2 Mbretërve 8

Kthimi i shunamites

Eliseu i kishte thënë gruas që i kishte ngjallur djalin: «Ngrihu e ik me gjithë familjen tënde dhe shkoni për të banuar në ndonjë vend të huaj, sepse Zoti do të dërgojë në këtë vend urinë, e cila do të zgjatë shtatë vjet». Gruaja ishte ngritur, siç i kishte thënë njeriu i Perëndisë, dhe ishte larguar bashkë me familjen e saj e kishte banuar në vendin e filistinëve për shtatë vjet. Pas shtatë vjetësh, ajo u kthye nga vendi i filistinëve dhe shkoi t’i kërkojë mbretit, që t’i kthehej shtëpia dhe ara. Mbreti po bisedonte me Gehazin, shërbëtorin e njeriut të Perëndisë, të cilin e kishte pyetur: «Më trego, të lutem, të gjitha bëmat e mëdha të Eliseut». Gehazi po i tregonte mbretit sesi Eliseu kishte ngjallur një të vdekur, kur ia behu gruaja, së cilës Eliseu i kishte ngjallur djalin, për t’i kërkuar mbretit që t’i kthehej shtëpia dhe ara. Atëherë Gehazi tha: «Imzot mbret, kjo është gruaja dhe ky është djali i saj, të cilin Eliseu e ngjalli!». Mbreti e pyeti gruan dhe ajo i tregoi ngjarjen. Atëherë mbreti urdhëroi njërin nga zyrtarët e tij e i tha: «Kthejini asaj të gjithë pronat dhe të gjitha të ardhurat e arës së saj, që nga dita kur ajo u largua nga vendi e deri tani».

Hazaeli, mbret i Aramit

Eliseu shkoi në Damask. Ben Hadadi, mbreti i Aramit, ishte sëmurur. E lajmëruan e i thanë se kishte mbërritur njeriu i Perëndisë. Atëherë mbreti i tha Hazaelit: «Merr një dhuratë e shko të takosh njeriun e Perëndisë. Kërkoji që të pyesë Zotin, nëse do të shërohem nga kjo sëmundje». Kështu, Hazaeli shkoi për t’u takuar me Eliseun dhe mori me vete, si dhuratë për të, dyzet deve të ngarkuara me tërë të mirat e Damaskut. Kur mbërriti, qëndroi para tij e i tha: «Shërbëtori yt, Ben Hadadi, mbreti i Aramit, më ka dërguar të të pyes nëse do të shërohet nga sëmundja që ka». 10 Eliseu i tha: «Shko e thuaji: “Do të shërohesh”. Por Zoti më ka treguar, se në të vërtetë ka për të vdekur». 11 Papritur njeriu i Perëndisë mbeti si i ngrirë dhe fytyra iu skuq. Pastaj filloi të qante. 12 Hazaeli e pyeti: «Përse po qan, imzot?». Eliseu iu përgjigj: «Sepse e di sa të këqija do t’u bësh izraelitëve. Do t’u vësh zjarrin fortesave të tyre, djemtë e tyre të rinj do t’i kalosh në teh të shpatës, foshnjat do t’ua bësh copë e çikë dhe grave të tyre shtatzëna do t’u çash barkun». 13 Hazaeli i tha: «E kush na qenka shërbëtori yt, një qen, që të bëjë gjëra kaq të mëdha?». Eliseu iu përgjigj: «Zoti më tregoi se ti do të bëhesh mbreti i Aramit». 14 Mandej Hazaeli u largua prej Eliseut e u kthye te zotëria tij. Ai e pyeti: «Çfarë të tha Eliseu?». Hazaeli iu përgjigj: «Më tha se ke për t’u shëruar». 15 Të nesërmen Hazaeli mori një mbulesë, e zhyti në ujë dhe e vuri mbi fytyrën e mbretit. Mbreti vdiq. Në vend të tij mbretëroi Hazaeli.

Mbretërimi i Jehoramit në Judë

16 Në vitin e pestë të mbretërimit të Joramit, birit të Ahabit, në Izrael, në Judë u bë mbret Jehorami, biri i Joshafatit, mbretit të Judës. 17 Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur u bë mbret dhe sundoi për tetë vjet në Jerusalem. 18 Ai u soll si mbretërit e Izraelit dhe ndoqi shembullin e shtëpisë së Ahabit, sepse ishte martuar me bijën e Ahabit. Jehorami bëri çka është keq në sytë e Zotit19 Megjithatë Zoti nuk donte ta shkatërronte Judën, për shkak të premtimit, që i kishte bërë Davidit, shërbëtorit të tij, se pasardhësit e tij do të mbretëronin përherë si një pishtar i ndezur.

20 Gjatë mbretërimit të Jehoramit, Edomi ngriti krye kundër sundimit të Judës dhe shpalli mbretin e vet. 21 Atëherë Jehorami kaloi kufirin në Cair, bashkë me të gjitha qerret e luftës. Edomitët e rrethuan Jehoramin me gjithë prijësit e qerreve të luftës. Atëherë ai u ngrit natën e i sulmoi. Kështu, luftëtarët e Judës ia dolën t’ia mbathnin për në shtëpi. 22 Edomi nuk i është nënshtruar më sundimit të mbretërisë së Judës edhe sot e kësaj dite. Në të njëjtën kohë ngriti krye edhe Libnahu. 23 Bëmat e tjera të Jehoramit dhe gjithçka bëri, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. 24 Jehorami u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit. Pas tij u bë mbret Ahazjahu, i biri.

Mbretërimi i Ahazjahut në Judë

25 Në vitin e dymbëdhjetë të mbretërimit të Joramit, të birit të Ahabit, në Izrael, Ahazjahu, biri i Jehoramit, u bë mbreti i Judës. 26 Ahazjahu ishte njëzet e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për një vit në Jerusalem. E ëma quhej Atalia dhe ishte bija e Omriut, mbretit të Izraelit. 27 Ahazjahu u soll si shtëpia e Ahabit dhe bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu si shtëpia e Ahabit, sepse ishte dhëndër i asaj shtëpie.

28 Ai u bashkua me Joramin, të birin e Ahabit, për të luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Aramit, në Ramot të Gileadit. Arameasit e plagosën Joramin. 29 Mbreti Joram u kthye në Izrel për t’u shëruar nga plagët, që i shkaktuan arameasit në Ramah gjatë betejës kundër Hazaelit, mbretit të Aramit. Ahazjahu, biri i Jehoramit, mbreti i Judës, shkoi në Izrel për ta takuar Joramin, birin e Ahabit, që dergjej i sëmurë.