2 Mbretërve 10

Shfarosja e pasardhësve të Ahabit

Ahabi kishte shtatëdhjetë bij, që jetonin në Samari. Jehu u dërgoi letra zyrtarëve të Samarisë, pleqësisë së Izrelit dhe kujdestarëve të bijve të Ahabit, ku shkruante: «Ju që kujdeseni për bijtë e zotërisë suaj dhe zotëroni karroca, kuaj, qytete të fortifikuara dhe armë, zgjidhni birin më të mirë e më të përshtatshëm të zotërisë suaj, vëreni të ulet mbi fronin e të atit dhe luftoni për familjen e zotërisë suaj». Por ata u trembën shumë e thanë: «Ja, nuk u bënë dot ballë dy mbretër e si do t’i bëjmë ne?». Atëherë mbikëqyrësi i pallatit mbretëror, qeveritari i qytetit, pleqësia dhe kujdestarët e bijve të mbretit i dërguan lajm Jehut e i thanë: «Jemi shërbëtorët e tu dhe do të bëjmë ç’të thuash ti. Nuk do të caktojmë asnjë mbret. Bëj si të të duket më mirë». Atëherë Jehu u shkroi një letër të dytë e u tha: «Nëse jeni me mua dhe nëse më dëgjoni mua, merrini kokat e djemve të zotërisë suaj dhe ejani nesër në këtë orë tek unë në Izrel». Shtatëdhjetë bijtë e mbretit qëndronin me fisnikët e qytetit, të cilët i rritnin. Sapo u mbërriti letra, i morën shtatëdhjetë bijtë e mbretit e i vranë. Kokat e tyre i vunë nëpër shporta dhe ia çuan Jehut në Izrel. Një lajmëtar erdhi e i tha: «I sollën kokat e bijve të mbretit». Atëherë Jehu tha: «Vërini te porta e qytetit të ndarë në dy pirgje, deri në mëngjes». Të nesërmen në mëngjes, Jehu doli, qëndroi para gjithë popullit e tha: «Ju jeni të drejtë, ndërsa unë u ngrita kundër Joramit, zotërisë tim, dhe e vrava. Po të gjithë këta kush i vrau? 10 Dijeni, pra, se asnjë nga fjalët që tha Zoti kundër shtëpisë së Ahabit nuk ra poshtë dhe se Zoti bëri atë që kishte thënë përmes shërbëtorit të tij, Elisë». 11 Atëherë Jehu vrau të gjithë ata që kishin mbetur në Izrel prej shtëpisë së Ahabit, të gjithë fisnikët, të njohurit dhe priftërinjtë e tij, pa lënë gjallë asnjë prej tyre.

12 Mandej Jehu u ngrit për të shkuar në Samari. Gjatë rrugës, kur po mbërrinte në Beteked të Barinjve, 13 hasi vëllezërit e Ahazjahut, mbretit të Judës, e i pyeti: «Kush jeni ju?». Ata i thanë: «Jemi vëllezërit e Ahazjahut dhe kemi ardhur të përshëndetim bijtë e mbretit dhe bijtë e nënës mbretëreshë». 14 Atëherë Jehu urdhëroi: «Kapini të gjallë!». I kapën të gjallë dhe i vranë pranë pusit të Betekedit. Ishin dyzet e dy burra e nuk shpëtoi asnjë prej tyre.

15 Kur u largua prej andej, Jehu hasi Jehonadabin, birin e Rekabit, i cili ishte nisur për ta takuar. Jehu e bekoi e i tha: «A është besnike zemra jote ndaj meje, siç është besnike zemra ime ndaj teje?». Jehonadabi i tha: «Po». Jehu iu përgjigj: «Nëse është, jepma dorën». Ai zgjati dorën, Jehu e mori me vete në karrocë 16 e i tha: «Eja me mua e shiko zellin tim për Zotin». Jehu e mbajti Jehonadabin në karrocën e tij gjatë udhës. 17 Kur mbërritën në Samari, Jehu vrau të gjithë të mbijetuarit e shtëpisë së Ahabit, që gjendeshin në qytet, derisa e shfarosi krejt shtëpinë e Ahabit, sipas fjalës që i kishte thënë Zoti Elisë.

Shkatërrimi i adhurimit të Baalit

18 Jehu mblodhi gjithë popullin e i tha: «Ahabi i ka shërbyer pak Baalit. Jehu do t’i shërbejë më shumë. 19 Prandaj m’i thërrisni këtu të gjithë profetët e Baalit, të gjithë ata që i shërbejnë dhe të gjithë priftërinjtë e tij. Të mos mungojë asnjë, sepse dua t’i kushtoj Baalit një fli të madhe. Kush mungon, do të vritet». Por Jehu e bëri këtë gjë me dredhi, për t’i shfarosur të gjithë ata që i shërbenin Baalit. 20 Pastaj Jehu tha: «Shpallni një të kremte të shenjtë në nder të Baalit». Ata e shpallën të kremten e shenjtë. 21 Jehu dërgoi lajmëtarë në mbarë Izraelin dhe të gjithë ata që i shërbenin Baalit erdhën në të kremte. Nuk mbeti njeri pa shkuar. Hynë të gjithë në tempullin e Baalit dhe tempulli u mbush cep më cep. 22 Jehu i tha kujdestarit të veshjeve: «Nxirrni veshjet për të gjithë ata që i shërbejnë Baalit». Kujdestari ua solli veshjet. 23 Atëherë Jehu shkoi bashkë me Jehonadabin, birin e Rekabit, në tempullin e Baalit e u tha shërbëtorëve të Baalit: «Shihni mirë se mos ka ndonjë shërbëtor të Zotit këtu mes jush. Të jenë vetëm shërbëtorët e Baalit». 24 Kështu, ata hynë për të kushtuar therore dhe fli shkrumbimi. Jehu kishte vënë përjashta tetëdhjetë burra, të cilëve u kishte thënë: «Nëse ndonjëri prej jush lë të ikë ndonjë prej këtyre njerëzve që po ju dorëzoj, do ta paguajë me jetën e vet».

25 Pas kushtimit të flisë së shkrumbimit, Jehu u dha urdhër rojave dhe prijësve ushtarakë: «Hyni dhe vritini! Të mos ju shpëtojë asnjë!». Rojat dhe prijësit ushtarakë i kaluan në teh të shpatës, i hodhën kufomat jashtë dhe hynë në shenjtëroren e tempullit të Baalit. 26 Nxorën prej andej përmendoret e shenjta të tempullit të Baalit dhe i dogjën. 27 Pasi shkatërruan përmendoren e shenjtë, e shkatërruan tempullin e Baalit dhe e kthyen në nevojtore, siç është edhe sot e kësaj dite.

Mbretërimi i Jehut

28 Kështu, Jehu e zhduku Baalin prej Izraelit. 29 E megjithatë ai nuk u shmang nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e shtyu Izraelin në mëkat dhe nuk hoqi dorë nga viçat e artë në Betel e në Dan. 30 Atëherë Zoti i tha Jehut: «Meqenëse veprove mirë, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e mi, dhe zbatove gjithçka që doja kundër shtëpisë së Ahabit, pasardhësit e tu do të ulen mbi fronin e Izraelit deri në brezninë e katërt». 31 Por Jehu nuk dëgjoi e nuk eci me gjithë zemër sipas ligjit të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Ai nuk u kthye prej mëkateve të Jeroboamit, i cili shtyu edhe Izraelin në mëkat.

32 Në atë kohë, Zoti filloi t’i marrë toka Izraelit. Hazaeli i mposhti izraelitët në të gjithë kufijtë 33 në lindje të Jordanit dhe pushtoi mbarë tokën e Gileadit, që i përkiste fiseve të Gadit, Rubenit dhe Manaseut, që nga Aroeri në luginën e Arnonit e deri në Gilead e në Bashan. 34 Bëmat e tjera të Jehut, të gjitha veprat dhe trimëritë e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 35 Jehu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari. Pas tij mbretëroi Jehoahazi, i biri. 36 Jehu mbretëroi mbi Izraelin për njëzet e tetë vjet në Samari.