Mateu 17

Shndërrimi i Jezuit

(Mk 9.2-13; Lk 9.28-36)

Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe vëllanë e tij, Gjonin, e i çoi në një mal të lartë, në një vend të vetmuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre. Fytyra i shkëlqeu si dielli dhe rrobat iu bënë të bardha si drita. Pastaj atyre iu shfaqën Moisiu dhe Elia duke folur me Jezuin. Pjetri i tha Jezuit: «Zot, sa mirë që jemi këtu! Nëse dëshiron, do të ngre këtu tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Ndërsa ishte ende duke folur, një re e shndritshme i mbuloi me hijen e saj dhe një zë nga reja tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur. Dëgjojeni!». Kur e dëgjuan këtë, dishepujt ranë me fytyrë përdhe dhe i zuri një frikë e madhe. Por Jezui u afrua, i preku e u tha: «Ngrihuni e mos kini frikë!». Kur ngritën sytë, nuk panë askënd përveç Jezuit.

Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi: «Mos i thoni askujt çfarë keni parë, derisa Biri i njeriut të ngjallet prej të vdekurve». 10 Atëherë dishepujt e pyetën: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». 11 Jezui u përgjigj: «Po, Elia po vjen dhe ai do të vërë gjithçka në vendin e vet. 12 Madje po ju them se Elia ka ardhur, por ata nuk e njohën e bënë me të çfarë deshën. Kështu do të vuajë edhe Biri i njeriut prej tyre». 13 Atëherë dishepujt e kuptuan se po u fliste për Gjon Pagëzorin.

Shërimi i të pushtuarit nga djalli

(Mk 9.14-29; Lk 9.37-43a)

14 Kur arritën te turma, Jezuit iu afrua një njeri, i ra në gjunjë 15 e i tha: «Zot, ki mëshirë për tim bir, se ka sëmundjen e tokës dhe vuan shumë. Shpeshherë bie në zjarr e në ujë. 16 Ua solla dishepujve të tu, por ata nuk mundën ta shëronin». 17 Jezui tha: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj? Sillmani këtu!». 18 Jezui e qortoi djallin. Atëherë djalli doli prej djaloshit dhe ai u shërua në çast.

19 Pastaj dishepujt erdhën te Jezui dhe, kur ishin vetëm, i thanë: «Pse ne nuk mundëm ta dëbonim?». 20-21 Ai u tha: «Për shkak të besimit tuaj të pakët. Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim sa një farë sinapi, do t’i thoshit këtij mali “lëviz që këtej” dhe ai do të lëvizte. Asgjë nuk do të ishte e pamundur për jup».

Tjetër paralajmërim i Pashkës

(Mk 9.30-32; Lk 9.43b-45)

22 Kur ishin në Galile, Jezui u tha: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, 23 ata do ta vrasin dhe ditën e tretë, ai do të ngjallet». Atëherë dishepujt u pikëlluan shumë.

Tagri i tempullit

24 Kur arritën në Kafarnaum, mbledhësit e tagrit të tempullit iu afruan Pjetrit e i thanë: «A e paguan tagrin mësuesi juaj?». 25 Ai u tha: «E paguan». Sapo Pjetri u kthye në shtëpi, Jezui iu drejtua i pari: «Si mendon ti Simon? Nga kush i marrin mbretërit e kësaj bote tagrat ose detyrimet? Nga bijtë e tyre apo nga të tjerët?». 26 Pjetri u përgjigj: «Nga të tjerët». Jezui i tha: «Atëherë bijtë janë të lirë. 27 Por për të mos u bërë pengesë për ta, shko te liqeni, hidh grepin dhe kap peshkun e parë që do të bjerë në të. Kur t’i hapësh gojën, do të gjesh një monedhë. Merre e paguaj për mua e për vete».


 p17.20 dorëshk. të tjera edhe: 21 «Por ky lloj djalli nuk dëbohet përveçse me lutje dhe agjërim»