2 Korintasve 3

Shërbëtorë të Besëlidhjes së Re

A mos po fillojmë përsëri t’i rrisim vlerën vetes? Apo mos kemi nevojë edhe ne si disa për letra porosie për ju a prej jush? Letra jonë jeni ju, e shkruar në zemrat tona, që të gjithë njerëzit ta njohin e ta lexojnë. Ju e tregoni se jeni letër e Krishtit, e hartuar prej nesh, jo e shkruar me bojë, por me shpirtin e Perëndisë së gjallë, jo në rrasa guri, por në rrasat e zemrave njerëzore.

Ky është besimi që ne kemi në Perëndinë, përmes Krishtit. Ne nuk e mbajmë veten aq të aftë që të mendojmë se vjen ndonjë gjë prej nesh. Aftësia jonë vjen prej Perëndisë që na bëri të aftë të jemi shërbëtorë të besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Shpirtit. Sepse shkronja vret, por Shpirti jep jetë.

Nëse besëlidhja e Moisiut, që ishte e gdhendur me shkronja në gur e çonte në vdekje, ishte aq e lavdishme saqë bijtë e Izraelit nuk mund ta shikonin dot Moisiun, për shkak të lavdisë së përkohshme të fytyrës së tij, sa më e lavdishme do të jetë besëlidhja e Shpirtit? Nëse vepra e besëlidhjes që sjell dënimin ishte e rrethuar me lavdi, aq më shumë do të jetë e lavdishme vepra e besëlidhjes që na bën të drejtë. 10 Në të vërtetë ajo që ishte e lavdishme dikur, e humbi lavdinë për shkak të lavdisë së tanishme që është më e madhe. 11 Nëse ajo që ishte e përkohshme ishte e lavdishme, atëherë ajo që mbetet përgjithmonë do të jetë shumë më e lavdishme.

12 Meqenëse kemi një shpresë të tillë, mund të flasim hapur, 13 jo si Moisiu që vuri një vel në fytyrë, me qëllim që bijtë e Izraelit të mos e shihnin fundin e lavdisë që po perëndonte. 14 Por mendjet e tyre u errësuan. Edhe sot e kësaj dite ata e kanë atë vel kur lexojnë besëlidhjen e vjetër dhe nuk e heqin, sepse ai hiqet vetëm nëpërmjet Krishtit.

15 Madje, dhe deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel ndehet në zemrat e tyre. 16 Megjithatë, kur dikush kthehet drejt Zotit, bie veli. 17 Mirëpo Zoti është Shpirti dhe ku është Shpirti i Zotit, atje është liria. 18 Prandaj të gjithë ne që e shohim lavdinë e Zotit si në pasqyrë, pa pasur vel në fytyrë, shndërrohemi në shëmbëllimin e tij nga lavdia në lavdi. Dhe kjo vjen nga Zoti që është Shpirti.