2 Mbretërve 22

Josia bëhet mbret i Judës

Josia ishte tetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tridhjetë e një vjet në Jerusalem. E ëma quhej Jedida dhe ishte bija e Adajahut nga Bockati. Josia bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit dhe ndoqi në çdo hap udhën e Davidit, paraardhësit të tij, pa iu shmangur as djathtas, as majtas.

Rigjetja e librit të ligjit

Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, mbreti Josi dërgoi Shafanin, birin e Acaljahut, të birin e Meshulamit, shkruesit, në tempullin e Zotit e i tha: «Shko te kryeprifti Hilkiah dhe thuaji të bëjë gati paratë e hedhura në tempullin e Zotit, që portarët kanë mbledhur nga populli. Paratë t’ua japin përgjegjësve të punëtorëve që janë caktuar për tempullin e Zotit e ata t’ua japin punëtorëve që po kryejnë meremetimet e dëmtimeve të tempullit të Zotitmarangozëve, ndërtuesve dhe muratorëve, që të blejnë dru dhe gurë të latuar për meremetimet e tempullit. Por askush të mos u kërkojë llogari për paratë e dhëna, sepse ata punojnë me ndershmëri».

Kryeprifti Hilkiah i tha Shafanit, shkruesit: «Kam gjetur në tempullin e Zotit librin e ligjit». Hilkiahu ia dha librin Shafanit dhe ai e lexoi. Shafani, shkruesi, u kthye te mbreti dhe e njoftoi për punët: «Shërbëtorët e tu i mblodhën paratë që u gjetën në tempull dhe ua dhanë përgjegjësve të punimeve në tempullin e Zotit». 10 E mandej i tha mbretit: «Prifti Hilkiah më dha një libër». Shafani filloi ta lexojë librin para mbretit.

11 Kur dëgjoi fjalët e shkruara në librin e ligjit, mbreti shqeu rrobat. 12 Atëherë ai u dha këtë urdhër priftit Hilkiah, Ahikamit, të birit të Shafanit, Akborit, të birit të Mikahut, Shafanit, shkruesit, dhe Asajahut, nëpunësit të mbretit: 13 «Shkoni e këshillohuni me Zotin për mua, për popullin dhe për mbarë Judën në lidhje me fjalët e këtij libri që gjetëm. Zemërimi i Zotit kundër nesh duhet të jetë shumë i madh, sepse të parët tanë nuk i kanë dëgjuar fjalët e këtij libri dhe nuk e kanë zbatuar gjithçka është shkruar për ne».

14 Atëherë prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan për të folur me profeteshën Hulda, gruan e Shalumit, birit të Tikvahut, të birit të Harhasit, ruajtësit të rrobave. Hulda banonte në Jerusalem, në lagjen e re. 15 Ajo u tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: njeriut që ju dërgoi tek unë thuajini 16 se kështu thotë Zoti: “Ja, unë do të sjell një fatkeqësi të madhe mbi këtë vend e mbi banorët e tij, ashtu siç thonë fjalët e librit, që lexoi mbreti i Judës, 17 sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë kushtuar temjan perëndive të tjerë, duke ndezur zemërimin tim me gjithë veprat që kanë bërë. Zemërimi im kundër këtij vendi është ndezur e nuk do të shuhet”. 18 Ndërsa mbretit të Judës, që ju dërgoi të këshilloheni me Zotin, do t’i thoni: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Sa për fjalët që dëgjove, 19 meqenëse zemra jote u zbut dhe ti e përule veten para Zotit sapo dëgjove ato që thashë kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, se do të bëhet vend i shkretë e i mallkuar, meqenëse shqeve rrobat dhe qave para meje, të dëgjova edhe unë”, thotë Zoti20 “Prandaj, do të të preh me paraardhësit e tu, do të varrosesh bashkë me ta në paqe, që sytë e tu të mos e shohin gjithë atë fatkeqësi që do të sjell kundër këtij vendi”». Të dërguarit u kthyen e njoftuan mbretin për këto fjalë.