin e Zotit». 23 Por Davidi tha: «Ç’punë kam unë me ju, o bijtë e Cerujahut? Përse bëheni sot kundërshtarët e mi? A bën të vritet sot ndonjë izraelit, sot që po kuptoj se jam mbreti i Izraelit?». 24 Atëherë mbreti i tha Shimeit: «Nuk ke për të vdekur» dhe iu betua.

25 Mefibosheti, biri i Saulit, doli për të takuar mbretin. Ai as kishte larë këmbët, as kishte qethur mjekrën dhe as kishte larë rrobat që nga dita kur mbreti kishte ikur e derisa u kthye në paqe. 26 Kur ai doli prej Jerusalemit për të takuar mbretin, mbreti i tha: «Përse nuk erdhe me mua, Mefiboshet?». 27 Mefibosheti iu përgjigj: «Imzot mbret, më gënjeu shërbëtori im. Shërbëtori yt i kishte thënë atij se do të shalonte gomarin, që t’i hipte e të ikte me mbretin, sepse shërbëtori yt është i çalë. 28 Mandej shërbëtori im ka shpifur për mua para mbretit, por imzot mbreti, është si engjëlli i Perëndisë. Bëj si të të duket e drejtë. 29 Mbarë familja e tim eti ka merituar vdekjen para timzot, mbretit, ndërsa ti më vure mua, shërbëtorin tënd, të ulem të ha në tryezën tënde. A kam më unë të drejtë t’i kërkoj ndonjë gjë mbretit?». 30 Mbreti i tha: «S’është nevoja të shtosh fjalë të tjera. E kam vendosur: ti dhe Cibai do t’i ndani tokat me njëri-tjetrin». 31 Mefibosheti iu përgjigj mbretit: «Le t’i marrë të gjitha, sepse imzot mbreti, u kthye në paqe në shtëpinë e vet».

32 Edhe Barzila Gileaditi erdhi nga Roglimi dhe kaloi Jordanin bashkë me mbretin për ta përshëndetur. 33 Barzilai ishte i thyer në moshë, ishte tetëdhjetë vjeç. Ai i kishte sjellë ushqime mbretit për sa kohë kishte qëndruar në Mahanaim, sepse ishte shumë i pasur. 34 Mbreti i tha Barzilait: «Eja me mua dhe unë do të kujdesem për ty në Jerusalem». 35 Barzilai i tha mbretit: «Edhe sa kohë më paska mbetur, që të vij me mbretin në Jerusalem? 36 Tashmë jam tetëdhjetë vjeç. A e dalloj dot të mirën nga e keqja? A mund të shijojë shërbëtori yt çka ha e çka pi? A mund ta dëgjoj dot më zërin e këngëtarëve dhe këngëtareve? Përse shërbëtori yt duhet t’i bëhet barrë timzoti, mbretit? 37 Ja, shërbëtori yt do të ecë pak me mbretin përtej Jordanit. Për këtë do të ma shpërblyeka mbreti? 38 Lejoje shërbëtorin tënd të kthehet e të vdesë në qytetin e vet, pranë varrit të tim eti e të sime mëje. Le të vijë me timzot, mbretin, shërbëtori yt Kimhami dhe imzot, mbreti, le të veprojë me të si t’i duket më mirë». 39 Mbreti i tha: «Le të vijë me mua përtej lumit Kimhami dhe unë do të veproj me të si të të duket ty më mirë. Ç’të më kërkosh, do ta bëj për ty». 40 Pasi mbarë populli e kaloi Jordanin bashkë me mbretin, mbreti e puthi Barzilain dhe e bekoi. Barzilai u kthye në vendin e vet.

41 Mbreti kaloi lumin për në Gilgal dhe Kimhami kaloi bashkë me të. Mbretin e shoqëronte mbarë populli i Judës dhe gjysma e popullit të Izraelit. 42 Të gjithë burrat e Izraelit shkuan te mbreti e i thanë: «Përse vëllezërit tanë, burrat e Judës, e vodhën dhe e kaluan mbretin dhe familjen e tij përtej Jordanit, bashkë me të gjithë luftëtarët që ishin me Davidin?». 43 Burrat e Judës iu përgjigjën burrave të Izraelit: «Sepse e kemi më afër mbretin. Përse ju djeg kjo punë? A mos kemi ngrënë gjë prej mbretit apo na ka dhënë ndonjëherë dhurata?». 44 Burrat e Izraelit iu përgjigjën burrave të Judës e u thanë: «Ne na takojnë dhjetë pjesë të mbretit dhe Davidi është më tepër i yni sesa i juaji. Përse na trajtoni me përbuzje? A nuk ishim ne të parët që kërkuam kthimin e mbretit tonë?». Fjala e burrave të Judës ishte më e ashpër se fjala e burrave të Izraelit.


 b19.1 të tjerë e rendisin si 18.33