2 Korintasve 6

Ne jemi bashkëpunëtorë të tij, prandaj ju porosisim që të mos shkojë kot hiri i Perëndisë që keni marrë. Ai thotë:

të dëgjova në kohën e volitshme,

të ndihmova në ditën e shpëtimit.

Ja, tani është koha e volitshme; ja, tani është dita e shpëtimit!

Ne nuk vëmë pengesa në udhën e askujt, që të mos e njollosim shërbesën tonë; përkundrazi, ne tregojmë se në çdo rrethanë jemi shërbëtorë të Perëndisë kur durojmë shumë mundime, kur jemi të pikëlluar, në nevojë, në vështirësi, kur na rrahin, kur na burgosin, kur ngrihen kundër nesh, kur na mundojnë, kur jemi pa gjumë, kur agjërojmë, me dëlirësinë tonë, me dijen tonë, me zemërgjerësinë, me mirësinë, me Shpirtin e shenjtë, me dashurinë e sinqertë, me predikimin e së vërtetës dhe me fuqinë e Perëndisë. Në të djathtë e në të majtë mbajmë armët e drejtësisë, edhe kur na nderojnë, edhe kur na përçmojnë; edhe kur na shajnë, edhe kur na lavdërojnë. Na mbajnë për gënjeshtarë, por ne themi të vërtetën; na trajtojnë si të panjohur, por në të vërtetë të gjithë na njohin mirë; na shohin si të ishim duke vdekur, por ja ku jemi gjallë; na ndëshkojnë, por nuk na vrasin dot; 10 na brengosin, por ne kemi gjithmonë gëzim; jemi të varfër, por bëjmë të pasur shumë veta; nuk kemi asgjë, por në të vërtetë kemi gjithçka.

11 Ne kemi folur hapur me ju, o korintas, dhe zemra jonë është e hapur për ju. 12 Ne nuk e mbyllëm zemrën tonë për ju, por ju e mbyllët zemrën tuaj ndaj nesh. 13 Po ju drejtohem si bijve të mi: veproni edhe ju si ne dhe hapini zemrat tuaja për ne!

Tempulli i Perëndisë së gjallë

14 Mos u vini nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Çfarë ka të përbashkët drejtësia me paudhësinë? Çfarë ka të përbashkët drita me errësirën? 15 Ku takohen Krishti me Beliarin? Ose, çfarë mund të ndajnë me njëri-tjetrin një besimtar dhe një jobesimtar? 16 Çfarë ka të përbashkët tempulli i Perëndisë me idhujt? Ne jemi tempull i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia:

do të banoj mes tyre

e do të jetoj me ta.

Unë do të jem Perëndia i tyre

e ata do të jenë populli im.

17 Prandaj dilni e ndahuni prej tyre,

thotë Zoti.

Mos prekni asgjë të ndyrë,

e atëherë do t’ju pranoj.

18 Unë do të jem Ati juaj

e ju do të jeni bijtë e mi

e bijat e mia,, thotë Zoti i gjithëpushtetshëm.