2 Mbretërve 2

Elia merret në qiell

Ja çfarë ndodhi kur Zoti e mori Elinë me anë të vorbullës në qiell: Elia dhe Eliseu ishin nisur nga Gilgali. Elia i tha Eliseut: «Ti ndalu këtu, se mua Zoti më ka dërguar deri në Betel». Por Eliseu i tha: «Pasha Zotin dhe pasha jetën tënde, nuk të lë vetëm. Kështu, shkuan të dy në Betel». Në Betel, Eliseut i dolën përpara bijtë e profetëve, që rrinin atje, e i thanë: «A e di se sot Zoti do ta marrë zotërinë tënd lart në qiell?». Ai iu përgjigj: «Po, e di, por heshtni».

Pastaj Elia i tha: «Elise, ti qëndro këtu, se mua Zoti më ka dërguar në Jeriko». Por Eliseu i tha: «Pasha Zotin e pasha jetën tënde, nuk të lë vetëm». Kështu, shkuan të dy në Jeriko. Bijtë e profetëve, që rrinin në Jeriko, i dolën përpara Eliseut e i thanë: «A e di se sot Zoti do ta marrë zotërinë tënd lart në qiell?». Ai iu përgjigj: «Po, e di, por heshtni».

Elia i tha sërish Eliseut: «Ti qëndro këtu, se mua Zoti më ka dërguar në Jordan». Por Eliseu i tha: «Pasha Zotin e pasha jetën tënde, nuk të lë vetëm. Kështu, ata u nisën të dy». Edhe pesëdhjetë nga bijtë e profetëve shkuan me ta, por u ndalën përballë tyre në njëfarë largësie, ndërsa Elia me Eliseun u ndalën në breg të Jordanit. Atëherë Elia mori gunën, e palosi dhe me të i ra ujit. Uji i lumit u nda më dysh dhe ata kaluan nëpër tokë të thatë.

Kur kaluan matanë, Elia i tha Eliseut: «Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më marrë Zoti prej teje». Eliseu u përgjigj: «Të lutem, dua që të vijë mbi mua dyfishi i shpirtit tënd profetik». 10 Elia i tha: «Ke kërkuar një gjë të vështirë. Megjithatë, po të më shohësh kur të më marrë Zoti prej teje, do ta fitosh atë që kërkove. Po të mos më shohësh, nuk do ta fitosh». 11 Ata po ecnin duke biseduar, kur ia behu një karrocë e zjarrtë me kuaj të zjarrtë, që i ndau nga njëri-tjetri. Atëherë Elia u mor në qiell me një vorbull ere. 12 Kur e pa këtë gjë, Eliseu thërriti: «Ati im, o ati im, karroca dhe kalorësia e Izraelit!». Nuk e pa më Elinë, por hoqi rrobat e i shqeu më dysh.

13 Mandej mori gunën, që i kishte rënë Elisë, u kthye dhe qëndroi në breg të Jordanit. 14 Me gunën, që i kishte rënë Elisë, goditi ujin e tha: «Ku është Zoti, Perëndia i Elisë?». I ra ujit me gunë dhe uji i lumit u nda më dysh. Eliseu kaloi në bregun tjetër.

Eliseu zë vendin e Elisë

15 Bijtë e profetëve që rrinin në Jeriko, kur panë nga larg çfarë ndodhi, thanë: «Shpirti i Elisë ka zbritur mbi Eliseun». Atëherë shkuan për ta takuar Eliseun, u përkulën para tij deri në tokë 16 e i thanë: «Ja, bashkë me ne, shërbëtorët e tu, ndodhen këtu edhe pesëdhjetë burra të fortë. Lëri të shkojnë e të kërkojnë zotërinë tënd, sepse ndoshta shpirti i Zotit e ka marrë dhe e ka hedhur në ndonjë mal apo në ndonjë luginë». Eliseu u tha: «Mos i dërgoni». 17 Por ata ngulën këmbë aq shumë, saqë ai pranoi e u tha: «Nisini!». Pesëdhjetë burrat u nisën dhe e kërkuan Elinë për tri ditë, por nuk e gjetën. 18 Atëherë ata u kthyen tek Eliseu, që rrinte në Jeriko. Ai u tha: «A nuk ju thashë të mos shkoni?».

19 Banorët e qytetit të Jerikosë i thanë Eliseut: «Siç e sheh edhe zotëria ynë, qyteti ynë ndodhet në vend të mirë, por uji është i keq dhe toka nuk është pjellore». 20 Eliseu u tha: «Më sillni një enë të re të mbushur me kripë». Ata ia sollën. 21 Ai shkoi te burimi i ujërave, hodhi kripën në të e tha: «Kështu thotë Zoti: ja tek i shërova këto ujëra! Nuk kanë për të shkaktuar më as vdekje e as shterpësi». 22 Kështu, ujërat e Jerikosë u pastruan. Ato janë të pastra edhe sot e kësaj dite, sipas fjalës që tha Eliseu.

23 Prej andej Eliseu shkoi në Betel. Rrugës i dolën përpara disa djem të rinj nga qyteti dhe e tallën duke i thënë: «Ngjite maloren, o tullac! Ngjite, o tullac!». 24 Eliseu u kthye për t’i parë dhe i mallkoi në emër të Zotit. Atëherë prej pyllit ia behën dy arusha dhe shqyen dyzet e dy djem të rinj. 25 Prej andej Eliseu shkoi në malin Karmel e pastaj u kthye në Samari.