2 Mbretërve 14

Mbretërimi i Amacjahut në Judë

Në vitin e dytë të mbretërimit të Joashit, birit të Jehoahazit, në Izrael, Amacjahu, biri i Joashit, u bë mbret i Judës. Ai ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Joadana dhe ishte nga Jerusalemi. Amacjahu bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, por jo si Davidi, paraardhësi i tij, dhe për gjithçka veproi si i ati, Joashi. Veçse, faltoret në vende të larta nuk u zhdukën dhe populli vazhdonte të kushtonte flijime e temjan në to. Kur mbretërimi i tij u bë më i fortë, Amacjahu i vrau zyrtarët e vet, që i kishin vrarë të atin, mbretin Joash. Por bijtë e atyre që i kishin vrarë të atin nuk i vrau, sikurse është shkruar në librin e ligjit të Moisiut, ku Zoti urdhëron: «Të mos dënohen me vdekje etërit për shkak të bijve e as bijtë për shkak të etërve. Secili të dënohet për shkak të mëkatit të vet».

Amacjahu vrau dhjetë mijë edomitë në luginën e Kripës dhe gjatë betejës pushtoi qytetin e Selaut, të cilit ia vuri emrin Joktel, siç quhet edhe sot e kësaj dite. Mandej i dërgoi lajmëtarë Jehoashit, birit të Jehoahazit, të birit të Jehut, mbretit të Izraelit, e i tha: «Eja të ndeshemi në fushën e betejës!». Jehoashi, mbreti i Izraelit, i dërgoi fjalë Amacjahut, mbretit të Judës, e i tha: «Ferra e Libanit i çoi fjalë cedrit të Libanit e i tha: “Jepja vajzën për nuse djalit tim”. Por ja, një kafshë e egër Libani kaloi dhe e shkeli ferrën me këmbë. 10 Ti vërtet e mposhte Edomin, por të është rritur mendja. Kënaqu me lavdinë që fitove dhe rri në shtëpinë tënde! Përse dashke të shkaktosh fatkeqësi? Përse dashke të shkatërrosh veten dhe Judën bashkë me veten?».

11 Por Amacjahu, mbreti i Judës, nuk e dëgjoi, prandaj Jehoashi, mbreti i Izraelit, e sulmoi dhe u ndesh me të në Bet Shemesh të Judës. 12 Judenjtë u mposhtën nga izraelitët dhe u kthyen nëpër tendat e tyre. 13 Jehoashi, mbreti i Izraelit, e zuri rob në Bet Shemesh Amacjahun, mbretin e Judës, birin e Jehoashit, të birit të Ahazjahut. Jehoashi shkoi mandej në Jerusalem dhe rrënoi murin e qytetit nga Porta e Efraimit deri te Porta e Këndit, rreth dyqind metra. 14 Ai plaçkiti të gjithë argjendin, arin dhe sendet e gjetura në tempullin e Zotit dhe në thesarin e pallatit mbretëror. Mori edhe disa pengje dhe u kthye në Samari.

15 Bëmat e tjera të Jehoashit, veprat, trimëritë dhe luftrat që bëri me Amacjahun, mbretin e Judës, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 16 Jehoashi u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari bashkë me mbretërit e Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jeroboami.

17 Amacjahu, mbreti i Judës, biri i Joashit, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Jehoashit, mbretit të Izraelit, birit të Jehoahazit. 18 Bëmat e tjera të Amacjahut janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. 19 Kur disa njerëz ngritën krye kundër tij në Jerusalem, Amacjahu iku në Lakish, por edhe atje e ndoqën pas dhe e vranë. 20 Prej andej ia prunë trupin me kuaj në Jerusalem, ku e varrosën bashkë me paraardhësit e tij në qytetin e Davidit. 21 Mbarë populli i Judës mori birin e tij, Azarjahun, që ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, dhe e shpalli mbret në vend të Amacjahut, atit të tij. 22 Pasi i ati u preh me paraardhësit e tij, Azarjahu e mori përsëri Ejlatin në mbretërinë e Judës dhe e rindërtoi.

Mbretërimi i Jeroboamit II në Izrael

23 Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Amacjahut, birit të Joashit, në Judë, Jeroboami, biri i Joashit, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi dyzet e një vjet në Samari. 24 Jeroboami bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk u shmang nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat. 25 Ai rivendosi kufijtë e Izraelit nga Lebo Hamati deri në detin e Arabahut, sipas fjalës së Zotit, Perëndisë së Izraelit, thënë përmes profetit Jona, të birit të Amitait, nga Gat Heferi. 26 Zoti e kishte parë mjerimin e tmerrshëm të Izraelit, sepse nuk kishte mbetur më askush për të ndihmuar Izraelin, skllav apo i lirë. 27 Zoti nuk kishte vendosur ende ta shuante emrin e Izraelit nën qiell, prandaj e shpëtoi përmes Jeroboamit, të birit të Joashit.

28 Bëmat e tjera të Jeroboamit, veprat, trimëritë dhe luftrat që bëri për t’i kthyer Izraelit Damaskun dhe Hamatin, që më parë i takonin Judës, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 29 Jeroboami u preh me paraardhësit e tij, mbretërit e Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Zakaria.