2 Pjetrit 1

Përshëndetje

Unë, Simona Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, po ju shkruaj juve që nga drejtësia e Perëndisë tonë dhe e shpëtimtarit Jezu Krisht keni marrë të njëjtin besim me ne: hiri e paqja u shtofshin mbi ju me njohjen e Perëndisë e të Zotit tonë Jezu!

Thirrja dhe zgjedhja

Fuqia e tij hyjnore na dhuroi gjithçka që na nevojitet për jetën e përkushtuar ndaj Perëndisë, nëpërmjet njohjes së atij që na thirri në lavdinë dhe fuqinë e tij. Me to na u dhuruan premtimet shumë të mëdha e të çmueshme, që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, duke shpëtuar nga prishja që sjellin kënaqësitë e botës.

Prandaj bëni çdo përpjekje për t’i shtuar besimit tuaj virtytin, virtytit diturinë, diturisë vetëkontrollin, vetëkontrollit durimin, durimit përkushtimin ndaj Perëndisë, përkushtimit ndaj Perëndisë dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë. Sepse nëse i keni të gjitha këto me shumicë, ato nuk do t’ju lejojnë të bëheni përtacë e të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Kush nuk i ka këto, është i verbër e dritëshkurtër dhe ka harruar se është pastruar nga mëkatet e tij të vjetra.

10 Prandaj, vëllezër, përpiquni ta forconi sa më shumë thirrjen dhe zgjedhjen tuaj nga Perëndia, sepse po t’i bëni këto gjëra, nuk do të bini kurrë. 11 Kështu do t’ju hapet plotësisht hyrja për në mbretërinë e amshuar të Zotit e të shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.

12 Për këtë arsye do të vazhdoj t’jua kujtoj përherë këto gjëra, edhe pse i dini e jeni të palëkundur në këtë të vërtetë. 13 Mendoj se është e drejtë t’ju mbaj zgjuar duke jua kujtuar ato për sa të jem në këtë jetë. 14 Unë e di se do ta lë shpejt këtë trup, sikurse ma ka shfaqur Zoti ynë Jezu Krisht. 15 Prandaj do të përpiqem që të mund t’i kujtoni të gjitha këto gjëra edhe pas largimit tim.

Fjala profetike

16 Ne nuk përdorëm përralla të thurura me mjeshtëri për t’ju shpallur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Ne e kemi parë me sytë tanë madhështinë e tij. 17 Ai mori nder e lavdi nga Perëndia Atë kur nga lavdia madhështore erdhi zëri që tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur». 18 Këtë zë që vinte nga qielli e dëgjuam kur ishim me të në malin e shenjtë.

19 Kështu jemi më të sigurt për fjalën profetike, të cilën bëni mirë ta keni si një pishtar që ndriçon në një vend të errët, derisa të agojë dita dhe ylli i mëngjesit të lindë në zemrat tuaja. 20 Duhet të dini së pari se asnjë profeci e Shkrimit nuk shpjegohet sipas mendjes së gjithsecilit, 21 pasi asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëz të frymëzuar nga Shpirti i shenjtë folën nga ana e Perëndisë.


 a1.1 ose: Simeon