2 Mbretërve 11

Mbretërimi i Atalisë në Judë

Kur Atalia, nëna e Ahazjahut, pa se i biri vdiq, i shfarosi të gjithë pasardhësit mbretërorë. Por Jehosheba, bija e mbretit Joram dhe motra e Ahazjahut, e rrëmbeu fshehurazi Joashin, të birin e Ahazjahut, nga mesi i bijve të mbretit, që ishin për t’u vrarë, bashkë me tajën e tij, dhe i fshehu prej Atalisë në një nga dhomat e gjumit. Kështu, Joashi nuk u vra. Ai ndenji i fshehur për gjashtë vjet në tempullin e Zotit bashkë me tajën e tij, për aq kohë sa mbretëroi Atalia.

Joashi vajoset mbret i Judës

Në vitin e shtatë, Jehojadai thirri kryeqindësit e truprojave të mbretit dhe të rojave, që të shkonin tek ai në tempullin e Zotit. Ai bëri një besëlidhje me ta, i vuri të përbetoheshin në tempullin e Zotit, u tregoi birin e mbretit dhe u urdhëroi: «Ja se ç’duhet të bëni: një e treta e atyre prej jush, që marrin shërbimin të shtunën, do të ruajnë pallatin mbretëror, një e treta portën e Surit dhe një e treta portën e pasme të rojave. Ruajeni pallatin nga të gjitha anët. Dy njësitë e tjera të atyre prej jush, që e lënë shërbimin të shtunën, do të ruajnë mbretin në tempullin e ZotitDo të qëndroni rreth e rrotull mbretit me armë në dorë dhe do të vrisni këdo që do t’u afrohet radhëve tuaja. Do ta shoqëroni mbretin kudo që të shkojë».

Kryeqindësit bënë siç u urdhëroi prifti Jehojada. Secili prej tyre mblodhi luftëtarët e vet, që do të merrnin apo do të linin shërbimin të shtunën, e shkoi te prifti Jehojada. 10 Prifti u dha kryeqindësve ushtat dhe shqytet, që kishte pasur mbreti David e që gjendeshin në tempullin e Zotit11 Rojat u vendosën të armatosur përpara tempullit, nga krahu i djathtë deri në krahun e majtë të tij, për të mbrojtur mbretin nga çdo anë. 12 Atëherë Jehojadai nxori birin e mbretit, i vuri kurorën në kokë dhe i dorëzoi rrotullën dhe dëshminë. Pastaj e vajosën mbret, duartrokitën e brohoritën: «Rroftë mbreti!».

13 Atalia dëgjoi brohoritjen e rojave dhe të popullit, prandaj shkoi bashkë me popullin në tempullin e Zotit14 Kur pa mbretin tek qëndronte pranë shtyllës së tempullit, sipas zakonit, luftëtarët dhe borizanët, që i qëndronin pranë, dhe popullin, që gëzonte e u binte borive, ajo shqeu rrobat e bërtiti: «Tradhti! Tradhti!». 15 Atëherë prifti Jehojada urdhëroi kryeqindësit e ushtrisë e u tha: «Nxirreni jashtë nga rradhët tuaja dhe vritni me shpatë këdo që i shkon pas». Veçse, u kishte thënë, që të mos e vrisnin brenda në tempullin e Zotit16 Ata e kapën dhe e vranë sapo ajo arriti në pallatin mbretëror, te hyrja e udhës së kuajve.

17 Jehojadai bëri një besëlidhje mes Zotit, mbretit dhe popullit, që populli t’i përkiste Zotit. Bëri edhe një besëlidhje mes mbretit dhe popullit. 18 Atëherë mbarë populli shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërroi. Altarët dhe idhujt e tij i rrënuan, ndërsa Matanin, priftin e Baalit, e vranë para altarëve. Mandej Jehojadai caktoi sërish roja rreth tempullit të Zotit19 Ai mblodhi kryeqindësit, truprojat e mbretit, rojat e mbarë popullin dhe e shoqëruan mbretin nga tempulli i Zotit për në pallatin mbretëror përmes Portës së Rojave. Mbreti Joash u ul në fronin e mbretërve. 20 Mbarë populli i vendit u gëzua dhe qyteti ra në paqe pasi Atalia u vra me shpatë në pallatin mbretëror.