1 Timoteut 2

Mësime për lutjen

Para së gjithash, të bëj thirrje që të bëhen përgjërime, lutje, ndërmjetësime dhe falënderime për të gjithë njerëzit, për mbretërit dhe për të gjithë ata që kanë pushtet, që të mund të bëjmë një jetë me paqe e qetësi, plot përkushtim ndaj Perëndisë dhe dinjitet. Kjo gjë është e mirë dhe e pranueshme para Perëndisë, shpëtimtarit tonë. Ai dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen e të arrijnë ta njohin të vërtetën plotësisht,

sepse një është Perëndia

dhe një është ndërmjetësi

mes Perëndisë e njerëzve:

njeriu Jezu Krisht.

Ai e dha veten

si shpengim për të gjithë

dhe këtë dëshmi

e dha në kohën e duhur.

Për këtë u caktova predikues e apostull, për t’u mësuar kombeve besimin dhe të vërtetën. Po them të vërtetën, nuk gënjej.

Prandaj dëshiroj që burrat në çdo vend të luten duke ngritur lart duar të shenjta, pa mëri e pa grindje. Po ashtu gratë të vishen me rroba të hijshme, me thjeshtësi e maturi, jo me gërsheta e ar, as me margaritarë e rroba të kushtueshme, 10 por me vepra të mira, siç u ka hije grave që i druhen Perëndisë. 11 Gruaja le të mësojë në heshtje e me nënshtrim të plotë. 12 Nuk e lejoj gruan të mësojë të tjerët dhe as të ushtrojë pushtet mbi burrin, por të rrijë urtë. 13 Sepse Adami u krijua i pari, pastaj Eva. 14 Nuk ishte Adami ai që u mashtrua, por gruaja u mashtrua dhe shkeli urdhrin e Perëndisë. 15 Gruaja do të shpëtohet përmes lindjes së fëmijëve, nëse qëndron në besim, në dashuri dhe në shenjtëri me maturi.