1 Samuelit 9

Sauli takon Samuelin

Asokohe jetonte një benjaminas, me emrin Kish. Ai ishte një fisnik benjaminas, biri i Abielit, të birit të Cerorit, të birit të Bekoratit, të birit të Afijahut. Ai kishte një djalë të hijshëm që quhej Saul. Në mbarë Izraelin nuk kishte burrë më të hijshëm se ai. Ai ishte shtatlartë, një kokë më lart se tërë populli.

Kishit, të atit të Saulit, i kishin humbur gomaricat, prandaj dhe i tha Saulit, të birit: «Merr me vete një prej djelmoshave e shko të kërkosh gomaricat». Ata përshkuan malësinë e Efraimit dhe tokën e Shalishës, por nuk i gjetën. Kaluan pastaj nëpër tokën e Shalimit, por nuk ishin as aty. Përshkuan edhe tokën e Benjaminit, por nuk i gjetën.

Kur arritën në tokën e Cufit, Sauli i tha djaloshit që ishte me të: «Eja të kthehemi, përndryshe im atë në vend që të shqetësohet për gomaricat do të shqetësohet për ne». Ai iu përgjigj: «Në këtë qytet gjendet një njeri i Perëndisë. Ai është njeri me peshë dhe çdo gjë që thotë, ndodh. Eja të shkojmë atje. Ndoshta do të na tregojë për udhëtimin tonë». Sauli i tha shërbëtorit: «Çfarë do t’i çojmë po të shkojmë? Nuk kemi më bukë në strajca e asnjë dhuratë për t’ia dhënë njeriut të Perëndisë. Nuk kemi asgjë». Shërbëtori iu përgjigj sërish: «Ja, kam në dorë një monedhë të vogël argjendi, po ia jap njeriut të Perëndisë që të na udhëzojë për udhëtimin tonë». Asokohe, në Izrael, për njerëzit që donin të pyesnin Perëndinë ishte zakon të thoshin: «Ejani të shkojmë te vegimtari», sepse në atë kohë profetët e sotëm quheshin vegimtarë. 10 Atëherë Sauli i tha shërbëtorit: «Mirë thua, eja të shkojmë». Dhe shkuan në qytetin ku gjendej njeriu i Perëndisë.

11 Teksa po ngjitnin të përpjetën e qytetit, takuan disa vajza që kishin dalë për të nxjerrë ujë e u thanë: «A është këtu vegimtari?». 12 Ato u përgjigjën: «Po, këtu është, e keni përpara. Nxitoni, sepse sapo ka ardhur në qytet dhe populli do të kushtojë sot fli në faltoret në vende të larta. 13 Do ta gjeni kur të hyni në qytet, përpara se të ngjitet për të ngrënë në faltoret në vende të larta. Populli nuk ka për të ngrënë pa mbërritur ai, sepse të ftuarit hanë pasi ta ketë bekuar flinë. Po të ngjiteni tani, do ta gjeni menjëherë». 14 Ata u ngjitën në qytet dhe, kur hynë brenda, e gjetën Samuelin duke dalë për të shkuar te faltoret në vende të larta.

15 Zoti e kishte njoftuar Samuelin një ditë përpara se të vinte Sauli e i kishte thënë: 16 «Nesër në këtë kohë, do të dërgoj te ti një burrë prej fisit të Benjaminit. Vajose si prijës të popullit tim, Izraelit. Ai do ta shpëtojë popullin tim prej dorës së filistinëve, se e pashë mjerimin që e ka kapluar popullin tim». 17 Kur Samueli e pa Saulin, Zoti i tha: «Ja, burri për të cilin të fola. Ai ka për ta zotëruar popullin tim».

18 Sauli iu afrua Samuelit në mes të portës e i tha: «Të lutem, më trego ku është shtëpia e vegimtarit?». 19 Samueli iu përgjigj: «Unë jam vegimtari. Shko para meje te faltoret në vende të larta, se do të hamë bashkë sot. Nesër do të të tregoj për gjithçka që ke në zemër e pastaj do të të nis. 20 Sa për gomaricat që të humbën tri ditë më parë, mos u shqetëso, se i kanë gjetur. E kujt do t’i përkasë tërë ëndja e Izraelit, në mos ty e tërë familjes tënde?». 21 Sauli u përgjigj: «A nuk jam unë prej fisit të Benjaminit, prej fisit më të vogël të Izraelit dhe prej familjes më të vogël brenda fisit të Benjaminit? Përse, pra, ma thua këtë fjalë?».

22 Atëherë Samueli e futi brenda në dhomë Saulin e shërbëtorin e tij dhe i vuri në krye të të ftuarve. Aty ishin rreth tridhjetë vetë. 23 Pastaj Samueli i tha gjellëbërësit: «Sille pjesën që të dhashë e për të cilën të thashë ta vije mënjanë». 24 Gjellëbërësi mori kofshën dhe bishtin e ia vuri para Saulit. Samueli i tha: «Ja, pjesa që u vu mënjanë për ty. Ha se është ruajtur për ty për këtë të kremte ku kam ftuar popullin». Sauli hëngri atë ditë bashkë me Samuelin.

25 Kur zbritën në qytet prej faltoreve në vende të larta, i vunë për të fjetur në tarracëf26 Të nesërmen u ngritën që në të gdhirë. Samueli e thirri Saulin në tarracë e i tha: «Bëhu gati të nisesh». Pasi u bë gati, Sauli e Samueli dolën që të dy përjashta. 27 Teksa po i afroheshin fundit të qytetit, Samueli i tha Saulit: «Thuaji djaloshit të shkojë para nesh». Kur u largua djaloshi, i tha: «Ti ndalu pak që të të njoftoj fjalën e Perëndisë».


 f9.25 ose: foli me Saulin në tarracë