2 Kronikave 14

Mbretërimi i Asait në Judë

Asai bëri çka ishte e mirë dhe e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë së tij. Ai i zhduku altarët e perëndive të huaj bashkë me faltoret në vende të larta, shkatërroi përmendoret e shenjta dhe copëtoi shtyllat e Asherave. Asai u kërkoi banorëve të Judës të jepeshin pas Zotit, Perëndisë së etërve të tyre, e të zbatonin ligjin dhe urdhërimet e tij. Shkatërroi faltoret në vende të larta dhe altarët e temjanit në të gjitha qytetet Judës. Asai mbretëroi i qetë. Ai ndërtoi qytete të fortifikuara në Judë dhe vendi jetoi në qetësi. Gjatë gjithë mbretërimit të tij nuk pati luftë, sepse Zoti i kishte dhënë paqe. Asai i tha popullit të Judës: «Le t’i rindërtojmë këto qytete e le t’i rrethojmë me mure, me kulla, me porta e me shula. Tani vendi na përket neve, sepse u dhamë pas Zotit, Perëndisë tonë. Meqë u dhamë pas tij, ai na dha paqe nga të gjitha anët». Ata i rindërtuan qytetet e patën begati. Asai kishte një ushtri prej treqind mijë burrash nga fisi i Judës, të armatosur me shqyte e me heshta, dhe dyqind e tetëdhjetë mijë burra nga fisi i Benjaminit, të armatosur me shqyte e me harqe. Të gjithë ishin luftëtarë trima. Zerahu nga Kushi e sulmoi Judën me një ushtri prej një milion luftëtarësh e prej treqind qerresh lufte. Ai mbërriti deri në Mareshah.

Asai doli për t’u ndeshur me të dhe e rreshtoi ushtrinë për luftë në luginën e Cefatahut, pranë Mareshahut. 10 Atëherë Asai i thirri për ndihmë Zotit, Perëndisë së tij, e tha: «O Zot, për ty nuk ka rëndësi nëse ata që ndihmon janë shumë apo pak. Eja të na ndihmosh, o Zot, Perëndia ynë, sepse te ti e kemi shpresën dhe në emrin tënd kemi dalë të luftojmë kundër kësaj turme kaq të madhe. O Zot, ti je Perëndia ynë. Mos lejo të ngadhënjejë ndokush mbi ty!». 11 Zoti i goditi kushitët para syve të Asait e të Judës dhe kushitët ia mbathën. 12 Asai dhe luftëtarët që ishin me të i ndoqën deri në Gerar. Kushitët u goditën rëndë deri në shfarosje, sepse u goditën nga vetë Zoti dhe nga ushtria e tij. Luftëtarët e Judës morën shumë plaçkë lufte atje. 13 Banorët e të gjitha qyteteve përreth Gerarit i kishte zënë tmerri i Zotit. Luftëtarët e Judës i sulmuan e i plaçkitën dhe morën me vete shumë plaçkë lufte. 14 Ata sulmuan edhe vathët e bagëtive dhe morën me vete shumë dele e deve. Mandej u kthyen në Jerusalem.