2 Kronikave 28

Mbretërimi i Ahazit në Judë

Ahazi ishte njëzet vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. Ai nuk bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë së tij, si Davidi, paraardhësi i tij, por ndoqi udhët e mbretërve të Izraelit. Për më tepër ai bëri idhuj prej metali për Baalët, kushtoi temjan në luginën e Ben Hinomit dhe flijoi edhe bijtë e vet në zjarr, sipas zakoneve të pështira të kombeve që Zoti kishte dëbuar para syve të izraelitëve. Po ashtu, ai kushtoi flijime e temjan në faltoret në vende të larta, nëpër kodra dhe nën pemë të harlisura.

Prandaj Zoti, Perëndia i tij, e dorëzoi te mbreti i Aramit, i cili e mposhti, zuri një numër të madh robërish dhe i solli në Damask. Ahazi ra edhe në duart e mbretit të Izraelit, i cili i shkaktoi një humbje të tmerrshme. Pekahu, biri i Remaliahut, vrau njëqind e njëzet mijë burra të Judës në një ditë të vetme, sepse ata e kishin braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre. Edhe Zikriu, një luftëtar nga Efraimi, vrau Masejahun, të birin e mbretit, Azrikamin, kreun e oborrit mbretëror, dhe Elkanahun, mëkëmbësin e mbretit.

Izraelitët morën prej vëllezërve të tyre të Judës dyqind mijë robër, gra, djem e vajza, si edhe shumë plaçkë lufte, dhe i çuan në Samari. Aty jetonte një profet i Zotit që quhej Oded. Ai i doli përpara ushtrisë, teksa po kthehej në Samari, e u tha: «Ja, Zoti, Perëndia i etërve tuaj, u zemërua kundër Judës dhe jua dorëzoi juve, por ju i vratë me aq mizori, sa jehona e saj mbërriti në qiej. 10 Për më tepër, dashkeni t’i nënshtroni si skllevër e si skllave, popullin e Judës e të Jerusalemit. A nuk jeni fajtorë kundër Zotit, Perëndisë tuaj? 11 Prandaj më dëgjoni! Kthejini robërit që morët nga vëllezërit tuaj, sepse zemërimi i zjarrtë i Zotit ka për të rënë mbi ju».

12 Atyre që po ktheheshin nga lufta u dolën përpara edhe disa nga krerët e pasardhësve të Efraimit, Azarjahu, biri i Jehohananit, Berekjahu, biri i Meshilemotit, Ezekia, biri i Shalumit, dhe Amasai, biri i Hadlait. 13 Ata u thanë: «Mos i sillni këtu robërit. I madh është faji ynë ndaj Zotit dhe zemërimi i tij është ndezur kundër nesh. Përse doni t’i shtoni edhe këtë mëkateve dhe fajeve tona ndaj Izraelit?». 14 Atëherë luftëtarët i lanë robërit bashkë me plaçkën e luftës para prijësve e mbarë bashkësisë. 15 U emëruan disa burra, të cilët u ngritën, morën robërit dhe me plaçkën e luftës veshën ata që ishin të zhveshur. I veshën, i mbathën, u dhanë për të ngrënë e për të pirë dhe i lyen me vaj. Të gjithë të këputurit i hipën mbi gomarë dhe i çuan te të afërmit e tyre në Jeriko, në qytetin e palmave. Mandej u kthyen në Samari.

16 Asokohe mbreti Ahaz dërgoi lajmëtarë te mbreti i Asirisë për t’i kërkuar ndihmë. 17 Edomitët erdhën sërish, e mposhtën Judën dhe morën robër. 18 Filistinët sulmuan qytetet e ultësirës dhe të shkretëtirës së Judës, pushtuan Bet Shemeshin, Ajalonin, Gederotin, Sokohun me fshatrat përreth, Timnahun me fshatrat përreth dhe Gimzonë me fshatrat përreth, e u vendosën në to. 19 Zoti e kishte poshtëruar Judën për shkak të Ahazit, mbretit të Izraelit, i cili e kishte shtyrë Judën në shthurje dhe kishte vepruar me shumë paudhësi kundër Zotit20 Tiglat Pileseri, mbreti i Asirisë, erdhi tek Ahazi, por në vend që ta ndihmonte, e shtypi. 21 Atëherë Ahazi plaçkiti tempullin e Zotit, pallatin mbretëror dhe pallatet e prijësve për t’ia dhënë mbretit të Asirisë, por gjithsesi ndihmë prej tij nuk mori.

22 Edhe kur u ndodh shumë ngushtë, mbreti Ahaz e shtoi paudhësinë ndaj Zotit23 Ai u kushtoi flijime perëndive të Damaskut, që e kishin mposhtur, e tha: «Perënditë e mbretërve të Aramit po e ndihmojnë popullin e vet. Do t’u kushtoj, pra, edhe unë flijime, që të më ndihmojnë edhe mua». Por përkundrazi, ato u bënë rrënimi i tij dhe i mbarë Izraelit. 24 Ahazi mblodhi të gjitha pajisjet e tempullit të Perëndisë, i theu në copa dhe mbylli dyert e tempullit të Zotit. Mandej ndërtoi altarë në çdo kënd të Jerusalemit. 25 Në çdo qytet të Judës ai ndërtoi faltore në vende të larta për t’u kushtuar temjan perëndive të huaj dhe ndezi kështu zemërimin e Zotit, Perëndisë së paraardhësve të tij. 26 Bëmat e tjera të Ahazit dhe veprat e tij, të parat e të fundit, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës e të Izraelit. 27 Ahazi u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Jerusalem, por jo në varret e mbretërve të Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ezekia.