2 Mbretërve 7

Eliseu iu përgjigj: «Ja se ç’thotë Zoti: “Nesër në këtë kohë, në portat e Samarisë një masë maje mielli do të kushtojë një sikël e dy masa elbi do të kushtojnë po një sikël”». Por prijësi ushtarak, tek i cili mbështetej mbreti, u përgjigj e i tha njeriut të Perëndisë: «Edhe sikur Zoti të hapë dritare e t’i dërgojë nga qielli, kjo nuk ka për të ndodhur». Eliseu i tha: «Do ta shohësh me sytë e tu, por nuk do të hash».

Arameasit braktisin fushimin

Katër burra të lebrosur qëndronin para portës së qytetit. Ata i thanë njëri-tjetrit: «Përse po rrimë këtu duke pritur vdekjen? Po të hyjmë në qytet, do të vdesim nga uria që ka pllakosur qytetin. Po të qëndrojmë këtu, prapë do të vdesim. Prandaj, ejani të shkojmë në fushimin e Aramit! Po të na lënë gjallë, do të jetojmë, po të na vrasin, le të vdesim». Kështu, ata u ngritën në muzg dhe shkuan në fushimin e Aramit. Kur mbërritën në fund të fushimit, nuk gjetën askënd. Zoti kishte bërë të dëgjohej në fushim një zhurmë qerresh lufte e kuajsh, një zhurmë ushtrie të madhe. Luftëtarët e Aramit i kishin thënë njëri-tjetrit: «Mbreti i Izraelit paska paguar mbretërit e hititëve dhe të egjiptianëve për të luftuar kundër nesh». Prandaj, luftëtarët e Aramit ishin ngritur rrëmbimthi në muzg për të ikur, duke lënë pas tendat, kuajt dhe gomarët e tyre dhe e kishin braktisur fushimin për të shpëtuar jetën. Të lebrosurit mbërritën në fund të fushimit dhe u futën në një tendë, ku hëngrën e pinë. Morën nga tenda argjend, ar e rroba dhe shkuan e i fshehën. Pastaj shkuan në një tendë tjetër dhe morën edhe plaçkat e saj e i fshehën.

Por më pas i thanë njëri-tjetrit: «Nuk po veprojmë drejt. Kjo ditë është ditë lajmi të mirë. Nëse heshtim e presim deri në mëngjes, mund të ndëshkohemi. Prandaj ejani të shkojmë e të lajmërojmë pallatin e mbretit». 10 Kështu, ata shkuan dhe thirrën derëtarët e qytetit e u thanë: «Shkuam në fushimin e Aramit dhe nuk kishte njeri e as nuk dëgjohej zë njeriu. Ishin vetëm kuajt e gomarët të lidhur dhe tendat e ngritura». 11 Derëtarët e përcollën lajmin deri në pallatin e mbretit. 12 Mbreti u ngrit në mes të natës e u tha shërbëtorëve të tij: «Po jua shpjegoj unë çka po na bëjnë luftëtarët e Aramit. Ata e dinë mirë se po vuajmë nga uria, prandaj kanë dalë nga fushimi e janë fshehur nëpër ara, duke menduar se ne do të dalim nga qyteti, që të na kapin pastaj të gjallë e të pushtojnë qytetin». 13 Njëri prej shërbëtorëve i tha: «Dërgo, të lutem, pesë nga kuajt që kanë mbetur. Me ta ka për të ndodhur si me gjithë këtë popull të Izraelit që ka mbetur ende. Ka për të ndodhur si me gjithë atë popull të Izraelit, që mori fund. Le t’i dërgojmë e le të shohim!». 14 Atëherë morën dy karroca me kuaj dhe me urdhër të mbretit shkuan pas gjurmëve të ushtrisë së Aramit për të parë ku ishin. 15 Ata ndoqën gjurmët e tyre deri në Jordan dhe panë se rruga ishte plot me rrobat e me pajisjet që ushtria e Aramit kishte hedhur rrugës duke ikur. Lajmëtarët u kthyen e i treguan mbretit.

16 Atëherë populli doli nga qyteti dhe plaçkiti fushimin e Aramit. Një masë maje mielli kushtonte një sikël dhe dy masa elbi kushtonin po një sikël, sipas fjalës së Zotit17 Mbreti ia kishte besuar ruajtjen e portës së qytetit prijësit ushtarak, mbi dorën e të cilit mbështetej. Por populli e shtypi te porta e ai vdiq, sipas fjalës që kishte thënë njeriu i Perëndisë, kur mbreti kishte shkuar për ta takuar. 18 Ndodhi sipas fjalës që njeriu i Perëndisë i kishte thënë mbretit, se të nesërmen në atë kohë, te portat e Samarisë, dy masa elbi do të kushtonin një sikël dhe një masë maje mielli do të kushtonte po një sikël. 19 Por prijësi ushtarak i ishte përgjigjur njeriut të Perëndisë e i kishte thënë se edhe sikur Zoti të hapte dritare e t’i dërgonte nga qielli, kjo nuk kishte për të ndodhur. Por Eliseu i kishte thënë se ai do ta shihte me sytë e tij, por nuk do të hante. 20 E ashtu ndodhi. Populli e shkeli me këmbë te porta e ai vdiq.