Mateu 19

Çështja e divorcit

(Mk 10.1-12)

Pasi mbaroi së treguari këto gjëra, Jezui u largua nga Galilea dhe shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit. Atje e ndoqën turma të mëdha dhe ai i shëroi të sëmurët. Disa farisenj shkuan tek ai dhe u munduan ta zinin në kurth duke e pyetur: «A është e lejueshme ta ndash gruan për çfarëdolloj shkaku?». Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se ai që i ka krijuar që nga fillimi i bëri mashkull e femër?». Dhe tha: «Prandaj burri do ta lërë të atin e të ëmën, për t’u bashkuar me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm. Kështu, ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!». Ata i thanë: «Atëherë, përse urdhëroi Moisiu t’i jepet gruas fletëndarja e të lihet». Jezui u tha: «Moisiu ju lejoi të ndaheni prej grave tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu. Unë po ju them se kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një grua tjetër, bën tradhti bashkëshortorer». 10 Dishepujt i thanë: «Nëse ndodh kështu me një burrë e një grua, atëherë është më mirë të mos martohet njeri». 11 Por ai u tha: «Jo të gjithë mund t’i kuptojnë këto fjalë, por vetëm ata, të cilëve u është dhënë. 12 Ka eunukë që nga lindja dhe ka eunukë të bërë nga njerëzit, por ka edhe eunukë që janë bërë të tillë për shkak të mbretërisë së qiejve. Kush mund të kuptojë, të kuptojë».

Bekimi i fëmijëve

(Mk 10.13-16; Lk 18.15-17)

13 Pastaj i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta e të lutej, por dishepujt i qortuan. 14 Atëherë Jezui u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si ata». 15 Pastaj vuri duart mbi ta dhe u largua që andej.

Djaloshi i pasur

(Mk 10.17-31; Lk 18.18-30)

16 Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç’të mirë duhet të bëj që të kem jetën e amshuar?». 17 Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirënrr? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet». 18 Ai i tha: «Cilat?». Jezui iu përgjigj: «Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, 19 ndero atin tënd e nënën tënde dhe duaje të afërtin si veten!». 20 Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërës. Ç’më mungon ende?». 21 Jezui i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». 22 Kur e dëgjoi këtë gjë, djaloshi u largua i trishtuar, se kishte shumë pasuri. 23 Jezui u tha dishepujve të vet: «Me të vërtetë po ju them se i pasuri do ta ketë të vështirë të hyjë në mbretërinë e qiejve. 24 Po ju them edhe se është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». 25 Kur e dëgjuan këtë gjë, dishepujt mbetën shumë të habitur e thanë: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». 26 Jezui i vështroi e u tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por për Perëndinë gjithçka është e mundur».

27 Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje. Po me ne ç’do të bëhet?». 28 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që keni ardhur pas meje do të uleni në dymbëdhjetë frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 29 Dhe kushdo që ka lënë shtëpi, vëllezër a motra, atë a nënë, fëmijë ose ara për hir të emrit tim, do t’i marrë njëqindfish e do të trashëgojë jetën e amshuar. 30 Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët».


 r19.9 dorëshk. të tjera edhe: dhe ai që martohet me grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore

 rr19.17 dorëshk. të tjera: Pse më quan të mirë?

 s19.20 dorëshk. të tjera edhe: që nga rinia ime