2 Kronikave 6

Fjala e Solomonit

Atëherë Solomoni tha: «Ti, o Zot, ke thënë se dëshiron të banosh në errësirë të thellë. Prandaj unë të ndërtova një tempull madhështor, një vend ku mund të banosh në amshim».

Pastaj mbreti u kthye nga bashkësia e Izraelit dhe e bekoi. Mbarë bashkësia e Izraelit qëndronte më këmbë. Solomoni tha: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, i cili përmbushi me fuqinë e tij premtimin që i bëri me gojën e vet Davidit, atit tim, kur tha: “Që nga dita kur e nxora Izraelin, popullin tim, nga toka e Egjiptit, nuk zgjodha asnjë qytet ndër të gjitha fiset e Izraelit për të ndërtuar një tempull për nder të emrit tim e nuk zgjodha askënd për të sunduar mbi popullin tim, Izraelin. Por tani kam zgjedhur Jerusalemin për nder të emrit tim dhe Davidin për të sunduar mbi popullin tim, Izraelin”. Davidi, ati im, e dëshironte me gjithë zemër ndërtimin e një tempulli për nder të emrit të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Por Zoti i tha Davidit, atit tim: “Ti e dëshiron me gjithë zemër ndërtimin e një tempulli për nder të emrit tim dhe mirë bën. Tempullin për nder të emrit tim, veçse, nuk do ta ndërtosh ti, por biri yt që do të dalë prej ijëve të tua”. 10 Zoti e përmbushi premtimin që bëri dhe, ashtu siç tha Zoti, në vend të Davidit, atit tim, në fronin e Izraelit u ula unë dhe ndërtova tempullin për nder të emrit të Zotit, Perëndisë së Izraelit. 11 Aty caktova një vend për arkën, brenda së cilës ndodhet besëlidhja që bëri Zoti me popullin e Izraelit».

Lutja e Solomonit

12 Pastaj Solomoni qëndroi përpara altarit të Zotit në prani të gjithë bashkësisë së Izraelit dhe i ngriti duart drejt qiellit. 13 Ai kishte ndërtuar një piedestal prej bronzi dhe e kishte vënë në mes të tremes. Piedestali ishte dy metra e gjysmë i gjatë, dy metra e gjysmë i gjerë dhe një metër e gjysmë i lartë. Solomoni u ngjit mbi piedestal, ra në gjunjë para bashkësisë së Izraelit, ngriti duart drejt qiellit, 14 e tha: «O Zot, Perëndi i Izraelit, nuk ka tjetër perëndi si ti as në qiell, as mbi tokë, ti që i qëndron besnik besëlidhjes që ke bërë me shërbëtorët e tu, kur ata ecnin para teje me gjithë zemër. 15 Ti i mbajte premtimet që i bëre atit tim, Davidit. Ato që premtove me gojën tënde, i përmbushe me dorën tënde, e ashtu po bën edhe sot. 16 E tani, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim, kur i the: “Nuk do t’ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit, nëse ata do të ndjekin ligjin tim ashtu si e ndoqe edhe ti”. 17 Prandaj, o Zot, Perëndi i Izraelit, le të përmbushet premtimi që i bëre Davidit, atit tim.

18 Por, a mund të banosh vërtet me njerëzit mbi tokë, o Perëndi? Ja, ty nuk të nxënë as qiejt e qiejve e aq më pak ky tempull që të ndërtova unë! 19 Vëri, pra, vesh lutjes së shërbëtorit tënd dhe përgjërimit të tij, o Zot, Perëndia im! Dëgjoje thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt po të drejton! 20 Sytë e tu qëndrofshin hapur e pafshin nga ky tempull ditë e natë, nga ky vend për të cilin the: “Aty do ta vendos emri tim!”. Dëgjoje lutjen që shërbëtori yt po të drejton prej këtij vendi! 21 Dëgjoji përgjërimet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd, Izraelit, sa herë që të lutet prej këtij vendi! Dëgjoje prej vendit ku banon në qiej! Dëgjona e përdëllena!

22 Kur dikush mëkaton kundër të afërtit e i kërkohet që të betohet për pafajësinë e tij dhe ai vjen për t’u betuar përpara altarit tënd në këtë tempull, 23 dëgjoje prej qiellit, vepro dhe gjykoji shërbëtorët e tu. Dënoje të paudhin, që e keqja t’i bjerë mbi kokë vetë atij, dhe shpalle të pafajshëm të pafajshmin e shpërbleje sipas drejtësisë së tij.

24 Kur Izraeli, populli yt, të mposhtet para armikut, për shkak se do të ketë mëkatuar kundër teje, por më pas kthehet te ti, duke përlëvduar emrin tënd, duke u lutur e duke u përgjëruar para teje në këtë tempull, 25 dëgjoje prej qiellit, falja mëkatin dhe ktheje në vendin që u ke dhënë atyre e paraardhësve të tyre.

26 Kur të ndryhet qielli e të mos bjerë më shi, për shkak se izraelitët do të kenë mëkatuar kundër teje, por më pas luten drejt këtij vendi, duke përlëvduar emrin tënd e duke u penduar për mëkatet e tyre, për shkak të ndëshkimit tënd, 27 dëgjoji prej qiellit e falua mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe popullit tënd, Izraelit, mësoju udhën e së mirës, nëpër të cilën duhet të ecin, dhe jepi shi tokës sate, tokës që ia dhe për trashëgim popullit tënd.

28 Nëse vendin e godet zia e bukës apo murtaja, nëse e ha vrugu, myku, karkaleci apo vemja, nëse e rrethon armiku nga të gjitha anët, nëse mbi të bien çfarëdolloj plagësh e sëmundjesh 29 dhe nëse çdo njeri e mbarë populli yt i Izraelit të lutet e të përgjërohet, duke lartësuar duart drejt këtij tempulli, për shkak të plagës dhe dhimbjes, 30 dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon, fal e jepi secilit sipas sjelljes së tij, se ti ia njeh zemrën e vetëm ti e njeh zemrën e çdo njeriu. 31 Kështu, të gjithë do të të druajnë e do të ecin udhëve të tua sa të jenë gjallë mbi tokën që ti u dhe paraardhësve të tyre.

32 Edhe të huajin, që nuk i përket popullit tënd, Izraelit, nëse vjen nga një vend i largët për hir të emrit tënd, për dorën tënde të fuqishme e për krahun tënd të gjithëpushtetshëm, që të lutet drejt këtij tempulli, 33 dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon dhe plotësoja të gjitha kërkesat që të bën. Kështu, të gjithë popujt e botës do ta njohin emrin tënd, do të të druajnë, siç të druan populli yt, Izraeli, dhe do ta dinë se emri yt thirret në këtë tempull që të ndërtova unë.

34 Nëse populli yt del për të luftuar kundër armiqve, atje ku ta kesh urdhëruar ti, nëse të lutet, duke u drejtuar për nga qyteti që ke zgjedhur ti dhe për nga tempulli që kam ndërtuar unë për nder të emrit tënd, 35 dëgjoja lutjen dhe përgjërimin nga qielli e bëj që të ngadhënjejë e drejta e tij.

36 Nëse mëkatojnë kundër teje, se nuk ka njeri që nuk mëkaton, e ti, i zemëruar me ta, i dorëzon tek armiqtë, që i marrin robër e i degdisin në vende të largëta a të afërta, 37 por mandej pendohen në vendin ku janë marrë robër, kthehen me gjithë zemër te ti e të përgjërohen duke thënë: “Kemi mëkatuar, kemi bërë ligësi e paudhësi”, 38 nëse kthehen, pra, te ti me gjithë zemër e me gjithë shpirt, atje në vendin ku i kanë robëruar armiqtë, e të luten duke u drejtuar për nga vendi i paraardhësve të tyre, për nga qyteti yt i zgjedhur dhe për nga tempulli që kam ndërtuar për nder të emrit tënd, 39 dëgjoji lutjet dhe përgjërimet e tyre prej qiellit, prej vendit ku banon, e bëj të ngadhënjejë e drejta e tyre. Fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje. 40 E tani, o Perëndia im, hapi sytë dhe veshët e tu dëgjofshin me kujdes lutjen që bëhet në këtë vend.

41 Ngrihu tani,

Zot Perëndi,

eja në vendin e prehjes sate,

ti dhe arka jote e fuqishme.

Priftërinjtë e tu, o Zot, Perëndi,

le të vishen me shpëtim,

besnikët e tu

le të gëzojnë mes të mirave.

42 Zot, Perëndi,

mos e hidh poshtë të vajosurin tënd,

kujto mirësinë tënde ndaj Davidit,

shërbëtorit tënd».