2 Kronikave 9

Mbretëresha e Shebës dhe Solomoni

Mbretëresha e Shebës kishte dëgjuar për famën e Solomonit dhe erdhi në Jerusalem për ta vënë në provë me pyetje të vështira. Kishte marrë me vete një shpurë të madhe, deve të ngarkuara me erëra të mira, me shumë ar e me gurë të çmuar dhe shkoi te Solomoni e bisedoi me të për gjithçka kishte në zemër. Solomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve dhe asnjë nga pyetjet nuk ishte e panjohur për të, që të mos i jepte përgjigje. Kur mbretëresha e Shebës pa gjithë urtinë e Solomonit, pallatin mbretëror që kishte ndërtuar, gjellët që shtroheshin në tryezën e tij, banesat e zyrtarëve të tij, fisnikërinë dhe veshjet e shërbëtorëve të tij, veshjet e kupëmbajtësve të tij dhe marshimin madhështor për t’u ngjitur në tempullin e Zotit, ajo mbeti pa fjalë.

Atëherë ajo i tha mbretit: «Paskan qenë të vërteta fjalët që kisha dëgjuar në vendin tim për ty, për veprat e tua dhe për urtinë tënde. Nuk u besoja fjalëve derisa erdha dhe e pashë me sytë e mi. Po shoh se nuk më kishin treguar as për gjysmën e madhështisë. Urtia dhe pasuria jote është më e madhe nga ç’kisha dëgjuar unë. Lum njerëzit e tu e lum shërbëtorët e tu që gjenden përherë pranë teje e dëgjojnë urtinë tënde. Bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që të ka për zemër e që të ka vënë në fron si mbret i Zotit, Perëndisë tënd. Perëndia yt e do Izraelin e do ta mbrojë në amshim. Prandaj të caktoi mbret, që të gjykosh drejt e të bësh drejtësi». Ajo i dhuroi mbretit njëqind e njëzet monedha ari, erëra të mira me shumicë dhe gurë të çmuar. Në Izrael nuk solli më njeri aq erëra të mira sa i dha mbretëresha e Shebës mbretit Solomon.

10 Për më tepër, shërbëtorët e Hiramit dhe të Solomonit, që kishin sjellë ar nga Ofiri, sollën prej andej edhe dru rrëshinorë me shumicë dhe gurë të çmuar. 11 Me drutë rrëshinorë mbreti bëri trarë mbështetës për tempullin e Zotit dhe për pallatin mbretëror, qeste dhe harpa për këngëtarët. Drurë të tillë nuk u panë më në tokën e Judës.

12 Mbreti Solomon i dha mbretëreshës së Shebës gjithçka që ajo kishte dëshiruar e kërkuar, shumë më tepër nga ato që i kishte sjellë atij. Pastaj ajo u nis për t’u kthyer në vendin e saj bashkë me shërbëtorët.

Pasuria e Solomonit

13 Pesha e arit, që i vinte çdo vit Solomonit, ishte njëzet tonë ar, 14 përveç arit që mblidhej nga tagrat për hyrjen e mallrave në vend, nga tregtia, nga të gjithë mbretërit e Arabisë dhe nga qeveritarët e vendit, të cilët i sillnin ar dhe argjend Solomonit. 15 Mbreti Solomon farkëtoi dyqind shqyte prej ari, me nga gjashtë kilogramë ar secila, 16 dhe treqind shqyte të tjera, po prej ari, me nga një kilogram e gjysmë ar të derdhur mbi secilën. Shqytet mbreti i vuri në pallatin e quajtur «Pylli i Libanit». 17 Mbreti Solomon bëri edhe një fron të madh fildishi dhe e veshi me ar të pastër. 18 Froni kishte gjashtë shkallë dhe nënkëmbëzën e kishte të punuar me ar. Në të dyja anët e fronit kishte mbështetëse për krahët dhe në anë të mbështetëseve gjendej nga një luan i gdhendur. 19 Në gjashtë shkallët e fronit gjendeshin dymbëdhjetë luanë të gdhendur. Një fron i tillë nuk ishte ndërtuar në asnjë mbretëri. 20 Të gjitha kupat, me të cilat pinte mbreti Solomon, ishin prej ari. Edhe enët e pallatit «Pylli i Libanit» ishin prej ari të pastër. Asgjë nuk ishte prej argjendi. Në ditët e mbretit Solomon argjendi nuk kishte asnjë vlerë. 21 Mbreti Solomon kishte në lundrim anijet e Tarshishit bashkë me shërbëtorët e Hiramit dhe një herë në tre vjet ato ktheheshin e sillnin ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj.

22 Kështu, mbreti Solomon u bë mbreti më i pasur e më i urtë ndër të gjithë mbretërit e tokës. 23 Të gjithë mbretërit e tokës dëshironin ta shihnin Solomonin, për të dëgjuar urtinë që i kishte vënë Perëndia në zemër. 24 Të gjithë i sillnin dhurata, sende argjendi e ari, veshje, armë, erëra të mira, kuaj e mushka dhe kjo ndodhte çdo vit. 25 Solomoni kishte katër mijë stalla kuajsh dhe dymbëdhjetë mijë qerre lufte e kalorës. Disa prej tyre ai i mbajti pranë vetes në Jerusalem, ndërsa të tjerët i shpërndau nëpër qytetet ku rrinin qerret. 26 Ai sundonte mbi të gjithë mbretërit që nga lumi i Eufratit deri në tokën e filistinëve e deri në kufijtë e Egjiptit. 27 Në Jerusalem mbreti ia kishte dalë ta bënte argjendin të begatë sa gurin. Druri i cedrit, po ashtu, ishte me shumicë sa fiku egjiptian, që rritej në Shefelah. 28 Kuajt Solomonit ia sillnin nga Egjipti dhe nga të gjitha vendet.

Vdekja e Solomonit

29 Veprat e tjera të Solomonit, të hershmet e të vonshmet, janë të shkruara në librin e Profetit Natan, në Profecinë e Ahijahut, shilonitit, dhe në Vegimet e Idoit, atij që pa vegimet për Jeroboamin, birin e Nebatit. 30 Solomoni mbretëroi për dyzet vjet në Jerusalem dhe qe mbreti i mbarë Izraelit. 31 Solomoni vdiq dhe e varrosën në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi Rehoboami, i biri.