2 Kronikave 27

Mbretërimi i Jotamit në Judë

Jotami ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Jerusha dhe ishte e bija e Cadokut. Jotami bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Uziahu. Megjithatë, ai nuk shkonte në tempullin e Zotit dhe populli vazhdonte të ishte i shthurur. Jotami ndërtoi Portën e Sipërme të tempullit të Zotit dhe bëri shumë punime në murin e Ofelit. Ai ndërtoi disa qytete në malësinë e Judës dhe nëpër pyje ngriti fortesa e kulla. Jotami luftoi kundër mbretit të amonitëve dhe e mposhti. Amonitët i dhanë atë vit tre tonë argjend, tre mijë tonë grurë dhe tre mijë tonë elb. Po aq i dhanë edhe vitin e dytë, edhe vitin e tretë. Jotami sa vinte e bëhej më i fuqishëm, sepse ndiqte udhën e Zotit, Perëndisë së tij. Bëmat e tjera të Jotamit, tërë luftrat dhe veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit e të Judës. Jotami ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. Jotami u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ahazi.