2 Mbretërve 3

Mbretërimi i Jehoramit në Izrael

Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Joshafatit në Judë, Jehorami, biri i Ahabit, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi dymbëdhjetë vjet në Samari. Jehorami bëri çka është keq në sytë e Zotit, por jo si i ati dhe e ëma, sepse ai hoqi përmendoren e Baalit, që kishte ndërtuar i ati. Megjithatë, Jehorami nuk u largua prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu edhe Izraelin në mëkat, por vazhdoi të mëkatojë.

Meshai, mbreti i Moabit, ishte blegtor dhe i jepte mbretit të Izraelit si tagër njëqind mijë qengja dhe leshin e njëqind mijë deshve. Por pas vdekjes së Ahabit, mbreti i Moabit u ngrit kundër mbretit të Izraelit. Atëherë mbreti Jehoram u nis nga Samaria dhe thirri nën armë mbarë Izraelin. Ai i çoi fjalë edhe Joshafatit, mbretit të Judës, e i tha: «Mbreti i Moabit është ngritur kundër meje. A do të vish me mua të luftojmë kundër tij?». Joshafati iu përgjigj: «Do të vij. Unë dhe ti jemi një. Luftëtarët e mi janë të tutë dhe kuajt e mi janë të tutë». Pastaj Joshafati e pyeti: «Nga cila rrugë do të shkojmë?». Jehorami iu përgjigj: «Nga rruga e shkretëtirës së Edomit».

Kështu, mbreti i Izraelit, mbreti i Judës dhe mbreti i Edomit u nisën bashkë dhe marshuan për shtatë ditë, duke i rënë rrotull shkretëtirës. Por nuk kishin më ujë për ushtrinë dhe për kafshët, që kishin me vete. 10 Atëherë mbreti i Izraelit tha me zë të lartë: «Mjerë ne! Zoti na paska bashkuar ne, tre mbretërit, për të na dorëzuar te Moabi». 11 Joshafati tha: «A ka këtu ndonjë profet të Zotit që me anë të tij të këshillohemi me Zotin?». Një nga shërbëtorët e mbretit të Izraelit u përgjigj: «Po, Eliseu, biri i Shafatit, i cili i shërbente Elisë». 12 Joshafati tha: «Fjala e Zotit është me të». Atëherë mbreti i Izraelit, Joshafati dhe mbreti i Edomit shkuan tek Eliseu.

13 Eliseu i tha mbretit të Izraelit: «Ç’punë kam unë me ty? Shko te profetët e atit tënd dhe të nënës sate». Por mbreti i Izraelit i tha: «Jo, sepse Zoti na ka mbledhur ne, tre mbretërit, për të na dorëzuar te Moabi». 14 Atëherë Eliseu i tha: «Pasha Zotin e ushtrive, të cilit i shërbej, po të mos ishte për Joshafatin, mbretin e Judës, ty nuk do të të jepja rëndësi e nuk do të të hidhja as sytë. 15 E tani më sillni një muzikant». Teksa muzikanti po i binte veglës muzikore, fuqia e Zotit erdhi mbi Eliseun 16 e ai tha: «Kështu thotë Zoti: hapni sa më shumë gropa në këtë luginë, 17 sepse, siç thotë Zoti, ndonëse nuk do të shihni as erë e as shi, kjo luginë do të mbushet me ujë e do të pini ju me gjithë bagëtitë e kafshët tuaja. 18 Kjo nuk është asgjë për Zotin, sepse ai do t’ju dorëzojë edhe Moabin. 19 Do t’i shkatërroni të gjitha qytetet e fortifikuara dhe të gjitha qytetet e rëndësishme. Do t’i prisni të gjitha pemët e mira, do të mbyllni të gjitha burimet dhe çdo arë të mirë do ta mbushni me gurë». 20 Të nesërmen në mëngjes, në kohën kur po kushtonin flinë, ia behën ujërat nga ana e Edomit dhe i gjithë vendi u mbush me ujë.

21 Kur moabitët dëgjuan se tre mbretërit kishin ardhur për të luftuar kundër tyre, thirrën nën armë të gjithë ata që kishin moshën e që mund të mbanin armë, dhe u rreshtuan në kufi. 22 Në mëngjes, moabitët u ngritën herët, panë diellin, që ndriçonte mbi ujërat dhe i bënte të dukeshin të kuqe si gjaku, 23 e thanë: «Ky është gjak! Mbretërit paskan luftuar me njëri-tjetrin e kanë vrarë njëri-tjetrin. Përpara, o moabitë, rrëmbeni plaçkën e luftës!». 24 Kur iu afruan fushimit të Izraelit, luftëtarët e Izraelit u ngritën e u hodhën në sulm kundër moabitëve. Moabitët morën arratinë, por izraelitët i ndoqën pas e i vranë. 25 Mandej ata shkatërruan qytetet e Moabit dhe tokat e mira i mbushën me gurët që hodhën të gjithë. Burimet e ujërave i mbyllën dhe pemët e mira i prenë. Kishin mbetur vetëm muret e Kir Harashetit, por edhe atë e rrethuan luftëtarët me hobe dhe e sulmuan. 26 Mbreti i Moabit pa se beteja po bëhej tepër e ashpër për të, prandaj mori me vete shtatëqind luftëtarë me shpata e iu vërsul mbretit të Edomit, por nuk ia dolën mbanë. 27 Atëherë ai mori djalin e tij të parëlindur, trashëgimtarin e fronit, dhe e kushtoi si fli shkrumbimi mbi muret e qytetit. Kjo gjë i neveriti izraelitët, saqë u larguan prej andej e u kthyen në tokën e tyre.