2 Kronikave 36

Mbretërimi i Jehoahazit në Judë

Populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josisë, dhe e vuri të mbretëronte në Jerusalem, në vend të të atit. Jehoahazi ishte njëzet e tre vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi vetëm tre muaj në Jerusalem. Nekohu, mbreti i Egjiptit, e hoqi Jehoahazin nga Jerusalemi, e burgosi dhe i caktoi vendit një tagër prej tre mijë kilogramë argjendi dhe tridhjetë kilogramë ari. Mbreti i Egjiptit bëri mbret të Judës dhe të Jerusalemit Eliakimin, vëllanë e Jehoahazit, të cilit ia ndryshoi emrin në Jehojakim. Jehoahazin, të vëllanë e Jehojakimit, Nekohu e mori rob në Egjipt.

Mbretërimi i Jehojakimit në Judë

Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret. Mbretëroi për njëmbëdhjetë vjet në Jerusalem dhe bëri çka është keq në sytë e Zotit, Perëndisë së tij. Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e sulmoi Jehojakimin dhe e lidhi me zinxhirë prej bronzi për ta çuar në Babiloni. Nabukodonosori mori edhe një pjesë të pajisjeve të tempullit të Zotit, i çoi në Babiloni dhe i vuri në pallatin e tij. Bëmat e tjera të Jehojakimit, veprat e tij të neveritshme dhe gjërat e tjera në lidhje me të janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit e të Judës. Në vend të tij mbretëroi Jehojakini, i biri.

Mbretërimi i Jehojakinit në Judë

Jehojakini ishte tetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tre muaj e dhjetë ditë në Jerusalem. Jehojakini bëri çka është keq në sytë e Zotit10 Në krye të vitit, Nabukodonosori dërgoi njerëz që ta sillnin në Babiloni bashkë me sendet e çmuara të tempullit të Zotit. Nabukodonosori caktoi si mbret të Judës dhe të Jerusalemit Sedekinë, vëllanë e Jehojakinit.

Mbretërimi i Sedekisë në Judë

11 Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për njëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. 12 Ai bëri çka është keq në sytë e Zotit, Perëndisë së tij, dhe nuk u përul para profetit Jeremi që fliste në emër të Zotit13 Sedekia ngriti krye edhe kundër mbretit Nabukodonosor, ndonëse ai e kishte detyruar t’i betohej për Perëndinë. Sedekia u bë kokëfortë e zemërgur dhe nuk u kthye drejt Zotit, Perëndisë së Izraelit. 14 Edhe tërë krerët e priftërinjve bashkë me popullin i shtuan paudhësitë e tyre dhe ndoqën zakonet e pështira të kombeve, duke përdhosur tempullin e Zotit që ai vetë e kishte shenjtëruar në Jerusalem.

15 Zoti, Perëndia i etërve të tyre, u dërgoi që në fillim lajmëtarët e vet për t’i qortuar çdo herë, sepse i dhimbsej populli dhe banesa e vet. 16 Por ata i përqeshnin të dërguarit e Perëndisë, i përbuznin fjalët e tij dhe talleshin me profetët e tij. Prandaj Zoti u zemërua aq shumë kundër popullit të tij, saqë nuk kishte më mundësi shpëtimi.

17 Atëherë Zoti dërgoi kundër tyre mbretin e kaldenjve, i cili ua vrau djemtë me shpatë në shenjtëroren e Zotit e nuk pati mëshirë as për të rinjtë, as për të rejat, as për të rriturit e as për pleqtë. Zoti i la të gjithë në mëshirën e mbretit të kaldenjve. 18 Mbreti Nabukudonosor i mori të gjitha pajisjet e tempullit të Perëndisë, të mëdha e të vogla, thesaret e tempullit të Zotit, thesaret e mbretit e të fisnikëve të tij e i çoi të gjitha në Babiloni. 19 Mandej i vunë flakën tempullit të Perëndisë, rrëzuan muret e Jerusalemit, dogjën të gjitha pallatet e tij dhe shkatërruan të gjitha sendet me vlerë. 20 Ata që i shpëtuan shpatës, mbreti i treti në mërgim në Babiloni dhe u bënë skllevër për të e për bijtë e tij, derisa u themelua mbretëria e persëve. 21 Kështu u përmbush fjala e Zotit thënë me gojën e Jeremisë se toka do të rrinte e shkretë për shtatëdhjetë vjet, derisa të shpaguheshin të shtunat që nuk ishin mbajtur.

Vendimi i Kirit

22 Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë, Zoti përmbushi atë që kishte thënë përmes Jeremisë dhe e nxiti shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, të shpallte në mbarë mbretërinë e tij këtë vendim të shkruar: 23 «Kështu thotë Kiri, mbreti i Persisë: Zoti, Perëndia i qiellit, më ka dhënë të gjitha mbretëritë e tokës dhe më ka urdhëruar të ndërtoj për të një tempull në Jerusalem të Judës. Kush nga ju i përket popullit të tij, të kthehet atje dhe Zoti, Perëndia i tij qoftë me të!».