2 Kronikave 31

Reformat e Ezekisë

Pasi mbaruan të gjitha këto kremtime, të gjithë izraelitët, që ndodheshin në qytetet e Judës, rrënuan shtyllat e shenjta, shtyllat e Asherasë i thyen copash dhe shkatërruan faltoret në vende të larta dhe altarët në mbarë Judën dhe Benjaminin, në Efraim dhe në Manase, derisa i shkatërruan plotësisht. Mandej izraelitët u kthyen nëpër pronat dhe qytetet e veta.

Ezekia përtëriu edhe rangjet priftërore e levitike sipas shërbesës që kryenin, për kushtimin e flive të shkrumbimit, e flive të paqtimit, për kryerjen e shërbesave, si edhe për të kënduar himne falënderimi e lavdërimi në portat e oborreve të ZotitMbreti caktoi edhe pjesën e pasurisë së tij që do të kushtohej për flitë e shkrumbimit në mëngjes, në mbrëmje, të shtunave, në ditët e hënës së re dhe në të kremtet e caktuara, siç ishte shkruar në ligjin e ZotitAi u urdhëroi banorëve të Jerusalemit t’u jepnin priftërinjve dhe levitëve pjesën që u takonte, që ata të mund t’i përkushtoheshin ligjit të ZotitSapo u përhap ky urdhër, izraelitët i sollën me shumicë frytet e para të grurit, të verës, të vajit, të mjaltit dhe të të gjitha prodhimeve të tokës. Ata e sollën me shumicë të dhjetën e prodhimeve të tyre. Edhe izraelitët dhe judenjtë, që banonin në qytetet e Judës, sollën të dhjetat e gjedhëve e të dhenve dhe të dhjetat e gjithçkaje që i kishin kushtuar Zotit, Perëndisë së tyre. Të gjitha prodhimet e sjella i grumbulluan nëpër pirgje. Filluan t’i grumbullonin prodhimet nëpër pirgje në muajin e tretë dhe përfunduan në muajin e shtatë. Kur Ezekia dhe prijësit erdhën e panë pirgjet, bekuan Zotin dhe popullin e Izraelit. Mandej Ezekia pyeti priftërinjtë dhe levitët për pirgjet. 10 Kryeprifti Azarjah, prej shtëpisë së Cadokut, i tha: «Që kur populli filloi të sjellë dhuratat në tempullin e Zotit, kemi ngrënë, jemi ngopur dhe na kanë tepruar shumë, sepse Zoti e ka bekuar popullin e tij. Ja, sa shumë gjëra kanë tepruar».

11 Atëherë Ezekia u dha urdhër të bënin gati disa qilarë në tempullin e Zotit dhe ata i bënë. 12 Atje futën me ndershmëri dhuratat, të dhjetat dhe kushtimet e dhëna. Mbikëqyrës ishte leviti Konanjah dhe zëvendës i tij ishte Shimei, i vëllai. 13 Mbikëqyrës të tjerë nën urdhrat e Konanjahut e vëllait të tij Shimeit ishin Jehieli, Azazjahu, Nahati, Asaheli, Jerimoti, Jozabadi, Elieli, Ismakjahu, Mahati dhe Benajahu, sipas urdhrit të mbretit Ezeki dhe Azarjahut, kryepriftit të tempullit të Perëndisë. 14 Koreu, biri i levitit Imnah, derëtar i Portës Lindore, mbikëqyrte kushtimet e bëra për Perëndinë vullnetarisht dhe ndante kushtimet e bëra për Zotin dhe kushtimet e gjërave më të shenjta. 15 Nën urdhrat e Koreut ishin Edeni, Minjamini, Jeshuai, Shemajahu, Amarjahu dhe Shekanjahu. Ata banonin në qytetet priftërore që t’u ndanin dhuratat me ndershmëri vëllezërve të tyre sipas rangut, nga më të mëdhenjtë te më të vegjlit, 16 me përjashtim të meshkujve të regjistruar në librat gjenealogjikë nga tre vjeç e lart e që shkonin në tempullin e Zotit për të kryer shërbesat e përditshme sipas shërbimit që kryenin dhe sipas rangut. 17 Regjistrimi i priftërinjve ishte bërë sipas familjeve të tyre, ndërsa i levitëve sipas shërbimit që kryenin dhe sipas rangjeve të tyre, nga njëzet vjeç e lart. 18 Ata ishin të regjistruar me të gjithë fëmijët, me gratë, me bijtë e bijat, si gjithë bashkësia, mjafton që të ishin shenjtëruar me besnikëri. 19 Edhe për priftërinjtë, pasardhësit e Aronit, që banonin nëpër fushat dhe fshatrat përreth qyteteve priftërore, ishin caktuar njerëz me emër për t’u ndarë pjesën e caktuar të gjithë meshkujve të familjeve priftërore, si edhe të gjithë levitëve të regjistruar në librat gjenealogjikë.

20 Kështu veproi Ezekia në mbarë Judën dhe bëri çka është e mirë, e drejtë dhe e vërtetë para Zotit, Perëndisë së tij. 21 Ezekia e bëri me zemër çdo punë që ndërmori për shërbimin në tempullin e Perëndisë, për zbatimin e ligjit dhe të urdhërimeve, prandaj edhe i shkoi mbarë.