2 Korintasve 9

Mbledhja e ndihmave

Është e tepërt t’ju shkruaj për shërbesën e ndihmës për të shenjtët, sepse e njoh vullnetin tuaj të mirë, për të cilin krenohem para maqedonasve duke thënë: «Akaia u bë gati që vitin e shkuar». Zelli juaj ka vënë në lëvizje shumicën e tyre. Megjithatë po ju dërgoj vëllezërit që të vërtetohet se në këtë rast mburrja jonë me ju nuk ka qenë e kotë dhe që ju të jeni gati, sikurse kam thënë se jeni.

Përndryshe, nëse vijnë me mua disa maqedonas dhe shohin se nuk jeni gati, ne do të dilnim të turpëruar që u krenuam me ju, për të mos thënë pastaj sesa të turpëruar do të dilnit ju. Prandaj m’u duk e nevojshme t’u kërkoja vëllezërve që të vinin më parë te ju për të bërë gati dhuratën që keni premtuar, në mënyrë që ajo të jetë gati si dhuratë zemërgjerësie e jo kopracie.

Sepse, kush mbjell me kursim, do të korrë pak dhe kush mbjell me zemërgjerësi, do të korrë me begati.

Secili nga ju le të japë sa t’i dojë zemra, jo me keqardhje e as me detyrim, se Perëndia e do atë që jep me gëzim. Perëndia mund t’ju japë me begati çdo të mirë, në mënyrë që gjithmonë të keni mjaftueshëm prej çdo gjëje e kështu të mund të jepni për çdo vepër të mirë. Sikurse është shkruar:

ai shpërndan me zemërgjerësi,

u jep të varfërve,

drejtësia e tij qëndron në amshim.

10 Ai që i jep farën mbjellësit dhe bukën për të ngrënë, do t’jua japë edhe juve farën për ta mbjellë dhe do ta shumojë. Ai do t’i shumojë frytet e drejtësisë suaj. 11 Ju do të pasuroheni në gjithçka, që të mund të jeni zemërgjerë, dhe shumë veta do të falënderojnë Perëndinë përmes nesh.

12 Kjo shërbesë ndihme jo vetëm që plotëson nevojat e të shenjtëve, por bën edhe që të burojnë shumë falënderime për Perëndinë. 13 Kur të shohin shërbesën tuaj të ndihmës, ata do të përlëvdojnë Perëndinë për bindjen tuaj ndaj ungjillit të Krishtit e për zemërgjerësinë që tregoni ndaj tyre dhe ndaj gjithë të tjerëve. 14 Dhe ata do të luten për ju e do të tregojnë shumë dashuri ndaj jush për shkak të hirit të pashoq që ju dha Perëndia. 15 I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e tij të patregueshme!