1 Samuelit 5

Arka e Zotit mes filistinëve

Filistinët e morën arkën e Perëndisë nga Eben Ezeri dhe e sollën në Ashdod. Pasi e morën arkën e Perëndisë, e sollën te tempulli i Dagonit dhe e vendosën përbri Dagonit. Kur banorët e Ashdodit u gdhinë të nesërmen, panë se Dagoni kishte rënë me fytyrë përtokë para arkës së Zotit. E morën dhe e vendosën në vendin e vet. Kur u gdhinë të nesërmen, panë se Dagoni kishte rënë sërish me fytyrë përtokë para arkës së Zotit. Koka dhe dy pëllëmbët e Dagonit ishin këputur nga trupi dhe kishte mbetur vetëm trupi. Prandaj edhe sot e kësaj dite priftërinjtë e Dagonit dhe të gjithë ata që vijnë te tempulli i tij nuk e shkelin pragun e Dagonit në Ashdod.

Dora e Zotit i goditi rëndë ashdoditët, ngaqë e dërrmoi dhe e goditi me çibanë Ashdodin dhe rrethinat e tij. Si e panë ashdoditët se çfarë ndodhi, thanë: «Të mos qëndrojë më arka e Perëndisë së Izraelit mes nesh, se ai po na godet rëndë ne dhe Dagonin, perëndinë tonë». Atëherë çuan fjalë, thirrën të gjithë prijësit e filistinëve e u thanë: «Ç’të bëjmë me arkën e Perëndisë së Izraelit?». Ata u përgjigjën: «Ta çojmë në Gat». Dhe kështu bënë me arkën e Perëndisë së Izraelit. Si e sollën, dora e Zotit u shtri kundër qytetit, të cilin e kaploi një tmerr i madh. Ai i goditi me çibanë njerëzit e qytetit, nga më i madhi te më i vogli. 10 Pastaj e çuan arkën e Perëndisë në Ekron. Por teksa e çonin në Ekron, banorët thirrën: «Po na e sjellin arkën e Perëndisë së Izraelit që të na vrasin ne dhe popullin tonë». 11 Ata çuan fjalë, thirrën të gjithë prijësit e filistinëve e u thanë: «Largojeni arkën e Perëndisë së Izraelit, lëreni të kthehet në vendin e vet, që të mos vdesim ne dhe populli ynë». Mbarë qytetin e kishte kapluar tmerri i vdekjes, sepse dora e Zotit po i godiste rëndë edhe atje. 12 Kush nuk vdiste, e zinin çibanët. Atëherë klithma e qytetit u dëgjua deri në qiell.