2 Kronikave 13

Mbretërimi i Abijahut në Judë

Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Jeroboamit, Abijahu u bë mbret i Judës dhe mbretëroi në Jerusalem për tre vjet. Nëna e tij ishte bija e Urielit nga Gibeahu dhe quhej Mikajë. Mes Abijahut dhe Jeroboamit pati luftë.

Abijahu u nis për luftë me një ushtri me katërqind mijë luftëtarë të zgjedhur, ndërsa Jeroboami rreshtoi përballë tij tetëqind mijë burra, trima të fortë e të zgjedhur. Abijahu u ngjit në majë të malit të Cemaraimit, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, e tha: «Dëgjomë, o Jeroboam e mbarë Izraeli! A nuk e dini se Zoti, Perëndia i Izraelit, me një besëlidhje të pathyeshme si kripa, i ka dhënë Davidit dhe pasardhësve të tij të drejtën për të mbretëruar përgjithmonë në Izrael? Por Jeroboami, biri i Nebatit dhe shërbëtor i Solomonit, birit të Davidit, doli e ngriti krye kundër zotërisë së vet. Rreth tij u mblodhën njerëz të poshtër e pa vlerë, që dolën më të fortë se Rehoboami, biri i Solomonit, sepse Rehoboami ishte ende i ri në atë kohë e pa përvojë dhe nuk arriti t’u bënte ballë. E tani mendokeni se mund t’i bëni ballë mbretërisë së Zotit, që është në duart e pasardhësve të Davidit, sepse jeni të shumtë në numër e me vete keni marrë edhe viçat e artë që Jeroboami jua bëri për perëndi. A nuk i dëbuat ju priftërinjtë e Zotit, pasardhësit e Aronit, dhe levitët, e mandej caktuat vetë priftërinj, siç bëjnë popujt e tjerë të tokës? Kushdo që vjen me një mëzat për dore e me shtatë desh, bëhet prift idhujsh që nuk janë perëndi. 10 Ndërsa ne kemi për Perëndi Zotin dhe nuk e kemi braktisur. Priftërinjtë, që i shërbejnë Zotit, janë pasardhës të Aronit dhe levitët ende kryejnë shërbesën e tyre. 11 Çdo mëngjes e çdo mbrëmje ata i kushtojnë Zotit fli shkrumbimi dhe temjan erëmirë, paraqesin bukët e paraqitjes në një tryezë të pastër dhe po çdo mbrëmje ndezin shandanin e artë bashkë me llambat e tij. Ne e kryejmë ende me besnikëri shërbesën e Zotit, Perëndisë tonë, që ju e braktisët. 12 Vetë Perëndia është me ne e ai na prin. Priftërinjtë po u bien borive si shenjë kushtrimi kundër jush, o bijtë e Izraelit! Mos luftoni kundër Zotit, Perëndisë së etërve tuaj, sepse nuk do t’ia dilni!».

13 Ndërkohë Jeroboami kishte ngritur një kurth për t’i sulmuar nga pas luftëtarët e Judës. Kështu, luftëtarët e Izraelit ishin përballë luftëtarëve të Judës, por edhe në kurthin që u ishte ngritur pas shpine. 14 Kur luftëtarët e Judës u kthyen e panë se po sulmoheshin edhe nga para, edhe nga pas, i thirrën në ndihmë Zotit, ndërsa priftërinjtë filluan t’u bien borive. 15 Luftëtarët e Judës lëshuan kushtrimin e, teksa ata lëshuan kushtrimin, Perëndia e goditi Jeroboamin e mbarë Izraelin para syve të Abijahut e Judës. 16 Izraelitët ua mbathën para luftëtarëve të Judës dhe Perëndia i dorëzoi tek ata. 17 Abijahu dhe luftëtarët e tij vranë me shpatë shumë izraelitë, prej të cilëve mbetën të vrarë pesëqind mijë burra të zgjedhur. 18 Kështu, në atë kohë izraelitët u poshtëruan, ndërsa judenjtë u bënë më të fortë, sepse e kishin vënë shpresën te Zoti, Perëndia i etërve të tyre. 19 Abijahu iu vu pas Jeroboamit dhe pushtoi disa nga qytetet e tij, Betelin me fshatrat përreth, Jeshanahun me fshatrat përreth dhe Efronin me fshatrat përreth. 20 Gjatë mbretërimit të Abijahut, Jeroboami nuk e fitoi më kurrë fuqinë që kishte më parë. Zoti e goditi Jeroboamin e ai vdiq. 21 Abijahu, përkundrazi, bëhej gjithnjë e më i fortë. Ai u martua me katërmbëdhjetë gra dhe i lindën njëzet e dy djem e gjashtëmbëdhjetë vajza. 22 Bëmat e tjera të Abijahut, veprat dhe ligjëratat e tij janë të shkruara në Shënimet e profetit Ido. 23 b Abijahu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Pas tij mbretëroi i biri, Asai. Gjatë mbretërimit të Asait në vend pati paqe për dhjetë vjet.


 b13.23 të tjerë e rendisin si 14.1